TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Shtator 2024, 17:15

Aksioni për arrestimin e Marklen Hakës, publikohen pamjet kur RENEA mësyn në banesën e 33-vjeçarit (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Aksioni për arrestimin e Marklen Hakës, publikohen pamjet kur RENEA

Policia ka publikuar pamjet e arrestimit të Marklen Hakës në banesën e tij në Nikël.

Zbathur, me bluzë të bardhë dhe me pantallona të shkurtra, Marklen Haka ka qenë në oborrin e banesës në momentin që i janë vënë prangat.

Në videon e policisë shihet momenti kur forcat e policisë RENEA e shtrijnë për tokë dhe arrestojnë të shumëkërkuarin.

“Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.

Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.

Operacioni u kodua "Liqeni i Bacungut".

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, për veprat penale "Vrasja me paramendim", e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grup i strukturuar kriminal", dhe "Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale", parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit penal, "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", në dëm të shtetasit D. B., kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grup i strukturuar kriminal", dhe "Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal", parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a e 334 të Kodit penal, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal”, njofton policia.

Lini një Përgjigje