TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Korrik 2023, 14:57

Megaoperacion për kërkim-shpëtimin e vulës

Shkruar nga Lutfi Dervishi

Megaoperacion për kërkim-shpëtimin e vulës

Vula është shpallur në kërkim kombëtar me kartelë rozë dhe ndërkombëtar, me kartele të kuqe...

Strukturat e policisë së shtetit janë angazhuar maksimalisht për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Pas denoncimeve në media, Drejtoria e Krimeve të Rënda shpall publikisht zhdukjen pa gjurmë të vulës së subjektit politik Partia Demokratike.

Aktualisht është ngritur një grup i posaçëm operativo-hetimor i cili hartoi një plan masash për të lokalizuar, gjetur dhe kthyer pronarit vulën e zhdukur pa nam e pa nishan.

Plani i masave përfshin ngritje postoblloqesh në hyrje e dalje qytetesh dhe fshatrat, krehje të zonave ku dyshohet se është fshehur vula, kontrolle trupore e ambientale nga forcat e FNSH dhe RENEA, koordinimin me organet e tjera ligjzbatuese në vend.

Po kështu, vula është shpallur në kërkim kombëtar me kartelë rozë dhe ndërkombëtar, me kartele të kuqe. Në këtë kuadër po bashkëpunohet intensivisht dhe janë ngritur skuadra hetimore të përbashketa me Interpol, Europol, Eurojust si dhe me vendet partnere përtej Adriatikut dhe Atlantikut.

Për këdo që jep informacion për vendndodhjen e vulës dhe pengmbajtësin e saj Drejtoria e Policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion 24/7 nr tel 0694100001.

Garantojmë sigurinë e anonimatit dhe një shpërblim prej 100 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm.
Policia e shtetit me këtë rast u bën thirrje partive politike të ruajnë vulat dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi duke vendosur kamera në dhomën ku qëndron vula.

P.S

Për shkak se vula është shpallur në kërkim ndërkombëtar operacioni për gjetjen dhe kthimin e saj pronarit ka këto emra të koduar:

-Në vendet anglisht folëse “SEAL”
-Në Turqi dhe vendet turkophone:”Myhyr”
-Në Greqi: “Sfavidha”
-Në Holandë: “Stempel”
-Në Kinë: “Xi”
-Në vendet arabisht folëse: “Khatam”
-Në vendet shqip folëse: “Vulëhumburi”

megaoperacion kerkim-shpetimi i vules

Lini një Përgjigje