TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Maj 2024, 15:38

Nuk latë njeri pa bërë pis

Shkruar nga Artur Ajazi

Nuk latë njeri pa bërë pis

Edhe pse SPAK, i ka thirrur dhe po i heton (me rezerva gjithashtu) si njerëz të përlyer në afera dhe krime, sërish qëndrojnë në politikë.

Edhe pse e kanë kthyer Parlamentin në sallë ku shahen, zihen si çakenjtë dhe bëjnë pis, çdokënd, edhe pse e kanë kthyer Tiranën në sheshbetejë, ku hedhin shashka, flakadanë, molotovë dhe mbeturina të tjera, sërish qëndrojnë në politikë. Edhe pse e kanë xhepin plot me para të pamerituara (kryesisht euro) dhe kanë përfituar pallate, resorte, fshatra turistike, vila dhe miliona në banka sa kishin pushtetin, sërish qëndrojnë në politikë. Edhe pse e shkatërruan vendin, jetën e shqiptarëve, edhe pse u vodhën shqiptarëve kursimet e tyre përmes piramidave, edhe pse shkatërruan ushtrinë, policinë, pronat publike dhe private duke hapur depot e armatimeve, sërish qëndrojnë në politikë.

Edhe pse SPAK, i ka thirrur dhe po i heton (me rezerva gjithashtu) si njerëz të përlyer në afera dhe krime, sërish qëndrojnë në politikë. Edhe pse etiketojnë çdokënd si “vrasës, hajdut, i korruptuar, drogaxhi, trafikant”, duke mos pasur asnjë të drejtë morale dhe ligjore, sërish qëndrojnë në politikë. Kjo pra, është pjesa më e shëmtuar e politikës, që po bën pis, çdokënd, madje duke mos kursyer as vendin, qytetaret, dhe të ardhmen e tyre. Nuk lanë njeri, qeveritar, ministër, deputet, drejtor, shef, dhe deri shofer pa bërë pis, me akuzat dhe denoncimet e tyre bajate dhe donkishoteske.

Edhe pse kanë vizion mjeran mbi zhvillimin, progresin dhe të ardhmen e qyteteve, fshatrave, infrastrukturës, biznesit, ekonomisë, turizmit, etj..etj.., sërish mbeten në politikë. Po pse të ishte fati i shqiptarëve ky, pse duhet të dëgjojnë tre  breza shqiptarësh fjalimet e tyre për 34 vjet, se si shahen, mallkohen, dhe përgojohen  mes tyre, apo dhe me ata që po qeverisin dhe po punojnë për vendin, dhe qytetarin.

Pse duhet të tolerojmë kaq shumë një celulë të molepsur politikanësh, tek rreken të vijnë sërish në pushtet, jo përmes votës, por përmes kaosit, rrëmujave, zjarrit, duke tentuar rikthimin e vitit 1997. Nuk latë njeri pa bërë pis, por një ditë do të zhyteni vetë në batak, ku humbja e 2025, do t’ju duket tmerr i pafund. Vetëm përballja me ligjin, dhe sekuestrimi i milionave dhe pasurive, do t’ju mbyllë gojën, për ti rikthyer sërish në origjinë. Kjo po, do ti qetësojë shqiptarët.

Lini një Përgjigje