A është biznes shërbimi shëndetësor?
Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë
Pikërisht në këtë linjë duhet të zhvillohet një ndarje midis mentalitetit të drejtuesit dhe atij të ofruesit të shërbimit ndaj pacientit: një bashkëpunim midis kërkesës së performancës dhe ofertës së shërbimeve të kualifikuara, me të vetmin qëllim, mbrojtjes së të mirës më të shenjtë, shëndetit. 2 ligjet e fundit janë pikërisht për këto probleme. Por ligjet në atdheun tone rrugës modelohen nga interesa klienteliste që jo vetëm pengojnë zhvillimin por nëse do të duam ta quajmë edhe biznesin e shërbimit shëndetësor. Përtej kësaj, kërkohen reflektime të mëtejshme.
Krijimi i një raporti të ri midis mjekut dhe pacientit është vetëm hapi i parë nga shumë të tjerë të nevojshëm për të zhvilluar një shërbim shëndetësor efikas. Për të qenë i tillë, një shërbim mjekësor duhet të mundësojë sigurimin e kujdesit shëndetësor duke e konsideruar si pjesë e mirëqenies kolektive.
Do të dukej utopik, madje shumë i tepruar konfigurimi i një sistemi shëndetësor perfekt pa asnjë mangësi, megjithatë, është po aq e vërtetë se organizimi aktual fokusohet më tepër te të metat dhe parregullsitë sesa te evidentimi i meritave të tij.
Mjafton të shihni milionat e EU që qarkullojnë për estetikën, odontojatrinë, terapinë e riprodhimit të asistuar ku për fat të keq Instancat përkatëse nuk kanë asnjë kontroll financiar dhe profesional.
Procesi i regjionalizimit të shërbimit shëndetësor, prej të cilit kompetencat kryesore i atribuohen entit lokal, po rezulton një proces i gabuar si në formë ashtu edhe në substancë, e provuar nga fakte.
E gjithë Shqipëria synon të vijë në Tiranë. Nëse ky proces kishte si synim rritjen e performancës së shërbimit duke qenë sa më afër qytetarit, pa dyshim që efekti i vetëm i prekshëm ishte ai i provokimit të pasigurisë dhe frikës se po orientohemi në mënyrë të pashmangshme drejt një sistemi shëndetësor privat që do të prekë gjithnjë e më tepër klasat sociale të varfra.
Domosdoshmëri e formimit të mjekut profesionist në një mënyrë të re
Përgjatë rrugëtimit të formimit zhvillimi i aftësive praktike dhe komunikuese me pacientët është episodik ose minimal. Kodi deontologjik në lidhje me situatat e ndryshme klinike dhe me sëmundjet e pacientëve nuk ezaurohet në secilën prej disiplinave të specialiteteve të ndryshme, (mesa di, ndoshta jam i gabuar)
Formati bën që i sapo diplomuari të identifikojë mjekësinë me spitalin, gjë që nuk është e njëjtë me identifikimin e raportit midis mjekut dhe pacientit ne një diagnozë të specifikuar. Vetëm aktiviteti praktik pas diplomimit do t’i korrigjojë mbase këto gabime dhe boshllëqe përgjatë viteve të studimit.
Ndërkohë, feminizimi i profesionit të mjekut a do të mund të rezultojë në krijimin e një imazhi të ri? Ideja se mjekësia femërore do të jetë më humane nuk është bindëse. Të thuash se meshkujt janë më të nxituar dhe gratë flasin më shumë është e diskutueshme. Nuk do të jetë e lehtë.
Që para 100 vitesh synohej formimi i një mjeku me aftësi dhe manualitet të shkëlqyer, të favorizuar nga zhvillimi teknologjisë, por pa i kushtuar rëndësi mendimit: “Ka mjekë të cilët kalojnë gjithë kohën, madje gjithë jetën, duke studiuar një mukozë, duke realizuar një kateterizim apo duke administruar një preparat në një kavitet. Kjo mbart avantazhin e observimit të detajuar, manualitetin perfekt; megjithatë ky fakt mbart edhe faktin e të dukurit i padobishëm. Edhe kur specialistët arrijnë në këtë nivel të kufizimit të shprehur dhe fokusimit të njohurive mjekësore, ata gëzojnë një reputacion të shkëlqyer në publik, sepse manipulimi i vazhdueshëm me të njëjtat nozologji dhe procedura u jep atyre një vlerë teknike unike, eksperte ... por në një klinikë është e nevojshme të braktiset kjo thjeshtësi për tu pasur zili” [Augusto Murri Quattro lezioni e una perizia. Zanichelli Ed 1906].
Një refleksion tjetër kundërshtues është ai mbi domethënien e fjalës “përsosmëri”. Sikundër thuhet edhe për profesionet e tjera “profesionist i mirë”, edhe në mjekësi është koha të braktiset fjala “i përsosur”. Sot në mjekësi, auto referencat e lartësojnë në piedestal këtë term. Për qendrat dhe mjekët “e përsosur” pra qendrat dhe mjekët e zotë, të vjen të qeshësh nga fakti se janë vetë qendrat apo mjekët që vlerësojnë, për të përftuar më shumë financime, prestigj, “licencë për të vrarë” apo përfitime të tjera.
Dhe pas 33 vitesh, më vjen të qesh se kur flitet për shërbimet private klientët thonë “po shkoj të spitali..X. (s’dua të bej reklamë) që praktikisht do të thotë se privati ka tentuar të krijojë një brend, me pak rëndësi për emra mjekësh, ndërsa kur vijnë në QSUT, Maternitete apo Sanatoriumi, pacientët apo klientët flasim për emra, po shkoj tek filani... etj.(Vijon..)/Pamfleti
Shënim: *Prof. Dr. Astrit Bimbashi, Shef i Shërbimit të Obstetrikës SUOGJ “Koco Gliozheni”
Lini një Përgjigje