
Sulmi në Kursk dëmtoi negociatat e nisura midis rusëve dhe ukrainasve për një armëpushim në lidhje me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Këtë e zbuloi së fundmi e përditshmja amerikane “Washington Post”.
Megjithatë Marco Bertolini, gjeneral italian dhe ish-komandant i COI-së dhe Brigadës Folgore në zona të ndryshme në krize, nga Afganistani në Kosovë , thotë se sulmi i ditëve të fundit i ushtrisë ukrainase në rajonin rus Kursk, mund të jetë projektuar enkas për të fituar territore dhe për të mos u ulur duarbosh në tryezën e bisedimeve.
Por eksperti flet edhe për një skenar tjetër, akoma më shqetësues: Kievi mund të dëshirojë që termocentrali bërthamor rus “Kurchatov” të kërcënojë një katastrofë bërthamore. Një mjet presioni për t’u përdorur me rusët, por edhe me perëndimorët, duke i bindur këta të fundit që të ofrojnë mbështetje të mëtejshme ushtarake, për të shmangur një fatkeqësi që do të prekte të gjithë kontinentin.
Nga ana tjetër, rreziqet që nxiten nga kjo luftë janë gjithnjë e më serioze, sidomos nëse ajo do të kombinohej me atë të Lindjes së Mesme. Ndoshta për këtë arsye, prapa dështimit të Iranit për të sulmuar Izraelin, fshihen të paktën pjesërisht rusët, të cilët nuk kanë interes ta shohin aleatin e tyre të përfshirë në një konflikt të përshkallëzuar. Sepse në atë rast, Moska do të detyrohet të përdorë burime të tjera për ta mbështetur aleatin e saj.
Gazeta amerikane “Washington Post”, zbuloi se para sulmit ukrainas brenda Rusisë,në Doha të Katarit duhej të nisnin negociatat mes ukrainasve dhe rusëve për një armëpushim në lidhje me infrastrukturën energjetike. Një negociatë që tashmë është lënë mënjanë. A po shtirret Zelensky sikur dëshiron të ulet në tryezë me Putinin, ndërsa në të vërtetë ka synime të tjera?
Presidenti ukrainas e ka deklaruar publikisht se i do rusët pjesëmarrës në konferencat e ardhshme të paqes. Madje ajo që po ndodh në Kursk, mund të konfirmojë dëshirën për të arritur tek bisedimet. Megjithatë, deri para dy javësh ai do të kishte mbërritur atje pa asgjë në dorë.
Por sulmi në Rusi, mund të tregojë gjithashtu se presidenti ukrainas po gënjen për të fshehur qëllimet e tij të vërteta, të cilat megjithatë nuk mund të jenë vetëm pushtimi i disa kilometrave katrorë të territorit të madh rus, por ndjekja e objektivave të rëndësishëm.
Dhe cilat janë këto synime?
Njëra është Sudzha, ku kalon gazsjellësi që sjell gazin rus në Evropë, ndërsa tjetri është termocentrali bërthamor “Kurchatov”. Nëse do të kishte një aksident bërthamor afër Kurskut, do të shkaktohej një katastrofë të madhe. Edhe nëse nuk duan ta provokojnë diçka të tillë, kërcënimi me një sulm ndaj termocentralit (siç ishte ai që ndodhi në Zaporizhzhya), është një armë e rëndësishme presioni.
Vetëm termi “bërthamor”, mjafton për të futur në panik opinionin publik perëndimor. Një incident i këtij lloji, mund të çojë në thyerjen e ngurrimit për ndërhyrje në luftë edhe nga ana e Perëndimit realisht të lodhur nga ky konflikt.
Pra sulmi i 2 javëve të fundit në Kursk, është edhe një mesazh për evropianët dhe Perëndimin?
Po, është njëlloj si të thuash: ”Në rast se nuk më jep dorën, nëse nuk më mbështet, atëherë Samsoni do të vdesë me të gjithë filistinët!’. Unë mendoj se arritja më e rëndësishme e ukrainasve, është kontrolli i një pjesë të territorit rus, duke i shkaktuar një poshtërim Moskës, dhe duke shpresuar t’i krijojë Putinit probleme politike.
Por edhe duke i treguar NATO-s se rusët mund të mposhten: mjafton të kesh armët e duhura, dhe të jesh në gjendje t’i përdorni ato për t’i sulmuar ata në shtëpitë e tyre. Kontrolli i 600 kilometrave katrorë territor rus, nuk e vë në rrezik rezultatin e luftës.
