
Në GJKKO ka nisur seanca për dosjen ‘Partizani’ ku një nga të pandehurit është edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit po përfaqësohet në seancë nga avokatët e tij, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi është i pranishëm në sallën e gjyqit. Gjithashtu në sallë është edhe i pandehuri tjetër Xhimi Begeja, ndërsa të tjerët përfaqësohen nga mbrojtësit ligjorë.
Avokatët edhe në këtë seancë kanë paraqitur kërkesat për pavlefshmëri të akteve hetimore të SPAK lidhur me çështjen në fjalë.
Trupa gjykuese nuk ka lejuar që mediat të regjistronin në plotë seancën, ndërsa ka lejuar regjistrim të planeve të nisjes së seancës.
Kjo është kundërshtuar nga Malltezi, i cili kishte paraqitur edhe kërkesën në GJKKO.
“Kam bërë kërkesë që të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent dhe të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për shoë. Po të jepej e gjitha do ta kuptonit që gjykata dhe prokuroria janë bërë leqe-peqe”, u tha Malltezi, gazetarëve.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me anën financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Lini një Përgjigje