
Unë nuk e di se cili do të jetë rezultati i kësaj lufte. Por mendoj se në një mënyrë a tjetrën, do të përfshijë ndarjen e Ukrainës. Shpresojmë se në fund, do të mbetet ende diçka që të quhet Ukrainë. Por Rusia nuk mund të tolerojë “humbjen”...
Sergej Karaganov, ka qenë këshilltar i Boris Yeltsin dhe Vladimir Putin. Ai është ri-punësuar së fundmi nga Kremlini për të studiuar mënyrat se si të “frenohet Perëndimi. Karaganov është i afërt si me Putinin ashtu edhe me Ministrin e tij të jashtëm, Sergei Lavrov, dhe është ai autori i shumë nga ideve që çuan në luftën në Ukrainë, edhe pse është shprehur kundër idesë së një pushtimit afatgjatë të këtij vendi.
Karaganov ka promovuar konceptin e “Eurazisë së Madhe”, dhe mbron një partneritet më të ngushtë të Rusisë me Kinën. Ai njihet si një “skifter” i politikës së jashtme ruse, dhe pretendon se ka mbaruar mbretërimi i gjatë i Perëndimit në politikën botërore.
Pse Rusia e pushtoi Ukrainën?
Prej 25 vjetësh, njerëz si unë kanë thënë se nëse NATO dhe aleancat perëndimore zgjerohen përtej disa vijave të kuqe, sidomos në Ukrainë, atëherë do të ketë një luftë. Unë e parashikova këtë skenar që në vitin 1997. Objektivi i parë i luftës, është t’i jepet fund zgjerimit të NATO-s. Por kemi edhe 2 objektiva të tjera shtesë.
Njëri është çmilitarizimi i Ukrainës dhe tjetra de-nazifikimi i saj, sepse në qeverinë ruse ka njerëz të shqetësuar me ngritjen e ultra-nacionalizmit në Ukrainë, aq sa kanë nisur ta krahasojnë atë me Gjermaninë e viteve 1930. Po ashtu, synojmë të çlirojmë 2 republikat e Donbassit nga 8 vite bombardime të vazhdueshme.
Më 25 shkurt 2022, Putin i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të rrëzonte presidentin Volodymyr Zelensky. Por kohët e fundit, Kremlini duket sikur është i interesuar të negociojë me të. A ka ndryshuar qëndrimi juaj? A e pranoni që Zelensky të mbetet president i Ukrainës?
Ne jemi në mjegullnajën e luftës, ndaj ndryshojnë opinionet apo edhe synimet. Në fillim, ndoshta disa mendonin se ushtria ukrainase do të organizonte një lloj grushti shteti, në mënyrë që ne të kishim në Kiev njerëz me të cilin mund të negocionim. Pasi presidentët e fundit, dhe veçanërisht Zelensky, konsiderohen si kukulla.
Ju personalisht nuk e konsideroni Zelensky një nazist, apo jo?
Sigurisht që jo.
Atëherë, cili mendoni se do të ishte synimi përfundimtar i Kremlinit në rrethanat që jemi? Çfarë do të konsiderohej një rezultat i suksesshëm?
Unë nuk e di se cili do të jetë rezultati i kësaj lufte. Por mendoj se në një mënyrë a tjetrën, do të përfshijë ndarjen e Ukrainës. Shpresojmë se në fund, do të mbetet ende diçka që të quhet Ukrainë. Por Rusia nuk mund të tolerojë “humbjen”. Ndaj ne kemi nevojë për një lloj fitoreje.
Dhe nëse ekziston ndjenja se po e humbim luftën, atëherë mendoj se ekziston një probabilitet i caktuar për përshkallëzimin e saj. Kjo që po shohim, është një lloj lufte me ndërmjetës mes Perëndimit dhe pjesës tjetër, ky kryesorja është Rusia, për rendin e ardhshëm botëror. Për elitën ruse kjo është një luftë ekzistenciale.
Ju flisni për çmilitarizimin e Ukrainës, por një synim i tillë nuk do të arrihet, nëse Perëndimi vazhdon t'i dërgojë armë Ukrainës. Besoni se Rusia do të tundohet ta ndalojë këtë fluks armësh, dhe a rrezikon kjo një përplasje të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë?
