
Në këtë kontekst, prokuroria nuk po mbron ligjin; po krijon një klimë frike, autocensurë dhe heshtjeje, ku qytetarët dhe media nuk guxojnë të zbulojnë të vërtetën.
Në Shqipëri, disa prokurorë po interpretojnë ligjin në mënyrë aq arbitrare sa çdo gazetar investigativ që heton, denoncon ose publikon korrupsionin e funksionarëve shtetërorë, ka kryer automatikisht veprën penale “korrupsion aktiv”.
Sipas tyre, fakti që një qytetar dokumenton fakte dhe i bën publike do të thotë se ai ka kryer një vepër penale. Ky qëndrim është jo vetëm absurd, por edhe një keqpërdorim flagrant i ligjit dhe i rolit të prokurorisë.
Në këtë rast, qytetari që, përmes kamerave të fshehta të një gazetari investigativ, ka dokumentuar korrupsionin, ka vepruar me qëllim publik dhe jo personal.
Ai ka ndihmuar prokurorinë duke konstatuar veprën penale, ka ekspozuar publikisht abuzimet për të shërbyer interesit publik dhe ka provuar se është viktimë e veprimeve të paligjshme të zyrtarëve të korruptuar.
Në këto raste është e qartë se, gazetari nuk përfiton ekonomikisht nga ato që heton, nuk merr asnjë përfitim të paligjshëm dhe nuk ka asnjë motiv personal për të kryer korrupsion. Qëllimi i tij është të zbulojë të vërtetën, të ekspozojë fenomenet që cenojnë rëndë shoqërinë dhe të kritikojë funksionarët shtetërorë. Gazetaria investigativ është një mision publik, jo një aktivitet kriminal. Në këtë kontekst, është krejt absurde të thuash se gazetari ka kryer “korrupsion aktiv”. Ai vepron për të zbuluar, jo për të përfituar.
Nga ana tjetër, funksionari shtetëror që përfiton nga korrupsioni ka një qëllim krejt të kundërt, ai vepron për përfitim personal, duke keqpërdorur pushtetin dhe duke dëmtuar interesin publik. Kjo është thelbi i korrupsionit: qëllimi i aktorit dhe përfitimi personal janë çelësi për të konstituar veprën penale.
Pra, një dallim themelor dhe i pashmangshëm, gazetari ka qëllim publik, funksionari ka qëllim privat. Dhe pikërisht ky dallim i qëllimeve e bën të pamundur të shndërrosh gazetarin investigativ në autor të veprës penale të “korrupsionit aktiv”.
Disa prokurorë pretendojnë se “nuk ka korrupsion pasiv pa korrupsion aktiv”, por kjo është një absurditet i plotë dhe i pabazuar ligjërisht. Në realitet, korrupsioni pasiv mund të ekzistojë vetvetiu, vetëm nga qëllimi dhe veprimet e funksionarit që përfiton nga situata. Një funksionar mund të pranojë ryshfet, të përfitojë apo të kryejë abuzime për interesat e tij personale, pa pasur nevojë që dikush tjetër të kryejë një veprim aktiv për të “ndihmuar” këtë proces.
Kodi Penal shqiptar i ndan qartë korrupsionin aktiv dhe pasiv në dispozita të ndryshme, duke treguar se korrupsioni pasiv nuk ka nevojë për një “aktiv” që ta shoqërojë. Një funksionar mund të pranojë ryshfet ose përfitime të paligjshme vetëm nga qëllimi dhe veprimet e tij personale, pa pasur nevojë që dikush tjetër të kryejë ndonjë veprim aktiv për ta ndihmuar. Pra, pretendimi i prokurorisë se “nuk ka korrupsion pasiv pa aktiv” është absurd dhe i gabuar ligjërisht, ndërkohë që gazetari investigativ vepron me qëllim publik dhe pa përfitim personal, duke zbuluar të vërtetën dhe jo duke kryer vepra penale.
Në këtë kontekst, prokuroria nuk po mbron ligjin; po krijon një klimë frike, autocensurë dhe heshtjeje, ku qytetarët dhe media nuk guxojnë të zbulojnë të vërtetën. Ky qëndrim është jo vetëm një shkelje e lirisë së medias, por edhe një abuzim të hapur me konceptin e drejtësisë.
Historia dhe përvoja ndërkombëtare tregojnë qartë, asnjë pushtet nuk mund të fitojë betejën kundër së vërtetës. Fjala e lirë mund të shtypet përkohësisht, por nuk mund të shuhet. Të quash gazetarin investigativ autor të veprës penale të “korrupsionit aktiv” vetëm sepse ai ekspozon korrupsionin e funksionarëve, është absurditet ligjor dhe një provë e qartë e mungesës së mirëkuptimit të rolit të gazetarisë në një shoqëri të lirë.
Investigimi dhe denoncimi nuk janë krim. Ato janë mjetet që mbajnë shoqërinë të ndershme dhe pushtetin nën kontroll. Gazetari dhe denoncuesi veprojnë për interes publik, funksionari abuzon për përfitim personal, dhe prokuroria duhet të mbrojë ligjin, jo të krijojë absurditete për të ndëshkuar të vërtetën. Kush e quan këtë shantazh, në fakt po shndërron drejtësinë në vegël për të mbrojtur arrogancën dhe për të heshtur ata që guxojnë të flasin.
Ju keni sh te drejte per sa shkruani dhe Ju falenderojme sh per gjithe punen qe beni, por fakti eshte se disa kolege e kane perdorur per perfitim ekonomik shantazhimi, sic ndodh me sh profesione devijimi etik i disave prish opinionin e vleresimin per ta. Por qe dhe keta e kane humbur fillim se punesimet behen nga zyra HR e deputeteve apo partisë, dmth edhe magjistratet