TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Qershor 2025, 11:08

“New York Times”: A po afrohet lufta civile në Evropë?

Shkruar nga Ross Douthat

 “New York Times”: A po afrohet lufta civile në Evropë?

Shkrimtari britanik Aris Roussinos, një pesimist, por jo katastrofist, shkruan se skenarët më të mundshëm në të ardhmen e afërt në Evropë, përfshijnë rritjen e “shpërthimeve të trazirave të dhunshme”...

Pavarësisht nëse debati shkaktohet nga një libër polemizues, apo nga një film si “Civil War” i vitit të kaluar, unë e trajtoj me mosbesim pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt një lufte civile të vërtetë. Në këto debate, janë zakonisht liberalët ata që paralajmërojnë se populizmi ose Trumpizmi po i çon Shtetet e Bashkuara drejt humnerës.

Por në rastin e politikës evropiane modeli është i ndryshëm: Në Francë dhe Britani, dhe midis vëzhguesve amerikanë të kontinentit, shqetësimi mbi mundësinë e luftës civile që po afrohet, priret të jetë më i zakonshëm midis konservatorëve.

Për vite me radhë, figura të lidhura me të djathtën dhe ushtrinë franceze, kanë paralajmëruar për një konflikt civil të afërt, të nxitur nga dështimi i vendit për të asimiluar emigrantët nga bota myslimane. (Novelisti i njohur reaksionar Michel Houellebecq, në librin e tij “Nënshtrimi”, imagjinon se kjo luftë do të shmanget vetëm nga konvertimi i papritur i elitave franceze në besimin Islam).

Kohët e fundit, ka pasur një diskutim të ngjashëm rreth Britanisë, i nxitur nga një ese e historianit ushtarak David Betz, i cili argumenton se Britania multi-kulturore është në rrezik të shpërbëhet. Së fundmi, kjo tezë është marrë në konsideratë nga strategu politik, arkitekti i fushatës Brexit dhe ish-këshilltari i Boris Johnson, Dominic Cummings.

Ai paralajmëron se elitat britanike kanë gjithnjë e më shumë frikë nga dhuna e organizuar, si nga nativistët ashtu edhe emigrantët e radikalizuar. Kur kam shkruar me mosbesim rreth skenarëve për një luftë civile në SHBA, kam pasur tendencën që të theksoj disa realitete.

Për shembull mungesën e një ndarjeje të qartë gjeografike midis fraksioneve tona rivale; zvogëlimin dhe jo thellimin e polarizimit racor dhe etnik në epokën Trump; faktin që jemi të pasur, të plakur dhe rehat dhe jo ​​të varfër, të rinj dhe të dëshpëruar.

Po ashtu, po i japim edhe grupeve që e urrejnë njëra-tjetrën një rol në sistem, dhe elitave arsye të forta për ta mbështetur atë. Për të mos harruar edhe mungesën e entuziazmit për dhunë të organizuar komunale në krahasim me sulmet e të ashtuquajturve “ujqër të vetmuar”. A duket ndryshe peizazhi evropian?

Ndoshta po, në disa fronte. Tensionet midis vendasve dhe të sapoardhurve, janë të zakonshme në të dyja anët e Atlantikut. Por dallimet etnike dhe fetare, mund të duken më të mëdha në Evropë sesa në Shtetet e Bashkuara. Ka një separatizëm kulturor më të fortë në komunitetet e emigrantëve në periferi të Parisit ose Marsejës sesa në Los Anxheles ose Çikago.

Po ashtu, ka më shumë pakënaqësi, e cila shndërrohet lehtësisht në trazira. Në të njëjtën kohë, elitat britanike dhe franceze kanë qenë më të suksesshme se ato amerikane në mbajtjen larg pushtetit të forcave populiste. Por mjetet e tyre - jo vetëm përjashtimi i populistëve nga qeveria, por një kufizim gjithnjë e më autoritar i lirisë së fjalës - e kanë zvogëluar ndjeshëm legjitimitetin e tyre midis vendasve të pakënaqur.

Kjo do të thotë që as emigrantët e nën-asimiluar dhe as të bardhët e klasës punëtore, nuk ndihen të përfshirë në sistem, duke i bërë më të besueshme format e shumta të dhunës politike: vendosja e rebelëve emigrantë ose vendas kundër qeverisë, e emigrantëve kundër vendasve me qeverinë që përpiqet të shtypë konfliktin, apo pozicionimin e grupeve të ndryshme të emigrantëve kundër njëri-tjetrit. (Qytetet angleze kanë përjashtuar tashmë episode të dhunës midis myslimanëve dhe hinduve).

Ndërkohë, ekonomitë e Evropës Perëndimore, janë rritur më ngadalë se ato të Amerikës gjatë dekadës së fundit, duke e zbehur ndikimin e njerëzve të zakonshëm në rendin aktual, dhe duke inkurajuar armiqësimin me sistemin dhe rezistencën.

Së fundmi, ka përqendrime gjeografike të pakënaqësisë - në veri të Anglisë, ose në qytete të dominuara nga emigrantët, për të cilat Betz paralajmëron se mund të bëhen të paqeverisshme, që nuk ekzistojnë në të njëjtën mënyrë në Shtetet e Bashkuara.

Përçarjet e Evropës janë më të thella se tonat në SHBA, me prirje ekonomike dhe demografike që paralajmërojnë mundësi më të pakta, dhe me përpjekjen e establishmentit për t’i mbajtur forcat populiste larg, që mund të jetë në fakt përshpejtuese e rënies së Evropës liberale.

Megjithatë, shumë nga arsyet për të dyshuar në afërsinë e luftës civile në SHBA, vlejnë ende për Evropën Perëndimore. Kontinenti është më në stanjacion se Shtetet e Bashkuara, por ende i pasur, komod dhe i plakur. Është e vërtetë që ka entuziazëm për trazira, por shumë më pak për dhunë të organizuar.

Dhe pavarësisht zhgënjimit të dukshëm, është e vështirë të shohësh ndonjë fraksion elitar që po del në pah - i djathtë apo i majtë, nativist apo islamik, që do ta shihte revolucionin e dhunshëm si një mjet të dukshëm për ambiciet e tij. Ndërkohë, ekzistojnë tipare tipike evropiane që e bëjnë luftën civile më pak të mundshme atje se sa në Amerikë.

Kombet më të vogla dhe me sisteme politike më të centralizuara, e kanë në përgjithësi më të lehtë të kontrollojnë kundërshtimin. Së dyti, nuk ka asnjë Amendament të Dytë apo kulturë armësh në stilin amerikan, e cila do të sfidonte monopolin e forcës së shtetit evropian.

Prandaj unë pajtohem me shkrimtarin britanik Aris Roussinos, një pesimist, por jo katastrofist, kur shkruan se skenarët më të mundshëm në të ardhmen e afërt në Evropë, përfshijnë rritjen e “shpërthimeve të trazirave të dhunshme”, por jo llojin e rënies së autoritetit të qeverisë qendrore, të shoqëruar me spastrim etnik dhe flukse refugjatësh, që nënkupton zakonisht gjuha e “luftës civile”./Pamfleti nga “New York Times”

lufta civile evropa new york times

Lini një Përgjigje