
Policia italiane ka zbuluar një fermë kanabisi në Langhe, në të cilën po kultivoheshin 510 bimë kanabis dhe 18 kilogramë marijuanë gati për t’u shitur. Ferma administrohej nga një grup kriminal italo-shqiptar, aktiv midis Langhe dhe Roero.
Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së sotme nga rreth 60 karabinierë, midis provincave Cuneo, Torino, Asti dhe Rimini, raporton Ansa.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 14 masa paraprake sigurie: 8 urdhra paraburgimi (katër të ekzekutuar tashmë), dhe tre arreste shtëpie, një detyrim qëndrimi, një ndalim qëndrimi në provincën e Cuneos dhe një detyrim për të nënshkruar. Në hetim janë edhe 9 persona të tjerë.
Nga kontrolli në shtëpinë e njërit prej tyre, i cili u arrestua, u gjetën edhe 200 gramë kokainë dhe 500 marijuanë.
Të arrestuarit janë 5 shqiptarë dhe 3 italianë. Mes këtyre të fundit është edhe njeriu që ka vepruar si ndërmjetës me kanalin kryesor të furnizimit me kokainë, i ardhur nga Kalabria.
Ndaj tyre rëndojnë 24 akuza, të cilat përfshijnë zhvatje dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Lini një Përgjigje