Absolutisht që po. Shanset për një përplasje të drejtpërdrejtë janë gjithnjë e më të mëdha, dhe ne nuk e dimë se cili do të ishte rezultati i këtij skenari. Ndoshta polakët do të luftonin; ata janë gjithmonë të gatshëm. Si historian në profesion, unë e di se Neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s nuk ka asnjë vlerë.
Sipas Nenit 5 - që e lejon një shtet të kërkojë mbështetje nga anëtarët e tjerë të aleancës - askush nuk është i detyruar të luftojë vërtet në emër të të tjerëve. Por askush nuk mund të jetë absolutisht i sigurt se nuk do të kishte një përshkallëzim të tillë.
Po ashtu, nga historia e strategjisë bërthamore amerikane, e di se SHBA-ja nuk ka gjasa të mbrojë Evropën me armët e saj bërthamore. Por gjasat e një përshkallëzimi janë ende aty, ndaj shpresoj të arrihet një lloj marrëveshje paqeje mes nesh dhe SHBA-së, dhe mes nesh dhe Ukrainës, përpara se të ecim më tej në këtë botë të pabesë e të rrezikshme.
Ka një pretendim, sipas të cilit kjo luftë do të sjellë rënien e Rusisë nën kontrollin e Kinës për shkak të izolimit të saj gati të plotë Perëndimi. A jeni i shqetësuar se ky mund të jetë fillimi i një “shekulli kinez” për Rusinë?
Kam 2 përgjigje për këtë pyetje. Së pari, është e vërtetë që do të rritet ndikimi ekonomik i Kinës në Rusi dhe mbi Rusinë. Kina zotëron shumicën e teknologjive që na duhen, dhe ka shumë kapital. Por dyshoj nëse Rusia do të bëhet një lloj vendi satelit i Kinës.
Nëse do më pyesnit se si do ta përshkruaj Rusinë me një fjalë, ai është “sovranitet”. Ne kemi mposhtur gjithmonë ata që janë përpjekur të na sundojnë, duke filluar nga mongolët, dhe më pas Karlin XII e Suedisë, pastaj Napoleonin dhe Hitlerin. Kohët e fundit kemi përjetuar vite të dominimit perëndimor.
Por ju e patë se çfarë ka ndodhur: Rusia u revoltua kundër tij. Prandaj, nuk kam frikë se Rusia do të bëhet pjesë e një Kine të madhe. Kjo edhe sepse qytetërimi kinez është shumë i ndryshëm. Ne kemi në gjenet tona tiparet tona aziatike, dhe për këtë arsye jemi pjesërisht një vend aziatik.
Dhe Siberia është zemra e perandorisë ruse:pa Siberinë, Rusia nuk do të ishte bërë një vend i madh. Dhe pushtimi tatar dhe mongol, kanë lënë trashëgim shumë tipare në shoqërinë ruse. Por kulturalisht jemi ndryshe, dhe nuk mendoj se ka mundësi të bëhemi vend satelit i askujt.
Gjithsesi, unë jam shumë i shqetësuar për dominimin e madh ekonomik të Kinës gjatë dekadës së ardhshme. Dhe e kam thënë që duhet të zgjidhim problemin e Ukrainës, të NATO-s, që pastaj të jemi në një pozicion të fortë përballë Kinës. Sot Rusia e ka shumë më e vështirë t’i rezistojë fuqisë kineze.
A mendoni se SHBA-ja është duke përfituar nga kjo luftë?
Në këtë moment po, sepse ndër humbësit e mëdhenj përveç Ukrainës është edhe Evropa, sidomos nëse vazhdon të synojë pavarësinë nga energjia ruse. Por fituesja më e madhe është Kina. Mendoj se humbësja më e madhe do të jetë Ukraina. Një lloj humbësi do të jetë edhe Rusia por edhe Evropa. Edhe Shtetet e Bashkuara do të humbin disi, megjithatë mund të mbijetojnë shumë mirë. E përsëris, përfituesja më e madhe e kësaj lufte është Kina./Përshtati Pamfleti nga “Newstatesman”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje