
Berisha gjithmonë ka qenë kampion në mitingje, por i dyti në votime. Berisha nuk dilte i pari as kur kishte Amerikën aleate, imagjinojeni tani që e ka armike. Fat i keq për ju, por shqiptarët janë pragmatistë dhe kanë nuhatje: Një ditë para zgjedhjeve, ata bëhen me fituesin sepse me ju e kuptojnë që vota ju shkon dëm. Më 15 maj, një ditë pas zgjedhjeve të parët që do ju shesin, janë ata që sot mbushën stadiumin...
Sot më dërgoi mesazh një mik i Berishës: “O Kreshnik Spahiu, a gjen në botë politikan si doktori, që ndonëse ka Amerikën kundër, median kundër, oligarkët kundër, partinë dhe bashkëpunëtorët e tij kundër dhe sërish ka mbushur stadiumin plot?”
E pash foton e Sali Berishës në stadium dhe më kapi e qeshura, sepse m'u kujtuan mitingjet e mia që mbushja sheshet dhe stadiumet, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë, Shkup, New York, Londër, por ditën e votimit ……..
Pasi u mendova i ktheva një përgjigje që ta lexonte miku im, por edhe doktori i tij i zemrës që mbushi sot stadiumin:
“I dashur X.X.
Urime për fushatën elektorale.
Dëshiroj me zemër që Arbana Osmani dhe Luizi të mos mbledhin më shumë njerëz sesa ju në finalen e Big Brother, që do mbahet më 7 Maj në stadiumin "Air Albania".
Sot në stadiumin 20.000 vendesh, ishin 15.000 pjesëmarrës për të prezantuar 61 kryetarë bashkish.
61 x 250 = 15.250
Konkluzioni: Çdo kandidat bashkie kishte marrë me vete në stadium 250 miq, shokë dhe mbështetës.
Efekti amerikan po bën punën e tij, por ju keni bërë llogaritë gabim:
1- Çdo lider botëror që ka shpallur Amerika "Non-Grata" ka pasur një rritje votash 2 vitet e para, por e ka ngrënë pas “qafe” shumë keq më vonë.
Kështu është rritur lideri serb Dodik në Bosnje.
Fillimisht u rrit me vota edhe Millosheviç, Kadafi, Sadam Hyseni, por pas disa vitesh i groposën politikisht dhe biologjikisht.
2- Media nuk është kundër Berishës, por e kundërta, 90% e gazetave dhe portaleve janë pro Berishës dhe Metës. Të ftoj ta hapësh TV në mëngjes dhe dëgjosh Bashkim Hoxhën: 90% e titujve të gazetave janë pro opozitës, grupit Berisha dhe kundër pushtetit.
3- Në vende si Shqipëria, Ballkani, Lindja, Afrika apo vendet arabe, sa më shumë qendron në pushtet aq më shumë mbështetje ke në popull dhe nuk konsumohesh. Berisha ka 33-vjet në pushtet dhe politikë e për këto arsye nuk mund krahasohet me nëpunësit apo aparatçikët e administratës së tij Bejko, Tabaku apo Alibeaj.
Pushteti i gjatë e rrit influencën dhe nuk ta dobëson.
4- Berisha dhe Meta po hedhin lekun letër në fushatē dhe nuk luajnë si të barabartë përballë fushatës së ndershme dhe modeste të Endri Shabanit, Arlind Qorrit apo Lajla Pernaskës.
Berisha dhe Meta po paguajnë më shumë euro sesa fushata e Manuel Macron në Francë.
5- Oligakët Berisha dhe Edi Rama i ndajnë bashkë. Çdo biznesmen e di rregulin e lojës:
70% tek Lala dhe 30% tek Sala. Për këto arsye mik i dashur: Duro edhe 5 javë. Efekti anti-amrikan është si helmi vdekjeprurës, që të ndjell me këngë e valle, por të palos për tokë me vonesë.
Suksesi në politikë nuk matet me mitingje, por me rezultatin e zgjedhjeve. Plumbi i parë rikoshet do jetë më 14 Maj, ndërsa “snajperit” amerikan do ja dëgjoni krismën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Berisha gjithmonë ka qenë kampion në mitingje, por i dyti në votime. Berisha nuk dilte i pari as kur kishte Amerikën aleate, imagjinojeni tani që e ka armike. Fat i keq për ju, por shqiptarët janë pragmatistë dhe kanë nuhatje: Një ditë para zgjedhjeve, ata bëhen me fituesin, sepse me ju e kuptojnë që vota ju shkon dëm. Më 15 maj, një ditë pas zgjedhjeve, të parët që do ju shesin, janë ata që sot mbushën stadiumin.
I dashur mik, ashtu siç më dërgove sot foton e stadiumit plot, pres të më dërgosh një foto nga oborri bosh para zyrave të Berishës mëngjesin e datës 15 Maj.
Mirupafshim dhe suksese në stadiumet e tjera!
Lini një Përgjigje