
Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ka rënë në prangat e policisë Durrës pasi ka shfrytëzuar për prostitucion një 28-vjeçare.
Policia bën me dije se është arrestuar gjithashtu edhe 28-vjeçarja e shpallur në kërkim për ushtrim të kësaj veprimtarie kriminale.
“Si rezultat i kërkimeve dhe i veprimeve të tjera procedurale të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flower”, të zhvilluar më datë 17 qershor nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, u bë lokalizimi dhe kapja e 2 shtetasve të shpallur në kërkim V. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Tajar Vrenozi 38 vjeç, banues në Pojan, Fier.
Nga provat e siguruara si rezultat i një hetimi katërmujor, dyshohet se 38-vjeçari kanoste shtetasen V. M., për të ushtruar prostitucion, si dhe i siguronte asaj klientë nga Shqipëria, Italia dhe Belgjika, për ta kryer këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesave 150-300 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, 4 celularë dhe një tablet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Lini një Përgjigje