
Në procesin ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të cilët gjykohen të veçuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Gjykata e Posaçme vijoi me pyetjen e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.
Dëshmitari Arben Haxhiaj, vëllai Bashkim Haxhiajt, i pandehur për të njëjtën ngjarje ka rrëfyer variantin e tij. Në dëshminë e dhënë para trupit gjykues, Haxhiaj tregoi se në vitin 2020 jetonte në Durrës dhe kishte në pronësi një bar të vogël në lagjen nr. 5. Ai përmendi një takim që kishte pasur në lokal me Aleksandër Lahon, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.
Dëshmitari theksoi se nuk ka pasur lidhje me konfliktin dhe se pas bisedës me Lahon kishte vijuar punën e tij. Ai pohoi gjithashtu se kishte ndërruar numrin e telefonit, por pas kësaj kishte marrë një mesazh kërcënues.
“Në 2020 kam jetuar në Durrës. Kam pasur një bar të vogël në lagjen nr.5.Aleksandër Lahon e njoh më shumë nga TV, por e kam takuar edhe personalisht. Ka ardhur tek lokali vetë i tretë. Mu prezantua vetë. Ishte pak i shëndoshë, i rrumbullakët. Arsyeja e takimit, ishte të më paralajmëronte që im vëlla, Bashkimi, të largohej nga ky sherr. Këtyre i kanë bërë atentat. Juli ka ndenjur në allçi. Ka ngrënë 4 plumba.
Unë i thashë, larg meje. Vazhdova punët e mia. Vëllai im ishte në burg kur ndodhi kjo. Ndërruam edhe numrin e telefonit me Lahon (Rrumin e Shijakut). Më ka telefonuar për të njëjtin muhabet. I kam dhënë të njëjtën përgjigje. Pas asaj telefonate nuk kam pasur asnjë kontakt tjetër. Për atentatin ndaj prokurorit nuk kam asnjë dijeni”, tha ai.
Arben Haxhiaj tregoi edhe për momentin kur vëllai i tij kishte pësuar atentat dhe për faktin se ishte ndaluar nga policia menjëherë pasi kishte mbërritur në spital. Sipas tij, në makinën ku ndodhi atentati ndaj prokurorit Ndoj, ishin edhe Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, të tre të plagosur në ngjarje.
Avokati Ilia: Na e përshkruaj si erdhi?
“Erdhi te lokali vetë i tretë. Unë edhe jam kërcënuar me sms. Më kanë thënë: Hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu. Nuk e di kush ishte dërguesi.
Ky kërcënim ka ardhur disa kohë pas bisedës me Rrumin. Vëllai im është dënuar me 4 vjet e 8 muaj për atentatin ndaj prokurorit.
Edhe vëllait tim i është bërë atentat. Unë di që kur kam shkuar tek Spitali, vëllanë e kishin marrë në polici. Vëllai im ka qenë në të njëjtën makinë me Plarent Dervishin dhe Jul Meçen kur ju bë atentat.
Në dijeninë time janë dëmtuar të tre. Po të ishte zgjidhur ajo punë, kush e bëri atentatin, nuk do të isha unë këtu sot. Unë vij e dëshmoj këtu, se më thërrasin, por fëmijët e mi janë në rrezik, se jetoj në Durrës”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje