
Edi Rama nuk humb asnjë minutë në lidhje me Erion Veliajn. Pasi urdhëroi shkarkimin e tij nga detyra e Kryetarit të Bashkisë dhe zyrtarizoi procesin në më pak se 48 orë, Kryeministri ka njoftuar KQZ-në për vendin vakant të krijuar në Bashkinë e Tiranës. Në këtë mënyrë, Babloku kërkon zgjedhje në Bashkinë e Tiranës me çdo kusht, madje pa pritur procedurat e ankimimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetari i shkarkuar i bashkisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke e përshkruar procesin si jokushtetues dhe të paligjshëm, ndërsa Gjykata Kushtetuese caktoi urgjentisht një relator për çështjen.
Duket se i gjithë procesi që lidhet me Erion Veliajn po ecën me një shpejtësi marramendëse, ku gjithçka duket e drejtuar me kujdes dhe në sinkron të plotë me lëvizjet e Edi Ramës.
Kështu filloi procesi dhe duket se kështu po mbaron. Rama, në Asamblenë e PS-së, të cilën e mblodhi për të prezantuar ministrat e rinj më 11 shtator, udhëzoi shkarkimin e Erion Veliajt, ndërsa nxitoi të emëronte Ogerta Manastirliun si kandidate të PS-së për kryetar bashkie.
Pastaj pati lëvizje intensive nga Rama drejt këshilltarëve bashkiakë socialistë, të cilët i rreshtuan për të nënshkruar kërkesën dhe më pas për të votuar për shkarkimin e Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë.
Pa humbur kohë, Rama mblodhi qeverinë dhe miratoi vendimin e shkarkimit, ndërkohë që nxitoi të njoftonte edhe KQZ-në për vakancën.
Qeveria ka njoftuar KQZ-në për vendimin e 25 shtatorit për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Dokumenti u depozitua në KQZ më 25 shtator, ditën kur u vendos shkarkimi, por po bëhet publik sot vetëm pak orë pasi Veliaj e apeloi vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.

“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25.09.2025, ju informojmë se vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Nuk dihet nëse, pas kësaj letre, KQZ-ja do t’i vazhdojë procedurat shpejt, siç bëri Edi Rama, apo do të presë për të parë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese.
Lini një Përgjigje