
Hetimet për zjarrin në pallatin 10-katësh në kryeqytet janë thelluar pasi grupi hetimor po heton nëse janë përmbushur standardet e sigurisë nga ndërtuesi i pallatit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se do të merren në pyetje nga policia ndërtuesi i pallatit Tanush Mëhillaj i firmës TBM Construction dhe inxhinieri. Ndërtuesi dhe inxhinieri do të pyeten nga policia rreth ndërtimit të pallatit, pasi nuk ishin përmbushur kushtet teknike të sigurisë dhe materiali që është përdorur për ndërtimin e fasadës nuk përmbush standardet e sigurisë në raste zjarri.
Pallati 10-katësh i përfunduar në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj nuk kishte një sistem funksional për mbrojtjen ndaj zjarrit. Sipas banorëve herë pas herë ka pasur probleme me energjinë, pasi binte automati. Banorët e pallatit thonë se ndërtuesi ende nuk ka ardhur të kontaktojë për të dhënë sqarime se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre.
Zjarri u përhap me shpejtësi te frikshme prej një materiali të djegshëm që është përdorur nga ndërtuesi në fasadën e pallatit, e cila sipas ekspertëve ka përzierje me nënprodukte të naftës, që kanë favorizuar flakët. Grupet e ekspertëve dhe policia vijojnë punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit, si dhe vlerësimin e dëmeve, por po hetojnë me detaje edhe për mënyrën si është ndërtuar pallati dhe a i plotësonte kushtet e sigurisë.
Gjithashtu inxhinierët po vlerësojnë edhe strukturën e pallatit, pasi prej më shumë se 3 orësh disa nga katet ishin nën flakë dhe mund të ketë dëmtuar kolonat e pallatit, çka mund ta bëjë që të mos plotësojë kushtet e sigurisë inxhinierike dhe del jashtë funksionit për të qenë i banueshëm.
Nga ekspertiza paraprake dyshohet se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndije elektrike.
Lini një Përgjigje