
Policia ka ndërmarrë sot një operacion të gjerë në qarkun e Elbasanit, duke goditur disa grupe që dyshohen për aktivitet kriminal. Burime zyrtare konfirmojnë se aksioni është shtrirë në shtatë bashki të qarkut dhe ka çuar në arrestimin e 30 personave.
Të ndaluarit janë transferuar në qelitë e paraburgimit në Tiranë, ku do të qëndrojnë në pritje të hetimeve. Gjykata e Elbasanit ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Hetimet do të fokusohen në lidhjet e tyre të mundshme me veprimtari të organizuara kriminale.
Gjatë bastisjeve të kryera në 15 banesa janë sekuestruar armë zjarri dhe sasi të ndryshme lëndësh narkotike. Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi emrat e personave të përfshirë, por burimet thonë se bëhet fjalë për individë me precedentë penalë në fushën e trafikimit dhe mbajtjes së armëve pa leje.
Ky është një nga operacionet më të mëdha të zhvilluara muajt e fundit në Elbasan, një qark që shpesh është përmendur për ndikimin e grupeve kriminale në jetën ekonomike e politike lokale. Autoritetet paralajmërojnë se aksione të ngjashme do të vijojnë, me synim çmontimin e rrjeteve të paligjshme që kanë shtrirje në të gjithë vendin.
Lini një Përgjigje