
Gjykata e Fierit ka dënuar me burg një tutore, e cila shfrytëzonte për prostitucion një shtetase në ambientet e lokalit të saj të marrë me qira të ndodhur në lagjen “Apollonia”.
Raportohet se tutorja me inicialet Y.XH ushtronte këtë veprimtari me klientët e lokalit kundrejt shumës 3000 deri në 5000 lekë.
Ajo u shpall fajtore për ‘Shfrytëzimi i prostitucionit’ dhe ‘Mbajtja e lokaleve për prostitucion’, dhe u dënua nga togat e zeza me 4 vite burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 3.4 vite burg.
Ndërsa shtetasja me iniciale H. O., u dënua me 1 vit burg për kryerjen e veprës penale “Prostitucioni”, por përfundim nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 8 muaj.
Gjykata vendosi të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim, për pjesën e pavuajtur të dënimit për të pandehurën H.O duke e vënë në provë për 16 muaj me kusht që gjatë afatit të provës mos të kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës, Dega Territoriale Fier.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Y.Xh. dhe H.O. për veprat penale ‘Shfrytëzimi i prostitucionit’ dhe ‘Mbajtja e lokaleve për prostitucion’ parashikuar nga neni 114/1 dhe 115 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të kryera duke përdorur metoda proaktive mbi procedimin penal nr.294, regjistruar mbi bazën e materialit kallëzues dërguar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, më datë 30.11.2022, rezultoi se shtetasja Y.XH, në ambientet e lokalit të saj të marrë me qera të ndodhur në lagjen “Apollonia”, Fier ka shfrytëzuar për prostitucion shtetasen H.O, ku kjo e fundit ushtronte këtë veprimtari me klientët e lokalit kundrejt shumës 3.000-5.000 lekë.
Me vendimin nr.62-2024-41-58 (606) datë 29.07.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vendosi:
Deklarimin fajtor të pandehurës Y.Xh për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe në bazë të nenit 114/1 të K.Penal dënimin e saj me 4 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurës Y.Xh për kryerjen e veprës penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe në bazë të nenit 115 të K.Penal dënimin e saj me 2 vjet burgim.
Në bazë të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, e pandehura Y.Xh dënohet me 5 vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale të pandehurës Y.XH i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht dënohet me 3 vjet e 4 muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit.
Deklarimin fajtor të të pandehurës H.O për kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” dhe në bazë të nenit 113/1 të K.Penal dënimin e saj me 1 vit burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale të pandehurës H.O i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht dënohet me 8 muaj burgim.
Në bazë të nenit 59 të K.Penal, të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim, për pjesën e pavuajtur të dënimit për të pandehurën H.O duke e vënë në provë për 16 muaj me kusht që gjatë afatit të provës mos të kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës, Dega Territoriale Fier.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve”, njoftoi Prokuroria.
Lini një Përgjigje