TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Mars 2025, 10:25

Politikan modern apo “mentalitet feudal”?

Shkruar nga Gëzim Tushi

Politikan modern apo “mentalitet feudal”?

Kemi tri dekada në demokraci dhe përballje me momentumin e hartimit të listave politike, që formulohen çdo katër vjet për zgjedhjet e përgjithshme politike, të shoqëruar gjithnjë me zemërime subjektive, qejfmbetje, dëshpërim emocional, “prerje në besën politike” etj...

Këto ditë të pas shpalljes së kandidaturave për deputetë, janë shfaqur disa fenomene sociale e patologji individuale, që burojnë nga konceptet e ngushta dhe tipologjia e deformuar në vite për mënyrën si zgjidhen e përzgjidhen kandidatët për deputetë dhe në përgjithësi për mënyrën si ndërtohen raportet personale dhe marrëdhëniet e “njeriut politik” me partitë politike dhe lidershipet e tyre. Pavarësisht dukjes, afishimit publik të procedurave statutore të aplikuara për procesin e përzgjedhjes, nuk janë shmangur ankesat për kulisa, pazare e padrejtësi politike nga njerëz të ndryshëm, sidomos personazhet konkurrencialë. Për fat të keq, nga shpërthimi i patologjik i disa të pakënaqurve (ata që u shfaqën qejfmbetur, janë fare pak në raport me ata, që atë e kanë në gjendje latante), shqiptarët kanë parë politikën të kthyer në “kino komedi”, në kinema, ku shfaqen shumë anomali subjektiviste të njeriut politik, që do të kapet me thonj pas karriges së deputetit.

Me gjithë kujdesin për t’i mbajtur të sheshuara apo nën surdinë konfliktet e brendshme të personalizuara, nuk u mbulua hapësira mediatike e publike e shfaqjes së pakënaqësive. Dhe sapo kjo “aspiratë” personale u “pre”, apo nuk u realizua sipas parashikimit subjektiv, ata shumë shpejt ndryshuan qëndrim, thelbin dhe shfaqjen e personalitetit të tyre politik, duke flakur pa shumë hezitim “pelerinën” e njeriut besnik dhe militantit të bindur, i njohur për unitet solid dhe uniformitet politik me partinë. Paradoksalisht dhe fare kollaj, në momentin që nuk e panë veten në listë, apo të vendosur në situatë kritike në strukturën e listave të hapura, e flakën partishmërinë e ngurtë në mënyrë flagrante, duke shfaqur qëndrime të “reja” politikisht eksentrike, duke u treguar “dvojnikun politik” që flinte brenda vetes dhe duke demonstruar blasfeminë e plangprishëse të raportit me partinë e tyre. Madje, ndonjëri duke e kapërcyer kufirin moral, duke “pështyrë” në pusin politik, aty ku për vite të tëra kanë marrë “ujë me bollëk”, më shumë për vete se sa për partinë, shoqërinë apo jetën publike. Në këtë komedi paraelektorale, nuk munguan nga aktorët e qejfmbetur e të “ofenduar” as pozat verbale narcistike, mburrjet për “heroizmat” që kanë bërë duke “vrarë goxillën”, duke i blatuar vetes në mënyrë naive e të sforcuar “merita historike” të qena apo të paqena, si gjysmë të vërteta apo krejt të sajuara, të improvizuara apo të imagjinuara nga halli personal.

Nuk është i vështirë identifikimi i tyre publik. Mjafton të lexoni statistikat e pakta të diskutimeve parlamentare apo të dhënat e audimetrit televiziv parlamentar, për të vlerësuar sasinë dhe cilësinë e kontributit politik, intensitetin kohor të pakët të angazhimit të tyre. Në të gjithë komponentët e jetës parlamentare, në komisione, në formatet e debateve parlamentare, në procesin e hartimit të ligjeve, politikave dhe strategjive, për të kuptuar se nuk janë pak ata që në këtë mandat që po mbyllet, më shumë kanë vegjetuar dhe mbase për mungesë të dijeve dhe aftësive për të luajtur rolin e munguar, kanë bërë logori dhe llogari politike personale pragmatiste, shoqëruar angazhime vetjake utilitare. Disa të tjerë, nga mungesa e soliditetit kulturor, në jo pak raste kanë “grirë kashtë” verbale pa bukë, në vend që sillnin “grurë politik”. Për pasojë, largimi i tyre është fare i ligjshëm, ngaqë është kristalizuar statusi i tyre politik, i cili ka qenë në “gjendje kritike”, duke mbetur për një kohë të gjatë me statusin e anonimit, pa kontribute të njohura personale në jetën parlamentare.

Në këto kushte, qytetarët dhe opinioni publik kanë të drejtë të pyesin pse njeriu politik, që duhet të jetë pjesë e elitës qytetare ka këtë përfytyrim të ngushtë pragmatist, subjektivist dhe utilitar jashtë parametrave të meritokracisë për statusin e ndryshuar dhe ndërprerjen e natyrshme të karrierës politike? Cila është ajo kontratë sociale dhe politike e imagjinuar që të siguron statusin e deputetit të përjetshëm? Këto pyetje janë të natyrshme, ngaqë këto ditë u përballëm me politikanë që u treguan krejt papritur, në mënyrë të paparashikuar egoistë të deformuar “par excellence”. Dhe kjo patologji u shfaq pikërisht sapo mësuan që nuk do e vishnin më “kostumin politik” të deputetit, bashkë me rrezikun e humbjes së bravurave të “dukjes dhe favoreve publike” që të siguron ky status. Është zhgënjyese kjo pozitë e politikanit profesionist, ky shndërrim politik, psikologjik e metafizik i menjëhershëm i staturës së tyre, duke e treguar veten, personalitetin politik dhe publik, krejt ndryshe nga imazhet formale kur ishin të hipur mbi “kalin politik”. Në fakt, në një shikim më të gjerë të kësaj dukurie socio-politike, kemi të bëjmë me një sindromë gati rajonale e gjeopolitikisht e shfaqur shumë shpesh, si frakturë etike dhe politike, jo aq befasuese për natyrën dhe tipologjinë e “politikanit ballkanik”, koncepti i të cilit është pragmatist, ngushtësisht militantesk, që politikën nuk e ka aspiratë, por herë duke e parë si “vend pune” apo pedanë për privilegje, mjet për realizimin e qëllimeve ngushtësisht utilitare, si dëshirë frenetike e alogjike ekstra politike, e shoqëruar me dëshirën privilegje të ligjshme e të paligjshme.

Në analizën e kësaj “patologjie” specifikisht parlamentare, është fare evidente që qejfmbeturit kanë përdorur të gjitha mjetet verbale e gjuhësore, deklamacionet mediatike, një gjuhë trupi të “kontraktuar nga dhimbja”, si mënyra për të realizuar këtë qëllim. Madje, duke përdoruar anatemime gjeneraliste, krahasime të personalizuara, glorifikime të vetes, ironi cinike për lidershipet e tyre, deri kërcënime për “kundër trafik” elektoral, betime për influencë me ndikim negative, deri në “përmbysje” të rezultatit elektoral të partisë në ish zonat elektorale të “dominuara” prej tyre. Por ndërkaq, patologjia nuk mbeti deri këtu. Sepse nuk ishte e papritur, që në këtë situatë të shfaqej edhe një patologji tjetër, një sëmundje kronike e politikës shqiptare, e sintetizuar në personalitetin kameleonik të “politikanit fluger”, të atyre që kur mbeten matanë “lumit politik” shajnë edhe lumin edhe kalin, dhe me lehtësi nuk e kanë për gjë të “federohen” në një ekip politik alternativ. Skena vërtet të pështira, sjellje politike individualisht banale, pa “kripë sociale”. Është i turpshëm dhe fatkeqësi që të kemi në elitën tonë politike, politikanë me “mentalitet feudali”, që postin politik e konsiderojnë si privilegj personal të patundur në kohë dhe të pandryshuar nga koha. Këta politikanë karriere e treguan veten egoistë pa fre dhe harruan atë që është e vërteta thelbësore: postet politike nuk janë të vazhduara, të pandërprera apo akoma më keq të trashëgueshme e para dhe e dyta, ato janë kontratë që individi lidh me partinë politike në përputhje me nevojat e fitores në fillim, por sidomos për administrimin e saj pas fitores. Dhe doemos ky “ekuacion politik” kërkon edhe ca llogari për përzgjedhjen e kapitalit human, me të cilin do të realizohet më tej projekti politik përkatës.

Nuk e di se përveç egoizmit, egocentrizmit, narcizismit që u dukën sheshit si patologji endemike të disa politikanëve aktuale, cila është pjesë e integritetit intelektual, politik e moral i njerëzve, që kanë qenë pjesë e strukturave të majta apo të djathta në “politikën bipartizane”, të mos kuptojnë apo akoma më keq të mos pranojnë nevojën e ngutshme, madje emergjente të përmirësimit dhe ndryshimit thelbësor të “hierarkisë” aktuale politike e parlamentare. Padyshim, nuk mund të mohojmë se në një farë mase kur një karrierë ndërpritet përkohësisht apo përfundimisht, është i natyrshëm dëshpërimi i atyre deputetëve, që kanë pasur të formuluar brenda vetes dëshirën e hapur, fshehtë, të padeklaruar, duke besuar dhe shpresuar se do të ishin në listat respektive. Është e vërtetë që ata që u larguan, nuk mund të mos kenë ndjesi të caktuara emocionale. Kjo është fare e natyrshme. Por ata që u larguan dhe të tjerëve pas tyre, u duhet mësuar fakti, se “loja politike” është përtej emocioneve personale dhe qarkullimi elitave në politikë jo vetëm është condite sina qua non, por kërkesë imperative që ka lidhje me nevojat e vazhdueshme që ajo të jetë moderne, e freskët, fleksibile e racionale. Kjo do të thotë që politikanët “qejfmbetur apo egoist” të dalin nga vetja, duke i parë situatat përtej interesave të tyre, të ngushta dhe egoiste, utilitare e merkantiliste, të vënë punë qëndrimi arsyetues, jo qejfmbetjet e hapura apo të fshehta të “deputetit turivarur”.

Pas këtij moment kalimtar, reflektiv dhe intim, politikani karrierës si njeri politik, duhet ta sjellë “veten në vete”, për të kuptuar me ndjenje realiste të vërtetat dhe nevojat e politikës shqiptare, e cila duke qenë se po luhet në kohë postmoderne, duhet të jetë me strukturë dinamike, e akseleruar dhe e shpejtë në analiza, gjykime, e vendimmarrje që janë turbulente dhe nuk mund të bëhen me kalkulime vanitoze, militanteske, arkaike të njeriut politikisht i ka kaluar koha. Kemi tri dekada në demokraci dhe përballje me momentumin e hartimit të listave politike, që formulohen çdo katër vjet për zgjedhjet e përgjithshme politike, të shoqëruar gjithnjë me zemërime subjektive, qejfmbetje, dëshpërim emocional, “prerje në besën politike” etj.. Asnjëherë ato nuk janë deri në të përkryera, të purifikuara, pa influenca subjektiviste e ndonjëherë edhe ekstrapolitike. Por historia e politikës, praktika dhe politologjia si shkencë kanë treguar se gjithnjë është e vështirë të gjesh një “shufër matëse precize” për të garantuar në instancë të fundit, për të matur ekzakt, vlerat e çdo njeriu politik. Padyshim, nuk është e mundur që në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, të ketë ndonjë deux eks machina si instrument objektiv politik, që të garantojë vlerat individuale përmes ndonjë lloj “meritokracie normative”. Një gjë që në politikë nuk ekziston, është e pamundur të funksionojë deri në fund.

Lini një Përgjigje