TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Mars 2023, 11:48

Shkodra, qyteti pa qenef dhe rikthimi i poetit persian Saadi Shirazi

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Shkodra, qyteti pa qenef dhe rikthimi i poetit persian Saadi Shirazi
Shkodra

Shkodrën e kanë sakatuar, duke e mjelë me duar të pista zyrtarët e mafiozët.

Qyteti i përplasjeve me diktaturën, mafien, budallenjtë ngjyra-ngjara të partive, hajdutët, është ende ajo “Bukuria që vret” e Migjenit. Ka Razëm plot oksigjen që çliron frymëmarrjen, por edhe astëm plot karbon që ta kufizon edhe ajrin ta jep me pikatore. Razma ka ikur për lesh që në kohërat kur hajduti kapte për zhelesh hajdutin jo vetëm në bjeshkë, por edhe në mes të Tiranë, edhe në Parlament. Razmën dhe gjithë pasuritë e këtij vendi, i kanë pushtuar një pakicë pushtetarësh, sa pjesa tjetër nuk ngopet as me ajër pa leje të pushtetit.

Ajo loja ‘kupa me kapak, kupa pa kapak’, nuk luhet nga fëmijët, por nga zyrtarët.

Ata afër qeverisë, cilësdo qeveri, ata afër pushtetit, cilitdo pushtet, gjithmonë e kanë kupën pa kapak; dikush fut garuzhdën, dikush grushtin. Tjerët, që nuk janë të fisit të hajdutëve, e kanë me kapak. As gishtin nuk e ngjyejnë dot.

Ashtu, me gisht në gojë, kërkojnë lëmoshë sa në Hanin e Hasan P*rdhës, sa në Sarajet e Sulltanit të Surrelit, ku “mëshira” dhe mrekullia e Djallit, shamatohen nëpër ca media që “medet për to”, të drejtuara nga ca idiotë milionerë, për votat e 14 majit.

E veçanta e ndeshjes në këto zgjedhje, nëse mbahen, pasi priten edhe zhvillime ndryshe, është se biletat nuk shiten, janë falë. Përveç se falë, shoqërohen edhe me një thes miell.

Edhe çmimi i jetës ka rënë në Shkodër. E sigurt, jeta kushton më pak se një parcelë hashash apo një biznes kriminal i një halabaku.

Po ku është morali?!

Njëri, kandidat Beneti, shihet me sy të keq, pasi është i të majtës dhe vjen me ferman të Sulltanit të Surrelit...

I pari, ka një emër, Bennet Beci.  I dyti mban dy emra, Djali i Alisë, nipi i Spahisë, stërnip i Kadisë, hyzmeqar i Salisë dhe Bulmeti i Mafies.

Pra, do mund të kishim titull shkrimi “Benneti dhe Bulmeti”, nëse nuk do të kalonte këtej poeti i famshëm pers Saadi Shirazit, me librin e bukur Gjylystani dhe Bostani. Saadi, është shumë i njohur në vendin e Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Migjenit dhe Frederik Reshpjes, ndaj bisedojmë me të edhe për moralin e pushtetit të këtij qyteti.

Meqë Saadi vjen nga shekulli i 13-të, menduam se do kënaqej nëpër Shkodër, edhe se do i pëlqente ky titull “Benneti dhe Bulmeti”

Dua ta shëtis me këmbë qytetin, ishte kërkesa e parë.

Sapo dolëm në sheher, thirrja e ezanit e uli në gjunjë.

-Bukur, Allahu qoftë me ju, sa herë në ditë këndon hoxha?

-5 herë miku. Kemi xhami çdo 200 metër dhe në çdo vakt sa mbaron njëri hoxhë fillon tjetri. Gjysmën e kohës kemi këngë për Allahun sa tundet qyteti.

-Mashallah, këto ndërtesat gjigande, të kujt janë, të amerikanëve?!

-Mazallah, amerikanët duan dollarë, janë të sheikëve, Sulltanëve, jeniçerëve, zabitëve, padishahëve e deri të ushtarëve besnikë dhe trima të Hyqymetit.

Tek ajo kafeja ku Nastradin Hoxha ka lidhur dikur gomarin, artikuloi pyetjen tjetër:

-Pse nuk nxjerrë rubineti ujë miku im?!

-Ah, pa problem Efendi, vonon disa sekonda sa të ndizet pompa?

-Kush është pompa, Allahu këtë vend e ka krijuar mes ujit, Drinit, Bunës, Kirit, liqenit.

-Efendi Saadi, është vogëlsi, në kat të dytë e lart, Shkodra i përdor pompat edhe si muzikë, bëjnë uu uuuum e trembin edhe ndonjë shkërbe, si me thënë hajdut pulash.

-Kështu po, mirë pasha Allahun, po ky Zabiti me askeri ku shkon?

-Në Rusin e Madh, por ai që prin, nuk është Zabit, është politikan, e ata pas nuk janë askeri, por gazetarë.

Efendi Saadiu u mendua pak dhe lëshoi dy vargje:

Si pjes’e një trupi mbi dhé njerëzit janë,

Se brumn’e krijimit të njëjtë e kanë.

Me këto dy vargje, i tha ik zhduku hutimit dhe u ftillua në bisedë. I shpjegova se Shkodra ka edhe Rus të Madh edhe Rus të Vogël, por nuk përzihen në luftë, thjeshtë kanë ndonjë drekë, se këtej gazetarët drekojnë me zyrtarët, marrin nga disa rroga, bëjnë lojëra fëmijësh, por kurrë një fjalë që vlen kundër tyre, se nuk duan konflikte Efendi.

-Allahu ju ndihmoftë, nuk na duhet as gjak, as ngatërresa, po këto hekurat si stërfyell, anash rrugës, ç’janë?!

-Mos u tremb, nuk ndezin?!

-Ëhë, kuptova, janë pishtarë për natën?

-Jo, semaforë e kanë emrin, por nuk bëjnë dritë, janë qorr?

-Mos pash Allahun, dalin femrat në semafor?!

-Jo, femrat për harem kanë të tjera vende, nëpër hane. Ja, ky këtu, është  Hani i Hasan P*rdhës...

 - Marshallah miku im, Shkodra qenka mrekulli, po këta burrat me kova boje që vizatojnë në tokë, ç’janë?!

-Ah po, cilido ka të drejtë të marrë furçën të vizatojë në rrugë vendin ku parkon makinën e vet, me leje të Padishahut, po titulli i shkrimit “Benneti dhe Bulmeti”, të pëlqen Efendi, se nuk e trajtuam?!

-Për titullin flasim më vonë, po ku të bëj shurrën më thuaj?!

-Ah Efendi, këtu ka një problem të vogël. Banjot janë bërë prona të hyqymetit, i kanë marrë Perandorët, Sulltanët, Padishahët, jeniçerët, hadrahët e hazretlerët. Duhet të pimë diçka në një mejhane që të kryesh nevojat personale.

-Allah, Allah, nuk paska ku shkon puna më keq, unë në shekullin e 13-të do i injoroja këta pushtetarë./Pamfleti

saadi shirazi shkodra qytetit pa qenef

Lini një Përgjigje