
Dështimi për të siguruar kufijtë dhe frenimi i tregtisë së paligjshme, është i dëmshëm për Evropën në tërësi, pavarësisht nëse pikat e hyrjes janë Ballkani apo diku tjetër...
Një kontrabandist i paidentifikuar që vepronte në kufirin midis Rumanisë dhe Ukrainës, pranoi të fliste për një media lokale disa vite më parë, duke rrëfyer diçka që të gjithë e dinin tashmë, pra që varfëria flet vetë.
“Për sa kohë që njerëzit mbeten të varfër, kërkesa për cigare kontrabandë nuk do të zhduket kurrë. Dhe as ne nuk do të ndalemi në aktivitetin tonë”- tha ai. Nga Greqia në Rumani, tregtia e mallrave të paligjshme është dëshmuar vazhdimisht si një rrezik social, ekonomik dhe sigurie për të gjithë rajonin.
Ballkani Perëndimor, ka qenë prej kohësh pjesë e një rruge përmes së cilës mallrat kontrabandë, dhe veçanërisht cigaret, shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Të dhënat e fundit, kanë zbuluar se rreth 11 për qind e duhanpirësve në rajonin e Ballkanit, blejnë produkte të duhanit në tregun e zi.
Për shembull, Mali i Zi, ka një rekord prej 27.9 për qind të duhanpirësve në vend, që mbështeten tek produktet e kontrabandës së duhanit. Në total 581.000 njerëz në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, blejnë cigare në tregun e paligjshëm.
Ish-presidenti malazez Milo Gjukanoviç, i cili sundoi vendin e vogël ballkanik për gati 3 dekada, dyshohet se ka krijuar një pasuri të madhe me anë të kontrabandës së cigareve gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.
Rreziqe shëndetësore
Tregtia e paligjshme ka shumë pasoja negative. Produktet e falsifikuara dhe kontrabandë të duhanit në treg, paraqesin një rrezik më të madh për shëndetin sesa duhani i shitur në mënyrë të rregullt.
Aktivitetet e kontrabandës, janë të lidhura me aktivitete të tjera të ndryshme kriminale dhe rreziqet e sigurisë që dalin nga rrugët e përdorura nga kontrabandistët për të futur mallrat në këto vende. Dhe ky fenomen nuk është aspak i kufizuar vetëm në Ballkan. Pikat e hyrjes së këtyre produkteve në BE janë të shumta. Për shembull, Franca ka luftuar për shumë vite fluksin e cigareve ilegale që hyjnë nga Algjeria. Porti i Antverpit në Belgjikë, i dyti më i madh në Evropë, është përdorur gjithashtu për të futur mallra të paligjshme në kontinent.
Por një nga rajonet më fitimprurëse gjatë dekadës së fundit për kontrabandistët e duhanit, është në kufirin lindor të BE-së dhe rajonin ngjitur me të. Për shkak të vendndodhjes së saj, Greqia ka qenë prej kohësh një pikë hyrëse për mallrat kontrabandë në Evropë.
Në fund të vitit të kaluar hetuesit sekuestruan një sasi të madhe duhani kontrabandë me vlerë 13 milionë euro. Kreu i rrjetit me bazë në Greqi, drejtonte operacione në 10 vende dhe grumbullonte miliona euro fitime të paligjshme.
Tregtia e paligjshme, po i kushton qeverisë greke rreth 624 milionë euro në vit, ku 1 në 4 cigare që pihen nga konsumatorët trafikohet ilegalisht. Ndërkohë Bullgaria është vendi më i rëndësishëm në rajon për këtë trafik. Ajo ka hyrje dhe dalje të konsiderueshme të produkteve të paligjshme të duhanit.
Në vitin 2021, 200 milionë cigare të falsifikuara dhe kontrabandë u konsumuan nga duhanpirësit bullgarë. Kjo i kushton qeverisë bullgare rreth 25 milionë euro në vit.
Tani ky vend po përpiqet të frenojë tregtinë e paligjshme të cigareve elektrike.
Që nga fillimi i vitit, autoritetet kanë sekuestruar mbi 40.000 pajisje të paligjshme, por kjo me sa duket është vetëm maja e ajsbergut. Zyrtarët në Bullgari, po kërkojnë të ndalojnë tërësisht produkte të tilla. Përmirësimi i policisë kufitare dhe zbatimi i kontrolleve më të rrepta, mund të kenë një efekt në frenimin e tregtisë së paligjshme. Por një ndalim i mundshëm me ligj, mund të çojë në më shumë tregti të paligjshme dhe tek një pjesë më e madhe e produkteve të rrezikshme për shëndetin. Njerëzit ka të ngjarë të kërkojnë alternativa që janë të disponueshme në tregun e zi.
Kufijtë e depërtueshëm, rrezik për sigurinë
Vendi fqinj me Bullgarinë, Rumania ka problemet e veta. Tregtia e paligjshme është biznes i madh në rajonin lindor të Rumanisë, një nga më të varfrit në BE, sidomos në zonat në kufi me Ukrainën dhe Moldavinë. Të dhënat e viteve të fundit, tregojnë se 1 në 10 cigare që hyjnë kontrabandë në BE pihet në Rumani.
Në shtatorin e vitit 2024, tregu i zi përbënte 8.6 për qind të tregut në total. Për ata që jetojnë pranë kufijve lindorë të vendit, kontrabanda e cigareve është kthyer në një mënyrë jetese. Por atje, problem nuk është vetëm kontrabanda e duhanit, por edhe me rrugët që përdorin këta kontrabandistë.
Kësisoj, duke çelur rrugë të reja për aktivitete kriminale, dhe mënyrën se si kjo po ndikon në krahun lindor të NATO-s. Sepse këto rrugë përdoren jo vetëm nga kontrabandistët, por edhe nga grupe të ndryshme të krimit të organizuar, duke e dobësuar kufirin e BE-së në kohën e konfliktit.
Ndërkohë ka një shpërdorim të madh të fondeve publike. Sipas Stop Contrabanda, një faqe interneti që monitoron rastet e kapjes së cigareve kontrabandë, Rumania humbet të paktën gjysmë miliardë euro në vit vetëm nga ky aktivitet i paligjshëm, para që mund të kishin shkuar në arkën e shtetit.
Përveç parave të shpërdoruara, teksa në vendin fqinj në lindje vazhdon lufta prej 3 vitesh, siguria është një shqetësim në mendjen e të gjithëve. Edhe Ukraina, fqinji i Rumanisë, po humb gjithashtu paratë e nevojshme për rindërtimin, pikërisht për shkak të tregtisë së paligjshme.
Sipas GLOBSEC, një institut studimor në Ukrainë, tregtia e paligjshme e duhanit solli vetëm në vitin 2022 një humbje në të ardhura prej 20.5 miliardë hryvnia (505 milionë euro) në taksa të papaguara ose kamatëvonesa.
Dështimi për të siguruar kufijtë dhe frenimi i tregtisë së paligjshme, është i dëmshëm për Evropën në tërësi, pavarësisht nëse pikat e hyrjes janë Ballkani apo diku tjetër. Një kufi lehtësisht i depërtueshëm nga aktivitete të tilla, në krahun lindor të NATO-s dhe krahun lindor dhe juglindor të BE-së është shumë i rrezikshëm në një kohë lufte. Prandaj ekziston nevoja e madhe për më shumë unitet në luftën kundër këtij fenomeni./Pamfleti nga “Emerging Europe”
Lini një Përgjigje