
Portugezi Ruben Saraiva i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin ka refuzuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
I ekstraduar në Shqipëri nga Maroku prej fundit të vitit 2023, Ruben Saraiva u mor në pyetje sot për rreth 2 orë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, në prani dhe të dy prokurorëve të çështjes Erjon Shehaj dhe Françesk Ganaj.
Gjatë bisedës më portugezin përfaqësuesit e organit të akuzës, mësohet t’i kenë ofruar dhe bashkëpunim në këmbim të lehtësimit të pozitave penale, por portugezi ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë të Shëngjinit. Sipas burimeve, hetuesit i kanë drejtuar një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me hetimin e kësaj çështje.
Ndër të tjera ai ka pranuar njohjen me Edmond Haxhinë, ku krahas pranisë së tij me pushime në Shqipëri ka pohuar se kishin bërë plan të mbillnin lëndë narkotike.
Me kërkesë të avokatit mbrojtës të caktuar nga Gjykata për të ruajtur sigurinë e shtetasit Portugez, Ruben Saraiva është dërguar në burgun 313 në Tiranë, ku po qëndron në pritje për tu përballur me drejtësinë.
Hetimet në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj vijojnë nga Prokuroria e Lezhës e cila është në pritje të vendimit për ekstradimin e 3 shtetasve Britanik dhe porositësit të dyshuar të kësaj vrasje shtetasit Edmond Haxhia. Seanca gjyqësore në Britani për personat e vënë nën akuzë nga drejtësia shqiptare, pritet të mbahet në muajin mars.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.
Kujtojmë se në dëshminë e tij një muaj më parë, ai deklaroi para policsë së Lezhës se në Shqipëri ishte për pushime dhe nuk ka lidhje me vrasjen. Portugezi u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Ekzekutimi i Ardian Nikulaj
Nikulaj u ekzekutua në 19 prill 2023 të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij në Shëngjin, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.
Vrasja e Nikulajt pasoi ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor.
Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Kush ishte Ardian Nikulaj?
Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, pasi ishte biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, por ka pasur edhe aktivitet politik. Ai ka qenë kandidat i Partisë SocialDemokrate në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Ai ka qenë kandidati numër 1 në listën e Partisë SocialDemokrate për Lezhën ku ka marrë 97 vota.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, 50-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje më 24 Nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 Dhjetor 2006, me gjobë për falsifikim.
Pyetjes se a ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, Nikulaj i është përgjigjur me po, por nuk ka dhënë sqarime pasi ka shkruar “nuk më kujtohen detaje”.
Ai ka qenë pjesë edhe e Këshillit Bashkiak të qytetit. Nikulaj ka lindur më 31 Tetor të vitit 1972 në Lezhë. Ai banonte në Shëngjin.
Lini një Përgjigje