Rusët po vazhdojnë të përparojnë në Ukrainë, dhe Kievi ka zhvendosur elementë nga brigada të rëndësishme për t’i angazhuar në operacionin e veçantë në rajonin e Kurskut. Me pak fjalë, përpjekja e Zelenskyt mund të jetë në përputhje me dëshirën e tij të shfaqur për negociata. Ose kemi të bëjmë me një përpjekje që synon termocentralin rus “Kurchatov”, me të cilin ai mund ta shantazhojë fort Rusinë.
A nuk mendojnë ukrainasit se Donbassi është tashmë një rajon i humbur, ndaj është më mirë të përpiqen të arrijnë disa rezultate në një front tjetër?
Ashtu është. Ka pasur gjithmonë përpjekje për të djegur ura midis Donbassit, Krimesë dhe Rusisë. Por në Donbass, Kievi nuk është në gjendje që t’i sprapsë rusët, të cilët kanë përparuar në një territor shumë të urbanizuar. Megjithatë, tani që kemi një ndërhyrje në Rusi, disa perëndimorë që janë më luftënxitës se të tjerët, mund të binden të ofrojnë një mbështetje të drejtpërdrejtë.
Bjellorusia thotë se 120 mijë ukrainas janë afër kufirit të saj, dhe ushtarë të tjerë ndodhen aktualisht në Rusi. Por a nuk kishte ushtria ukrainase probleme me burimet njerëzore dhe rekrutimet e reja?
Një pjesë të trupave i zhvendosën nga fronti i Donbass-it. Ose po marrin edhe trupa nga segmente të tjera të frontit për të shtënë në dorë objektiva me peshë, siç është edhe termocentrali bërthamor “Kurchatov”. Zona ku zhvillohen luftimet në Rusi është e pyllëzuar, në një fushë të hapur, pra e përshtatshme për përparim.
Rusët e kanë të vështirë të kuptojnë se ku t’i përqendrojnë forcat e tyre, sepse ukrainasit përdorin njësi të lëvizshme. Luftimet do të vazhdojnë për një kohë të gjatë, të paktën derisa rusët të arrijnë objektivat e tyre në Donbass. Sigurisht, forcat e Moskës e lejuan veten të kapeshin në befasi.
Megjithatë, rusët thonë se midis forcave të angazhuara në zonën e Kurskut ka shumë polakë dhe francezë. Unë nuk mendoj se janë shumë në numër, por ndoshta janë të nevojshëm për të përdorur mjetet më të sofistikuara.
Edhe hapja e skenarëve bërthamorë, të parashikuara edhe në të kaluarën nga rusët, rrezikon që të materializojë fantazmën e një lufte globale. Kombinuar me konfliktin në Lindjen e Mesme, ai do të bëhej edhe më i rrezikshëm. Është një politikë që ka më shumë përmasat e një fantazie, apo është një hipotezë për t’u marrë seriozisht në konsideratë?
Një luftë e mundshme e zgjeruar në Lindjen e Mesme do të përfshinte Rusinë. Kjo sepse do të kishte të përfshirë një nga aleatët e saj më të ngushtë, Iranin. Pastaj të mos harrojmë se Moska është e pranishme edhe në Siri.
Rusët në Ukrainë po përdorin armë të marra nga Irani. Pra aleanca midis tyre është shumë konkrete...
Në fakt, Teherani është aleati i Moskës dhe nëse do të përfshihej në një përshkallëzim me Izraelin, Rusia do të ishte e interesuar dhe do të duhej që të mbante një qëndrim. Jo më kot rusët kanë qenë gjithmonë shumë të kujdesshëm për çështjet e Lindjes së Mesme. Kjo pjesërisht sepse një pjesë e madhe e popullsisë izraelite është me origjinë ruse, por edhe sepse aleatë të rëndësishëm si Irani, kanë një rol udhëheqës në këtë zonë.
A është kjo edhe arsyeja pse iranianët nuk po kundërpërgjigjen ende ndaj vrasjes së Ismail Haniyeh në Teheran nga Izraeli?
Unë mendoj se po. Mbi Iranin është ushtruar shumë presion nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga rusët.
A duhet t’i harrojmë tani për tani negociatat e Dohas, dhe negociatat më të gjera për një paqe të mundshme?
Një negociatë e bazuar tek motoja “le ta përfundojmë këtu luftën” nuk është e mundur. Sepse rusët nuk mund të pranojnë humbjen e një pjese të territorit të tyre. Por një negocim për të kufizuar sulmin ndaj infrastrukturës energjetike, mund të ketë rëndësinë e tij.
Ukrainasit janë në gjendje t’u thonë rusëve që të ndalin sulmet në këtë fushë, sepse përndryshe edhe ata mund të dëmtohen. Në Zaporizhzhya, ka lëvizje trupash që mund të sugjerojnë përpjekjen e ushtrisë ukrainase për ta çliruar termocentralin bërthamor./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje