
Kjo ngrefosje që nuk njeh as rregull, as autoritet, por vetëm maninë për t'u ndjerë "trim" mbi tjetrin, është plumbi i vërtetë.
(Reflektim mbi një tragjedi që Konica e parashikoi një shekull më parë)
"Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… ata që nuk kanë frikë nga plumbi, dridhen nga Valiu".
Faik Konica, Vepra 1, f. 271-272
Një shekull më parë, Faik Konica dukej sikur e njihte mirë "kafen e fundit". E përshkroi, siç dinte ai, një trimëri që ndizet për fjalë të kota e shuhet për ide të mëdha. Dje, në Manëz, u vranë dy të rinj për një filxhan, që nuk u mbush dot me kafe.
Dy jetë më pak. Dy familje në zi. Një qytet i shokuar dhe një shoqëri që pret gjëmën e radhës.
Pse?
Pse vritemi kot?
Për një shezlong?
Për një vend parkimi?
Për një gërvishtje makine?
Për një “pse më pe”?
Për një vijë uji?
Për...pse ke ndezur dritat e gjata të makinës?
Për një fjalë?
Pse ky reagim primitiv që ndizet më shpejt se ekspresi i kafesë?
A është ngjarja në Manëz krim apo pasqyrë e një sëmundjeje të shoqërisë?
Në çdo "debat" televiziv, në çdo përballje në Parlament, në çdo status në Facebook, në çdo sherr në rrugë, e njëjta frymë, e njëjta ngafurrje: "E di ti kush jam unë?!"
Kjo ngrefosje që nuk njeh as rregull, as autoritet, por vetëm maninë për t'u ndjerë "trim" mbi tjetrin, është plumbi i vërtetë.
Kultura e dhunës e ka vënë përfund kulturën e dialogut. Arroganca dhe kapërdisja i kanë hapur udhë vetëgjyqësisë.
Policia vjen pas krimit, por krimi nis në mendje. Dhe në mendje nuk patrullon askush.
Duhet çarmatosur mendja, përpara se të ndëshkojmë vetëm armëmbajtjen.
Duhen edukuar fëmijët, jo me "po ti ku i kishe duart?, por me "mos i fol askujt keq"...
Konica nuk do të turpërohej sot. Ai thjesht do të zhgënjehej duke lexuar lajmet e ditës. Ai nuk do të pyeste: "Si arriti shqiptari ta bëjë plumbin më të shpejtë se fjalën dhe logjikën?".
Ai do të thoshte: "Ja ku jeni! Nuk keni më frikë nga Valiu, por as keni më respekt për jetën. Trimëria juaj nuk u bë kurrë e artë. Ajo mbeti e teneqejtë. Dhe tani, një shekull më pas, ajo po vret veten".
Vritemi për një filxhan kafe, sepse më parë kemi vrarë mendimin. Kemi vrarë fjalën! Dhe kur fjala vdes, as jeta nuk ka më çmim!
Një shekull më parë, Konica e pa këtë plagë dhe e quajti “trimëri teneqeje”.
Një shekull më pas, kjo teneqe tingëllon çdo ditë në ekranet tona, në rrjetet tona, në rrugët tona.
Derisa të mësojmë ta duam jetën më shumë se "krenarinë", çdo filxhan kafe mund të bëhet kafe morti.
Vini dy gra komshie vjerre e nuse e terre verr verr te merrnin koken me fjale. nje here u prishen me njera tjetren e vinin nje nga nje e shanin njera tjetren, por mamaja ime qe ishte zonje pa fjale nuk ua bente qefin. Nje dite i them nenes, pse ua hap deren ketyre grave te liga qelbesira. Jo, me tha nuk eshte mire se jane komshie. Por ti mor djale mos fol ashtu, me tha. Mami ajo jane bajga i thash me acarojne nervat. Bir mos flit keq per njeri se te mesohet goja e gjuha te flasesh keq. Pas ca ditesh erdhen te dyja per krahu e putheshin me njera tjetren vjerre e nuse. Mami kishe te drejte i thashe nenes. Po, hap syte, hap veshet e mbyll gojen se goja te hap pune e te merr jeten, me tha nena ime mencur.