
Klodjan Çopja, një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në Britaninë e Madhe, është i burgosuri i parë që do të transferohet në Shqipëri për të kryer pjesën e mbetur të dënimit prej 17 vitesh burg.
36-vjeçari do të vijojë dënimin e tij në vendin tonë, si pasojë e marrëveshjes për transferimin e të burgosurve, duke i kursyer shtetit britanik dhjetëra mijëra paund, shkruajnë mediat britanike.
Çopja u arrestua në vitin 2017, pas një aksioni policor që goditi rrjetin e trafikantëve të kokainës me vlerë 150 milionë paund, i cili furnizonte Londrën dhe zonën lindore të Britanisë. Ai ndenji katër vite në arrati përpara se të kapej në kufirin mes Greqisë e Shqipërisë me pasaportë false dhe u ekstradua në Britani.
Drejtoria e Burgjeve në Shqipëri konfirmoi për mediat britanike se transferimi i Çopjas u krye javë më parë.
12 të dënuar për vrasje, përdhunime dhe më shumë se 100 të dënuar për drogë dhe armë zjarri pritet të transferohen po ashtu drejt Shqipërisë për ta vijuar aty pjesën e mbetur të burgimit.
Marrëveshja për transferimin e të burgosurve u arrit vitin e kaluar dhe një nga qëllimet e shpallura prej qeverisë britanike është të kursejnë dëmin financiar mbi taksapaguesit e Britanisë, pasi llogaritet se një i dënuar atje i kushton vendit 109 paund përditë, ndërsa kostoja në Shqipërisë përllogaritet te 32 paund në ditë. /The Sun
Lini një Përgjigje