TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Maj 2025, 10:52

Si mund ta shpëtojë Rusinë një gjykatë për krimet e Putinit

Shkruar nga Elena Davlikanova

 

Si mund ta shpëtojë Rusinë një gjykatë për krimet
Vladimir Putin /

Nëse telefonata Trump-Putin do të çojë në një takim kokë më kokë midis të dyve në të ardhmen, kjo mund të shënojë një ndryshim në peizazhin diplomatik. Por pa një rrugë paralele drejt drejtësisë, edhe nëse vjen, paqja do të mbështetet në një terren të brishtë. Gjykata Speciale mund të ndihmojë jo vetëm në shpëtimin e Ukrainës, por edhe në shpëtimin e Rusisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe ai rus Vladimir Putin, zhvilluan të hënën një telefonatë të drejtpërdrejtë midis tyre, për të diskutuar perspektivat e dhënies fund të luftës së paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.

Trump tha se Rusia dhe Ukraina, kishin rënë dakord që të fillonin negociatat për arritjen e një armëpushimi, dhe se ekziston një “mundësi e jashtëzakonshme” që vendi të bëjë tregti me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, jo të gjithë janë kaq të etur ta mirëpresin Rusinë sërish në bashkësinë ndërkombëtare. Në të njëjtën ditë që Rusia shënoi Ditën e Fitores me parada ushtarake më 9 maj, ministrat e jashtëm evropianë u mblodhën në Lviv për të miratuar krijimin e një Gjykate Speciale për krimin e agresionit kundër Ukrainës.

Pesë ditë më vonë, organi vendimmarrës i Këshillit të Evropës ndërmori hapa zyrtarë për të çuar përpara krijimin e gjykatës. Pas një kërkese zyrtare nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, Alain Berset, u ngarkua me detyrën e drejtimit të procesit.

Kjo lëvizje shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë. Sigurisht, gjykata nuk do të zëvendësojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar tashmë një urdhër arresti për Putinin për deportimin me dhunë të fëmijëve ukrainas.

Në vend të kësaj, ajo synon të mbushë një boshllëk që Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund ta mbushë, pasi infrastruktura e saj aktuale ligjore është e pamjaftueshme për të ndjekur penalisht krerët e shteteve në detyrë për shkelje të Kartës së OKB-së me krimin e agresionit.

Ndërsa pjesa më e madhe e diskutimit rreth gjykatës, është përqendruar te llogaridhënia, parandalimi dhe tek përpjekjet për të rivendosur respektin për të drejtën ndërkombëtare, pasojat e saj për Rusinë mund të jenë po aq të rëndësishme.

Ndjekja penale e udhëheqjes ruse, nuk ka të bëjë thjesht me ndëshkimin. Ajo Mund t’i ofrojë vendit një shans për t'u shkëputur më në fund nga një cikël pandëshkueshmërie që ka formësuar historinë e tij moderne.

Pa trajtuar kulturën politike që mundëson luftërat e pushtimit, shtypjen dhe krijimin e miteve, Rusia ka të ngjarë të riprodhojë të njëjtat modele, me viktima të reja brenda dhe jashtë vendit.

Organizata për të drejtat e njeriut Memorial - aktualisht e ndaluar në Rusi, por ende aktive jashtë vendit - ka pranuar tashmë një nga problemet themelore të shoqërisë ruse: mos-kërkimin që autorët e mizorive të epokës sovjetike të mbahen përgjegjës pas vitit 1991 për krimet e tyre.

Ky mosveprim, argumenton Memorial, ndihmoi në rikthimin e autoritarizmit dhe dhunës shtetërore në epokën pas-sovjetike. Regjimi aktual e ndërton legjitimitetin e tij mbi narrativat e madhështisë historike dhe ndjenjat e pakënaqësisë, veçanërisht rreth fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Duke e rehabilituar stalinizmin, dhe duke i paraqitur konfliktet moderne në termat e “anti-nazizmit”, Kremlini e përdori historinë dhe kujtesën e agresionit nazist si një armë për të mbuluar veprimet e tij me justifikimin e mbrojtjes së qytetërimit rus.

Një gjykatë e tillë, jo vetëm që do të dokumentonte krimet, por do të formësonte edhe diskursin publik brenda Rusisë dhe më gjerë. Gjyqet e Nurembergut, nuk e eliminuan fashizmin në Gjermani. Por ato ndihmuan në diskreditimin e tij.

Ndaj një gjykatë për krimin e agresionit, mund të niste debate të ngjashme në Rusi rreth kostove të perandorisë, rolit të udhëheqësve politikë dhe kuptimit të përgjegjësisë kombëtare. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, kur brenda Rusisë kanë mbetur pak rrugë për diskutim të hapur.

Media e pavarur po shtypet, mendimi kundër me atë të regjimit kriminalizohet dhe shoqëria civile është e përçarë. Por siç e tregon historia ruse, kujtesa ka një gjysmë-jetë të gjatë. Një gjykatë mund të mos sjellë ndryshime brenda natës.

Por ajo mund të mbjellë farën për një rivlerësim afatgjatë. Shqyrtimi i së kaluarës ka shumë rëndësi për të ardhmen e Rusisë. Një shoqëri, e cila nuk diskuton kurrë se si fillojnë ose lejohen të vazhdojnë luftërat, është një e dënuar të përsërisë një cikël dhune.

Për këtë arsye, nxjerrja e zyrtarëve të lartë para drejtësisë për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë mund të shërbejë jo vetëm si një paralajmërim për agresorët e ardhshëm, por edhe si një mekanizëm mbrojtës për vetë Rusinë.

Kjo do të ndihmonte në çmontimin e idesë se madhështia matet me shkatërrimet dhe shtypjen, dhe do të rivendoste parimin, se pushteti duhet të japë llogari para ligjit ashtu si qytetarët e thjeshtë.

Lënia e lidershipit rus pa u ndëshkuar, do të konfirmonte precedentin se luftërat agresive mund të zhvillohen pa pasoja, ndërsa një udhëheqës autokrat është gjithnjë mbi ligjin. Kjo qasje jo vetëm që do ta trimëronte Moskën, por edhe shtetet e tjera revizioniste, të cilat po e vënë re pafuqinë e bashkësisë ndërkombëtare për të ndëshkuar shkeljet flagrante të sovranitetit dhe të drejtave të njeriut.

Nëse telefonata Trump-Putin do të çojë në një takim kokë më kokë midis të dyve në të ardhmen, kjo mund të shënojë një ndryshim në peizazhin diplomatik. Por pa një rrugë paralele drejt drejtësisë, edhe nëse vjen, paqja do të mbështetet në një terren të brishtë. Gjykata Speciale mund të ndihmojë jo vetëm në shpëtimin e Ukrainës, por edhe në shpëtimin e Rusisë./Pamfleti nga “The Moscow Times”

Shënim: Elena Davlikanova, është një bashkëpunëtore mbi çështjet e demokracisë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

gjykatë speciale në rusi krimet e putinit

Lini një Përgjigje

Forum