
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar mbi arrestimin e mjekut të Akademisë së Sigurisë, teksa ka publikuar dhe pamjet kur ai ndalohet në banesën e tij.
Sipas AMP, ndalimi ka ardhur pas një hetimi disa mujor me metoda speciale nga Drejtoria e Hetimit në AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.
“Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A. XH. dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente fallsifikimin e raporteve mjeksore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme. Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore”, njofton AMP.
Po ashtu bëhet me dije se hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/ kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Lini një Përgjigje