TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Prill 2025, 12:05

"Viola Green", kompania mafioze që pastron qytetin, por ndot shtetin

Shkruar nga Arben Llangozi
"Viola Green", kompania mafioze që pastron qytetin, por ndot
Selfo Kapllani-Kreshnik Hajdari

Skema nuk përfundon me Selfo Kapllanin. Kur ai largohet nga detyra, pasardhësi i tij, Kreshnik Hajdari, vijon të bashkëpunojë me të njëjtën kompani.

Në dukje, është një kompani pastrimi. Me një emër që ngjall ndjesinë e gjelbërimit dhe ekologjisë – Viola Green. Por pas kësaj fasade fshihet një rrjet i errët interesash, që shtrihet nga administrata publike, te biznesi privat dhe në thelb, te ajo që quhet “kapje e shtetit”.

Pak muaj më parë, publiku u njoh me arrestimin e Marsel Shegës, një emër i listuar si administrator i kësaj kompanie. Arrestimi nga SPAK u përshëndet si një goditje ndaj mafies së kontratave publike.

Por ajo që është për të ardhur keq – dhe nëse nuk trajtohet, për të pasur frikë – është se kjo ishte vetëm një maskë. Një veprim sipërfaqësor, që lë të paprekur strukturën e vërtetë që qëndron pas kësaj skeme shumë më të gjerë.

Rrënjët politike të kompanisë shkojnë te themelimi i kësaj kompanie nga mafiozi Selfo Kapllani, koordinator i partisë Socialiste në qytetin e Kuçovës.

Viola Green nuk është një subjekt i lindur në një garë të ndershme tregu. Ajo është themeluar gjatë kohës kur Selfo Kapllani mbante postin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Pikërisht në këtë periudhë, kjo kompani fiton tenderin e pastrimit të qytetit, një kontratë e rëndësishme financiare, dhënë në kushte që mbeten të paqarta dhe që për shumë burime konsiderohen si rezultat i një favorizimi të qëllimshëm.

Administrator aktual i kompanisë është Sherif Kapllani – as më pak, as më shumë, djali i xhaxhait të vetë Selfo Kapllanit. Pra, një lidhje e drejtpërdrejtë familjare. Ky fakt është kyç dhe duhet të kishte ndezur të gjitha alarmet në institucionet hetimore dhe auditimet publike, veçanërisht për shkak të dyshimeve se Selfo Kapllani, megjithëse nuk figuron zyrtarisht, është ortak i fshehur në këtë kompani.

Ligjërisht, ky është një konflikt interesi flagrant, i ndaluar nga ligji shqiptar për funksionarët publikë. Ligji për konfliktin e interesit, parashikon se çdo zyrtar publik nuk duhet të përdorë funksionin për të përfituar personalisht apo në mënyrë të tërthortë për të afërmit e tij. Çfarë ndodhi në këtë rast? Heshtje. Kontratë e dhënë. Punë e siguruar. Asnjë hetim ndaj dhuruesit të kontratës.

Nga një kapllan te tjetri – vazhdimësia e ndikimit

Skema nuk përfundon me Selfo Kapllanin. Kur ai largohet nga detyra, pasardhësi i tij, Kreshnik Hajdari, vijon të bashkëpunojë me të njëjtën kompani. Në vend që të shpallë një tender të ri, të verifikojë ligjshmërinë e kontratave, ai zgjedh rrugën më të shkurtër: të vazhdojë bashkëpunimin me një subjekt që tashmë është nën hije të thella dyshimi.

Pse ndodh kjo? A ka presion? A ka interesa të fshehura? Apo thjesht, e gjithë bashkia është kthyer në një nyje të lidhjeve klienteliste që përdorin kompanitë si Viola Green për të ricikluar paranë publike drejt xhepave privatë?

Për çudi – ose ndoshta jo – të gjitha këto nuk janë bërë ende objekt hetimi të thelluar. SPAK, megjithëse ka ndërmarrë arrestimin e një administratori të vetëm, nuk ka bërë asnjë veprim për të sekuestruar kompaninë. Nuk ka zbuluar strukturën reale të pronësisë. Nuk ka pyetur se si është ndarë fitimi. Nuk ka thirrur për të dëshmuar Selfo Kapllanin. Nuk ka analizuar lidhjet me drejtuesit aktualë të bashkisë.

Kjo është një mangësi serioze në veprimtarinë hetimore dhe lë të kuptohet se drejtësia po ndalet aty ku fillojnë emrat politikë. Dhe kjo nuk është drejtësi, por një version i deformuar i saj.

Pyetjet që presin përgjigje.

Pse SPAK nuk ka thirrur për hetim Selfo Kapllanin dhe Kreshnik Hajdarin?

Pse nuk është hetuar zinxhiri i favorizimeve në kontratat publike për pastrimin e qytetit?

Pse nuk është hetuar lidhja familjare midis administratorit dhe ish-kryetarit të bashkisë si një provë e qartë e konfliktit të interesit?

A janë kontrolluar pasuritë e përfituara nga kjo kompani dhe a janë krahasuar me të ardhurat e deklaruara?

A është zbatuar ligji për deklarimin e përfituesve përfundimtarë të kësaj kompanie?

Në këtë rast kemi të bëjmë me ndotje morale dhe politike të cilat nuk pastrohen pa hetim të thelluar.

Ky nuk është vetëm një rast i dyshimtë tenderësh. Ky është një test për demokracinë lokale. Një provë për funksionimin real të shtetit ligjor në nivel vendor. Dhe më shumë se kaq – është një pasqyrë e mënyrës si rrjeti politik-financiar manipulon sistemin për të vjelë përfitime private me para publike.

Nëse nuk merret seriozisht, Viola Green nuk do të jetë një përjashtim. Do të jetë modeli që ndjekin kompani të tjera të krijuara nga njerëz të politikës, të mbuluara me emra të bukur dhe që pastrojnë qytetet, por ndotin themelet e shoqërisë sonë.

Ka ardhur koha që drejtësia të mos ndalet te "sakrificat e vogla". Ka ardhur koha që të shkohet te burimi i së keqes – aty ku pushteti bëhet para dhe paraja, krim.

Lini një Përgjigje