Është arrestuar në Francë i shumëkërkuari Behar Bajri. Bëhet me dije se Bajri është arrestuar nga autoritetet Franceze në bashkëpunim me policinë shqiptare, në kuadër të operacionit "Metamorfoza".
Kujtojmë se Behar Bajri ishte shpallur në kërkim, pasi doli në përgjimet e bisedave të një grupi kriminal prej 15 vetash në aplikacionit ‘Sky’.
Sipas informacioneve të mbërritura nga autoritetet e huaja, në përgjime rezultonte se biznesmeni Pëllumb Gjoka kishte porositur disa vrasje tek Behar Bajri.
Gjithashtu nga dosja e SPAK lidhur me operacioni “Metamorfoza”, rezulton se ka qenë Behar Bajri porositësi i vrasjes së Dorian Dulit, Ibrahim Lici dhe Genc Tafilit në vitin 2020.
Në dosje thuhet se vrasja ishte porositur nga Behar Brajoviq (Bajri) në shenjë hakmarrjeje në lidhje me dyshimet që këta shtetas janë të përfshirë në angazhimin kriminal kundër tij.
Kush është Behar Bajri?
Behar Bajri, akuzohet për një sërë ngjarjesh kriminale, duke nisur që nga vrasja, vjedhja me armë, grabitje etj.
Me datë 14.01.1999, në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Me datë 21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
Me datë 28.01.2000 Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
Me datë 26.06.2002, në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.
Më datë 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Me datë 18.08.2006, Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
Lini një Përgjigje