TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Tetor 2025, 14:06

Shkrumbohet nga flakët banesa në Maliq, humbin jetën nëna dhe djali; fëmija tjetër në gjendje të rëndë

Shkruar nga Pamfleti
Shkrumbohet nga flakët banesa në Maliq, humbin jetën nëna
Foto nga vendi i ngjarjes

Nga raportimet paraprake, bëhet me dije se nëna dhe djali kanë ndërruar jetë nga asfiksia

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Maliq ku një banesë është shkrumbuar nga flakët. Nga zjarri në banesë kanë marrë djegie 3 persona, konkretisht nëna me dy fëmijët e saj.

Nga raportimet paraprake, bëhet me dije se nëna ka ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa dy fëmijët janë transportuar me urgjencë nga ambulancat drejt spitalit të Korçës.

Por, bilanci i zjarrit është rënduar ku pas disa minutash, në spital ka humbur jetën edhe djali 14-vjeçar.

Dy viktimat janë identifikuar si Merjeme Azizllari 40-vjeç dhe djali i saj i madh 14 vjeç, L. Azizllari. Ndërsa, fëmija tjetër rreth 6 vjeç është në gjendje të rëndë për jetën.

Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

"Rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit V. A. Si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar menjëherë për ndihmë shëndetësore në spital shtetasja M. A. dhe dy fëmijët e saj të mitur, 14 dhe 6 vjeç.

Dyshohet se si pasojë e asfiksisë shtetasja M. A., ka ndërruar jetë në spital. Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit", njofton policia.

Lini një Përgjigje