TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Tetor 2025, 21:17

Autori u vetëdorëzua, media italiane ngre dyshimet: Vrasja e biznesmenit italian është e porositur!

Shkruar nga Pamfleti

Autori u vetëdorëzua, media italiane ngre dyshimet: Vrasja e

Ditën e sotme është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës, i kërkuari për vrasjen e Edoardo Sarchit, sipërmarrësit 44-vjeçar të ndërtimit që humbi jetën nga një plumb në kokë në Shqipëri, mbrëmjen e 26 shtatorit, shkruan “La Reppublica”.

Bëhet fjalë për Kamber Sulçajn, një 48-vjeçar që kërkohej nga policia që prej 29 shtatorit si autor i dyshuar i vrasjes dhe që, sipas hetimeve, kishte pasur një grindje me sipërmarrësin dhe bashkëpunëtorët e tij. Aktualisht, policia po e merr në pyetje.

Një nga hipotezat për motivin, ende e pakonfirmuar nga autoritetet shqiptare është ajo e një debati të ashpër midis katër personave për dritat e makinave, që ndriçonin natën në errësirën e fshatit.

Por dinamika e vrasjes mbetet ende e paqartë, sidomos duke marrë parasysh shumën e madhe të parave, armët e shumta dhe pajisjet e gjetura në shtëpinë e Sulçajt, që nxisin dyshimet për një vrasje me porosi, një skenar krejt i ndryshëm nga ai i një krimi të kryer në gjaknxehtësi.

Akuzat ndaj tij janë: “vrasje në rrethana të tjera rënduese”, “mbajtje dhe prodhim të paligjshëm armësh, eksplozivësh dhe municionesh”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Mbrëmjen e ngjarjes, Edoardo Sarchi, bashkë me ortakun e tij Eqerem Braçe dhe dy djemtë e këtij të fundit, ishin nisur për gjueti në zonën e Dilanit, në Tepelenë, rreth 200 kilometra nga Tirana.

Sipas hetimeve, Sulçaj, pas një debati të ashpër, ka qëlluar me armë zjarri me fishekë të plotë drejt Sarchit, ortakut të tij dhe dy djemve, por edhe drejt automjeteve të tyre.

Plumbat kanë kapur vetëm Sarchin, baba i dy fëmijëve, i martuar dhe sipërmarrës i njohur në sektorin e ndërtimit në zonën e Vareses, në Itali. Ai ishte pronar i kompanisë “Tegola Edilcentro”, themeluar tridhjetë vjet më parë nga xhaxhai i tij.

Fillimisht, policia kishte sekuestruar dy automjetet dhe kishte marrë në pyetje për gati 12 orë tre personat që ndodheshin me Sarchin atë mbrëmje, si edhe një person të katërt. Të gjithë u lanë të lirë më pas për mungesë provash.

Sulçaj ka dorëzuar pushkën e gjuetisë me tytë të gdhendur, me të cilën dyshohet se ka qëlluar ndaj Sarchit, si edhe lejen për mbajtjen e armës.

Ekspertët e seksionit për hetimin e krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë kryer procedurat për kërkesën e arrestit me burg, të cilin gjykata e kishte urdhëruar në mungesë.

Sulçaj, banor i fshatit Mesaplik, në Vlorë, dyshohet se ka qëlluar pikërisht me atë pushkë gjuetie me tytë të gdhendur ndaj Sarchit.

Lini një Përgjigje