TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Qershor 2023, 18:58

Nga jeta, te bashkëpunimi me fashizmin dhe dënimi me "vdekje" i veprave, Mitro Çela rrëfen bisedën me mbesën e Ernest Koliqit

Shkruar nga Mitro Çela

Nga jeta, te bashkëpunimi me fashizmin dhe dënimi me

Pastaj erdhi dënimi me “vdekje” i veprave të Ernestit. U mblodhën të gjitha librat. Ca u dogjën. Ca u bënë karton. Pastaj erdhi harresa e madhe: 50 vjet! Askush nuk guxonte as ta lexonte, as ta komentonte, as ta përmendtte...

Nina Simoni është mbesa e Kardinal Koliqit, Ernest Koliqit dhe vjehrra ime.

-Dajë Ernestin nuk e kam parë, -tregon Nina.- Nuk e kam njohur.

-Në vitin 1943 familjarisht shkoi në Tivar. Nga Tivari në Itali. Vdiq në emigracion.

-Mitro! Ernesti ishte gjeni! Nuk më beson? Po të dëftoj dy histori.

-Së pari. Në vitin 1921 u organizua një konkurs për hymnin kombëtar. Juria ishte e “tmerrshme”: Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi.

Çmimin e parë e fitoi Ernesti...Ishte vetëm 18 vjeç.

-Së dyti. Ka shkruar një dramë. “Rranjët lëvizin”. Ngjarjet ndodhin në Shkodër. Viti 1970. Personazhi kryesor bën dy profeci.

1. Parashikon vdekjen e tij.

2.Parashikon rrëzimin e komunizmit.

Dhe Ernestit i doli profecia.

Vdiq në vitin 1975.

Diktatura “ngordhi” 25 vjet më vonë.

Shënim i parë.

Një profeci të tillë nuk e gjen në asnjë vepër të shkruar nga  shkrimtarët e Evropës Lindore!

-21 vjeç Ernestin e bëri sekretar në ministri Fan Noli .

U bë mik me Avni Rustemin dhe Zai Fundon.

-Erdhi Zogu. Ernesti u arratis. Dy vjet në Kroaci. Atje fitoi një “mik të madh”:

Mustafa Krujën.

Atje shkroi një nga librat e tij më të mirë: “Hija e maleve”.

-Nga Kroacia shkoi në Itali. Në vitin 1929 u kthye në Shqipëri. Mësues në Vlorë: Shkolla Tregtare. Pastaj në Shkodër: Gjimnaz.

-Në vitin 1933 la zanatin e mësuesit.

U bë student. 30 vjeç.

Në Padova. Me humor i thoshin “pellazg”-student i moshuar.

-Në vitin 1939 u bë ministër i Arsimit i qeverisë fashiste. Për mirë apo për keq? Nuk di me thënë. Por kur Ernest Koliqi ishte ministër, 200 mësues nga Shqipëria, shkuan në Kosovë.

-Në vitin 1942 u martua me Vangjelia Vuçanin. Mësuese. Zonjë. Në Tiranë lindi djalin-Markun. Në Romë lindi vajzën-Elisabetën.

-Gruaja i vdiq në vitin 1969.

Djali, Marku vdiq në një aksident.

Vajza, Elisabeta është martuar me një italian. Ka tre fëmijë.

-Elisabeta erdhi në Shkodër në vitin 1994. Ndenji një javë. Femër - akull. Nuk fliste shqip. U përkul para Kardinalit. Kaq.

-E takova. E pyeta për Ernestin. Nuk mora përgjigje. Vetëm tha:

-Baba ka një mal me libra. Kulturë dhe pasuri e madhe. Duhen futur në bibliotekë. Të ruhen. Të përdoren! Por në “roje” është vëllai, Marku. Ai vendos!

-Pas vdekjes së Markut, askush nuk di për fatin e librave!

-Kam dëgjuar. Një gazetare e Radio Vatikanit, Ana Luka i ka telefonuar Elisabetës...Folën. Kortezi. Dhe kaq. Po librat? Nuk di!

-Du me të dëftu një tregim të Ernestit,- më tha Nina. -Si për mbyllje të historive.

-Katund në Malësinë e Madhe. Një familje. Kishin edhe një vajzë. Një ditë ndodhi hataja. Vajzës iu rrit barku: shtatzënë.

