
Ngjarja po bën pis edhe drejtësinë shqiptare, që në rastin e trajtimit të kësaj ngjarjeje, madje qysh me veprimet e para të policisë, ka dhënë e po jep shenja se është duke u bërë palë me të akuzuarin për vdekjen e 3-vjeçarit...
Dy ditë më parë, më 15 janar 2024, mediat publikuan një dokument zyrtar që vërtetonte se klinika, ku kreu ndërhyrjen stomatologjike, për të humbur më pas jetën, vogëlushi 3-vjeçar, Brian Spahiu, ishte e palicensuar.
Lajmin e emetuan një shumicë mediash, por, mesa duket dhe për fat të keq, jo të gjithë e kuptuan peshën e dokumentit dhe dritën që hedh për një konceptim të ri të ngjarjes.
Më konkretisht, sipas kësaj të dhëne të re, mjeku anestezist Roland Xhaxho dhe e bija stomatologe, në klinikën e tyre kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale të paligjshme dhe, në rastin e 3-vjeçarit, mund të thuhet, edhe ndërhyrje kriminale.
Kriminale, sepse kanë kryer me dashje një aktivitet të paligjshëm që nuk ka lidhje as me mbjelljen e patateve apo kontrabandën e specave, por që ka lidhje me jetën e njerëzve.
Fakti i ri vërteton se strukturat e shtetit nuk e kanë pajisur klinikën me licencë, madje për vite me radhë, për arsye se nuk kanë qenë të bindur se ajo përmbushte kriteret mjekësore e, mes të tjerash, sepse nuk kishte një repart reanimimi.
Strukturat e shtetit nuk i kanë besuar klinikës kryerjen e stomatologjisë kirurgjikale, pasi nuk janë bindur se pacientët do të kishin aty të gjitha kushtet që garantonin shëndetin dhe jetën e tyre.
Për pasojë, për shkak të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, vjen humbja e jetës së Brianit 3-vjeçar që, para së gjithash, vërtetoi refuzimin e strukturave të shtetit për të pajisur me licencë klinikën.
Pikërisht për këto arsye, kjo e dhënë e re, duhet të shkundte Prokurorinë e përgjumur të Tiranës drejt ndërtimit të një akuze të ndryshme, pasi, me shumë gjasa, tashmë nuk jemi më përpara faktit të një “vrasjeje të kryer nga pakujdesia”.
Tashmë mund të jemi përpara një vepre penale të bërë me dashje, me qëllimin për të fituar të holla. Sigurisht që autori nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojës, por atë e kanë sjellë veprimet e tij të paligjshme.
Po gjatë datës 15 janar 2024, mediat publikuan një tjetër lajm që thoshte se familjarët e 3-vjeçarit kanë kërkuar përjashtimin e prokurores së çështjes, Alma Felaj, pasi dyshojnë për veprimeve të njëanshme.
Gjithë debati është kanalizuar, edhe mediatikisht, në faktin se përse familjarët nuk dëshirojnë të bëhet një akt-ekspertimi nga ekspertë të huaj?
Familjarët, në konsultë me avokatin thonë: “Nuk kemi përse të kërkojmë riekspertim për sa kohë konkluzionet e akt ekspertimit të parë janë korrekte. Ky akt vërteton atë që ne kemi pretenduar, që shkaku i vdekjes është lënda anestezike dhe për këtë arsye, nuk kemi pse kërkojnë riekspertim. Riekspertim prokuroria duhet ta kërkojë kur konkluzionet e aktit fillestar të mos e kenë përcaktuar shkakun e vdekjes.”
Dihet se ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka thënë fjalën e tyre të qartë dhe të plotë qysh në aktin e parë zyrtar. Ata kanë shkruar, e zeza mbi të bardhë: “Shkaku i vdekjes së shtetasit Brian Spahiu ka qenë dhënia e lëndës anestezike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”.
Duke qenë të bindur se ky akt i parë i Mjekësisë Ligjore është krejt i rregullt, familjarët kanë nisur të dyshojnë se, prokurorja e çështjes, ka hedhur idenë e një ekspertize të huaj, vetëm me qëllim që t'i vijë në ndihmë mjekut të akuzuar – një ndjesi që ka ardhur duke ju përforcuar dhe shtyrë për takimin me kryeprokurorin e Tiranës.
Sipas familjarëve të viktimës, prokurorja e çështjes ka pretenduar se ekspertiza e parë nuk është e rregullt, pasi nuk është përcaktuar sasia e narkozës në trupin e të miturit. Por, sipas mjekëve, narkoza nuk është një substancë së cilës i matet sasia me analiza. Ajo matet me sasinë e dëmeve që ka shkaktuar në organe, sidomos në mëlçi.
Më tej, sipas familjarëve, palë e pakënaqur me rezultatin e aktit të ekspertimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nuk i takon të jetë Prokurorja. Vetëm ajo nuk bindet të kuptojë konkluzionin e aktit të ekspertimit, që është e zeza mbi të bardhë. Sigurisht që konkluzionet e këtij akt-ekspertimi nuk i pëlqejnë as Xhaxhos dhe miqve të tij. Dhe, në këtë pikë, është tepër e dyshimtë se si prokurorja shfaqet në një mendje me Xhaxhon.
Familjarët thonë se janë këshilluar me juristë dhe kanë mësuar se riekspertimi jashtë vendit bëhet vetëm në kushtet kur të jenë ezauruar ekspertimet brenda vendit.
Po kështu, familjarët pretendojnë se Pprokurorja nuk u ka dhënë informacion të besueshëm për ekzistencën e një ekspertize të dytë, që ndryshe quhet “akt-ekspertize shtesë” dhe që përpilohet me qëllim që të plotësohet akti i parë i ekspertizës nga pikëpamja e shkeljeve ligjore.
Por, akuzat e familjarëve ndaj prokurores, për mbajtje sekret të akteve të patjetërsueshme të hetimit, me përmbajtjen e të cilave e ka detyrim ligjor që t'i njohë, këtu vetëm nisin.
Ata thonë se ajo nuk i ka njohur me asnjë akt-ekspertimi, me asnjë analizë, asnjë kartelë mjekësore, përfshirë atë të dy procedurave të dhënies së narkozës, pretednojnë se Prokurorja ka fshehur faktin që mjeku Xhaxho nuk kishte licencë për klinikën, madje edhe se i ka gënjyer duke u thënë se “e kishte verifikuar”.
Se ajo i ka gënjyer edhe për sekuestrimin e telefonit të mjekut Xhaxho, se kanë qenë krejtësisht dyshues kur kanë mësuar se, në pamjet e kamerave të sigurisë, mungonte vetëm pjesa e operacionit të Brianit, e të tjera.
E, në gjithë këtë lojë, së shumti të heshtur, ajo që bie në sy është një tendencë e gjerë edhe e padukshme, që lëviz tinëz në errësirë, më qëllim që të shpëtojë nga përgjegjësia e rëndë ligjore një mjek të njohur anestezist.
Një lojë e pa zë, që po bën pis dhe përlyen, me gjakun e një fëmije 3-vjeçar, një pjesë të mirë tonën.
Së pari po nxin një mjek anestezist, që me sytë e errësuar nga përfitimi monetar, ka futur në narkozë gjenerale një fëmijë tre vjeç, në një kohë kur mjekësia botërore e ka shmangur prej vitesh këtë metodë pikërisht për shkak të fataliteteve.
Në vitin 2013, një studim i Universitetit të Uashingtonit zbuloi 44 raste në 30-vite, të vdekjes së pacientëve pas anestezisë gjenerale. Shumica ishin të moshës 2-5 vjeçarë. https://www.nytimes.com/2017/08/24/well/family/should-kids-be-sedated-for-dental-work.html
Po e nxin se ka bërë një faturë të fryrë 700 euroshe për operimin e 14 dhëmbëve në një kohë që fëmija ankohej për dhimbje vetëm në njërin. Se i ka dhënë narkozë në dy raste: në mëngjes - në fillim të operacionit dhe afër drekës, pasi e para i ka dalë, duke faturuar dhe futur në xhep, në të dyja rastet, nga 300 euro.
Se, pas rreth 9 orësh, ua ka dorëzuar fëmijën prindërve, kur sipas të gjitha protokolleve mjekësore duhet ta reanimonte në klinikë për të paktën 24 orë. Mungesa e ambientit të reaminacionit, për shërbime dentare me anestezi, konsiderohet kriminale, pasi mjekët nuk kanë mundësi t'i japin ndihmë pacientit nëse, gjatë anestezisë, ai paraqet komplikacione me shëndetin.
Po e nxin për faktin se ka gënjyer publikisht që ua dorëzoi fëmijën prindërve në gjendje të mirë shëndetësore, dhe se, pas përkeqësimit, nuk u ka hapur telefonin.
Ngjarja po bën pis edhe drejtësinë shqiptare, që në rastin e trajtimit të kësaj ngjarjeje, madje qysh me veprimet e para të policisë, ka dhënë e po jep shenja se është duke u bërë palë me të akuzuarin për vdekjen e 3-vjeçarit.
Ajo po bën pis jo vetëm një pjesë të mirë të mediave, që nuk e pasqyrojnë fare, por edhe gjithë pjesën tjetër që mjaftohet, kohë pas kohe, me ndonjë reklamim të familjarëve, të cilët po mbajnë gjithë barrën e kostove të betejës së vetmuar.
Një ngjarje e tillë, në çdo vend të botës me media të përgjegjshme, do të trajtohej vijimësisht me peshën e lajmit të parë, duke realizuar një opinion-ngjizje informative mes shoqërisë e për pasojë edhe mes aktorëve që lidhen dhe e ndikojnë.
Po bën pis edhe një pjesë të mirë të shoqërisë, e cila herë shfaqet e ngurtë, pasi nuk u ka ndodhur fëmijëve të tyre, e herë e parcelizuar, pas ca sinjaleve, të lëshuara me takt kriminal, nga sharlatanë partiakë.
E në këtë mënyrë, gjaku i atij fëmijës 3-vjeçar, që deri në orën 9 të mëngjesit luajti e ju gëzua jetës me bashkëmoshatarët, ndërsa në orën 10 i mbushën mendjen t'i bënin një gjilpërë, “që nuk do t'i dhimbte fare”, është duke na përlyer të gjithëve.
Lini një Përgjigje