TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Mars 2024, 20:11

“Marrëveshja e normalizimit” është shans për të normalizuar Lulzim Bashën dhe PD

Shkruar nga Mero Baze

“Marrëveshja e normalizimit” është shans për

“Normalizimi”, është shansi i fundit që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, të dëshmojnë se dinë të bëjnë politikë ndryshe nga Sali Berisha.

Ka një përpjekje nga ana e Partisë Demokratike për t'u viktimizuar nga “marrëveshja e normalizimit” siç e thonë me humor të dy palët, që riktheu në Kuvend opozitën e Berishës në shkëmbim të asgjëje.

Disa nga deputetët e PD së Bashës po përpiqen të duken viktima të kësaj marrëveshje dhe flasin për një konspiracion të gjerë kundër tyre.

Siç tani është e qartë nuk ka ndonjë Marrëveshje por një zbythje të Sali Berishës dhe njerëzve të tij, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe deputetëve të rinj që ju bashkuan për të bërë punët e tyre në Kuvend.

Por kjo ka pak rëndësi, se është kostoja e tyre.

Nga pikëpamja politike, ky është një moment i artë për Partinë Demokratike të Lulzim Bashës.

Kjo situatë i ka dhënë atyre ndoshta shansin e fundit për t'u ringritur dhe për t'u bërë opozitë serioze.

Së pari “normalizimi” në Kuvend, ka fshirë përfundimisht gjithë retorikën dyvjeçare të Sali Berishës për bashkëpunim të Bashës me Ramën. E vetmja gjë publike që ka funksionuar nga bashkëpunimi politik është bashkëpunimi i Berishës me Ramën, madje më keq, poshtërimi i Berishës prej Ramës siç është në këtë rast.

Kështu që gjithë retorika e atyre spurdhjakëve të Berishës që thonë se Basha është ushtar i Ramës, tani po u bie mbi fytyrë të tyre, për aq sa u ka mbetur fytyrë.

Dhe këtu Basha dhe partia e tij nuk kanë pse paraqiten si viktimë, pro duhet të jenë të gëzuar që kjo gjë ka ndodhur. Kaq punë sa i ka bërë Bashës kjo marrëveshja nuk i ka bërë gjithë puna e tij dyvjeçare që nuk ju përgjigj kurrë si duhet Berishës për ato akuza banale, derisa Berisha e zgjidhi vet këtë çështje dhe u bë ushtar i Ramës.

Së dyti “normalizimi” në Kuvend u jep atyre shansin të shkojnë normalisht në një mjedis jo më të dhunshëm, ku kishin frikë të futeshin kur kishte sherr apo të votonin ligje pro dhe kundra. Tani aty ata janë opozita normale e Kuvendit, kurse të “normalizuarit”, janë si ata pacientët e pavionit Nr. 5 që qetësohen pasi marrin ilaçin e radhës por rrëshqasin përsëri, sapo u ndërron ilaçet Doktori majë penxheres.

Ndaj nuk duhet ta kenë zili faktin që ata janë bërë luajalë me Ramën, duhet t shikojnë këtë si përparësi të tyre.

Dhe së fundmi “normalizimi”, është shansi i fundit që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, të dëshmojnë se dinë të bëjnë politikë ndryshe nga Sali Berisha, jashtë pazareve dhe të bëhen zëri i opozitës në Shqipëri. Nëse deri më sot kanë qenë të kompleksuar se u thoshin keni tradhtuar Berishën apo keni bërë pazare, tani Berisha e ka tradhtuar vetë veten e tij dhe po bën pazare qesharake vetëm që të mbajë ca deputetë më shumë rreth vetes. 

Kështu që gjithë tezat “diversioniste” të Berishës ndaj Bashës dhe Partisë Demokratike jo vetëm që janë rrëzuar nga “marrëveshja e normalizimit” por i janë kthyer në favor. 

Në thelb, "Marrëveshja e Normalizimit”, më shumë ka normalizuar Bashën dhe PD se sa Berishën me Ramën. Ndaj qasja që kanë figurat e PD që e shikojnë këtë marrëveshje si një gjë të rëndë për politikën dhe Shqipërinë, apo viktimizimi prej saj i PD është i gabuar.

Thjesht duhet ta shikojnë si shans të tyre, pasi ajo marrëveshja ka kthyer normalitetin e tyre, jo të Berishës e Ramës. Madje kjo mund të quhet ndihma e parë reale e Ramës për Bashën. Pa marrëveshje!

Lini një Përgjigje