E mori në pyetje babai:

-Më kë e ke fëmijën?

-...

-Si quhet djali?

-...

Babai hodhi pushkën mbi sup. Doli nga shtëpia. Vajza i shkonte pas si manare.

Ndaluan në të dalë të fshatit.

Një krisëm! ...

U hap fjala në katund...U mbyll fjala:

Babai kishte vrarë me kanun.

...Kaluan disa kohë. Vazhdoi tregimin vjehrra ime.

Një ditë dikush trokiti në derë:

-Vajza jote kishte mbetur shtatzënë me djalin tim. Bashkë me vajzën ke vrarë edhe fëmijën tim. Me kanun jemi në gjak?!

U mblodh kryepleqësija.

I pari foli babai i djalit:

-Kam gjak për të marrë!...

U ngrit babai i vajzës:

-Çfarë donte mielli jot, në thesin tim?

... Me kanun: Nuk pati gjakmarrje...

Shënim i dytë.

Ernest Koliqi ministër. Bashkëpunoi me fashizmin. Në botë, kush i ka shërbyer fashizmit, ka marrë dënim.

Kështu ka ndodhur me shkrimtarin norvegjes Knut Hamsun. Nga më të njohurit në shekullin e kaluar.

Me ndikim të madh tek Franc Kafka, Gorki, Heminguej. Fitus i çmimit Nobël në vitin 1920.

Adhurues i Hitlerit. Çmimin Nobël ia dhuroi Hitlerit. Në viti 1945, kur mori vesh vdekjen e Hitlerit, bëri një elegji.

U çlirua Norvegjia. Shkrimtari u arrestua. I bënë testin e marrëzisë. E futën në burg. Pagoi si garanci 65 mijë dollarë. U lirua...

Po veprat? U ribotuan. Jo vetëm në Norvegji. Por edhe në Danimarkë. Në Evropë. Në botë. Me romanet, novelat dhe tregimet e tij, janë bërë skenare për shumë filma. Është hapur një fondacion me emrin e tij.

Shënimi i tretë.

Poeti Ezra Paund. Elitë e poezisë amerikane. Në vitin 1923 u vendos në Romë. Adhurues i Hitlerit dhe Musolinit.

Në vitin 1940 kishte një rubrikë në Radio -Roma. I bënte elozhe Musolinit.

Në “grykë të topit” Amerikën. Presidentin Ruzvelt. Hebrejtë. Zezakët. Ushtarët amerikanë. Ishte fashist dhe racist.

U çlirua Italia. Ushtarët amerikanë e arrestuan poetin. Tradhtar i kombit amerikan. Bashkëpunëtor i fashizmit. Dy akuza të rënda.

Poetin e futën në një kafaz në Kullën e Pizës. Tre javë të tmerrshme. Skëterrë. E çuan në Amerikë. I bënë testin e marrëzisë.

Poeti i “marrë” shkroi për tre javë në burg. Në vitin 1949 fitoi çmimin “Bollingen”. Ky çmim jepet nga Libraria e Shtëpisë së Bardhë!

Nga i njëjti shtet-ShBA-Për tradhti-burg. Për talentin-çmim!

Shënim i katërt.

Në vitin 1945 Tirana i kërkoi Romës të kthente Ernest Koliqin.

Sebepi? Bashkëpunëtor i fashizmit! Qeveria italiane nuk e “dorëzoi”.

Dhe Ernest Koliqi u dënua në mungesë. Në emër të tij, u dënua vëllai: Mikel Koliqi.

Në internim një plak 80 vjeçar, i sëmurë. Kockë e lëkurë. Një fantazmë që “ushqehej” vetëm me muzikë-sifoni!

Pastaj erdhi dënimi me “vdekje” i veprave të Ernestit. U mblodhën të gjitha librat. Ca u dogjën. Ca u bënë karton. Pastaj erdhi harresa e madhe: 50 vjet! Askush nuk guxonte as ta lexonte, as ta komentonte, as ta përmendtte!

Edhe pas viteve ‘90-të, “arkitekti” i tregimit modern, së bashku me Kutelin, shihet si dele e zezë. Ernest Koliqi në tekste shkollore?! Jo dhe jo. Ka qenë fashist!

mitro cela ernest koliqi

Lini një Përgjigje