Një fëmijë humbi jetën dhe gjashtë persona u plagosën rëndë në një aksident ku u përfshinë tre automjete të dielën, 13 gusht rreth orës 3 të mëngjesit.
Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës bregdetare të Adriatikut, pranë Orašac, afër Raguzës (Dubrovnikut), njoftoi Shtabi i Policisë së Raguzës dhe Nerentës.
Policia njofton se aksidenti i rëndë ka ndodhur kur një shqiptar 33-vjeç, duke drejtuar një makinë me targa italiane në drejtim të Raguzës, ka kaluar në korsinë e hyrjes dhe ka përplasur një makinë me targa gjermane e drejtuar në drejtim të kundërt nga një 20-vjeçare gjermane.
Më pas ka goditur një veturë me targa sllovene, në timonin e së cilës ishte një shtetas kosovar 50-vjeçar.
Si pasojë e aksidentit të rëndë humbi jetën 6-vjeçarja shqiptare e cila ndodhej në makinën e 33-vjeçarit shqiptar, ndërsa tre pasagjerë të të njëjtit mjet, të gjithë shtetas shqiptarë, kanë pësuar lëndime të rënda.
Lëndime të rënda trupore ka pësuar edhe drejtuesi i veturës me targa sllovene dhe dy pasagjerë në bord, mes tyre edhe një i mitur, të gjithë shtetas kosovarë.
Trupi i pajetë i fëmijës së ndjerë është transportuar në Repartin e Patologjisë në spitalin e Raguzës, ku do të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar në spitalin e Raguzës.
Sipas raportit të policisë, drejtuesit e të katër makinave të përfshira në aksident kanë rezultuar negative pas testit të alkoolit.
Lini një Përgjigje