
Kjo nuk është drejtësi. Është një teatër ku ligji përdoret si dekor.
Në shumë vende të zhvilluara, provat e marra në mënyrë të paligjshme nuk prekin kurrë dosjen gjyqësore. Është parim themelor: nëse rruga për t’i marrë është e ndotur, edhe prova është e ndotur. Kaq. Ligji nuk e bën këtë për të mbrojtur kriminelët, por për të mbrojtur sistemin nga abuzimi i vet.
Ndërsa në Shqipëri, kemi shpikur një drejtësi “elastike”. Ligji zgjatet, shkurtohet dhe përdredhet sipas nevojës së ditës. Kur duhet të përmbushen objektivat e propagandës, çdo standard ndërkombëtar shndërrohet në pengesë të bezdisshme që kapërcehet me një interpretim “kreativ” të procedurës.
Shembulli i fundit është trajtimi i të dhënave të përftuara nga komunikimet e koduara. Në vendet perëndimore, këto të dhëna shihen me sy kritik, verifikohen burimet, krahasohen me prova të tjera dhe, mbi të gjitha, nuk përdoren kurrë si themeli i vetëm i një dënimi. Kjo, sepse atje e dinë se fjala e pakontrolluar është thjesht thashethem, jo drejtësi.
Te ne, ndodh e kundërta. Të dhëna që jashtë vendit do të hidheshin poshtë brenda minutave, këtu shpallen si “provë e hekurt” para se të hapet fare seanca gjyqësore. Nuk ka rëndësi nëse janë marrë jashtë çdo procedure, mjafton që të prodhojnë tituj bombastikë në portale dhe t’i shërbejnë mitit të “luftës së pamëshirshme kundër krimit”.
Kështu, në vend që të kemi një gjyqësor të pavarur që mbron ligjin, kemi një sistem që mbron narrativën. Në vend të balancës mes akuzës dhe mbrojtjes, kemi një teatër ku njëra palë luan me skenarin e shkruar, ndërsa pala tjetër improvizon në errësirë.
Drejtësia jonë është bërë si ai taksisti që ndryshon taksën sipas klientit: për të huajt (standardet ndërkombëtare) çmimi është i drejtë, për vendasit (shtetasit shqiptarë) është sa t’i leverdisë shoferit. Dhe ky “shofer” quhet sistem.
Nëse në Europë prova duhet të kalojë filtrin e ligjit, në Shqipëri ligji kalon filtrin e provës – nëse na pëlqen prova, gjejmë mënyrën ta bëjmë të vlefshme, edhe duke shpikur rregulla që nuk ekzistojnë.
Ky model nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës. Është një shtet i improvizuar, ku neni i Kodit nuk lexohet nga libri, por nga teleprompteri i konferencës për shtyp.
Një ditë, kjo praktikë do të përplaset me realitetin ndërkombëtar. Por atëherë, dëmi do të jetë bërë, besimi tek drejtësia do të jetë zhdukur, proceset e rregullta do të jenë sakrifikuar dhe e vetmja gjë që do të na ketë mbetur do të jetë justifikimi i përjetshëm shqiptar.
Në Zvicër, një gjykatë pati në dorë një çështje për trafik armësh, ku e gjithë akuza mbështetej vetëm mbi të dhëna të marra nga komunikimet e koduara. Provat ishin siguruar nga jashtë vendit, përmes ndërhyrjeve teknologjike pa asnjë autorizim nga autoritetet zvicerane. Çfarë bëri gjykata? I hodhi poshtë menjëherë. Për ta, rregullat procedurale nuk janë zbukurim, por themel i procesit të drejtë.
Në atë sallë gjyqi nuk pati vend për “po e bëjmë për besimin e publikut” apo “duhet të luftojmë krimin me çdo mjet”. Atje u tha qartë, nëse prova merret duke shkelur ligjin, është si një urë e ndërtuar me rërë, shembet që në hapin e parë.
Ironia është se e njëjta logjikë ekziston edhe në ligjin shqiptar. Por ndërsa zviceranët e zbatojnë, tek ne shpiket çdo shpjegim i mundshëm për ta anashkaluar. Në Zvicër, gjykata i mbylli derën një prove të paligjshme. Në Shqipëri, gjykata e hap derën, i shtron qilimin e kuq dhe i thotë: “Mirë se erdhe, ti je ylli i dosjes sonë!”.
Në vende si Zvicra, gjykata është institucioni që ruan ekuilibrin e procesit, jo krahu i zgjatur i prokurorisë. Aty ligji nuk zbatohet “sipas rrethanave”, por siç është shkruar.
Tani, le të kthehemi në Shqipëri. Në letër, ligji ynë thotë të njëjtën gjë si ai i Zvicrës. Në praktikë, kemi shpikur një version “flex” të drejtësisë, ku provat e marra jashtë çdo procedure ligjore kthehen në gurë themeli të dosjes. Në vend që gjykata të jetë filtri i ligjshmërisë, ajo bëhet garantja e një narrative. Në vend që të mbrojë procesin, ajo mbështet propagandën.
Në Zvicër, një provë e paligjshme nuk e kalon dot pragun e gjykatës. Në Shqipëri, një provë e tillë jo vetëm hyn, por e presin me duartrokitje dhe e nxjerrin në konferencë shtypi. Në vend të një procesi të rregullt, kemi një shfaqje ku rolet janë të ndara, prokuroria reciton akuzën, gjykata miraton skenarin dhe publiku e konsumon si telenovelë.
Kjo nuk është drejtësi. Është një teatër ku ligji përdoret si dekor. Dhe sa më gjatë të vazhdojë ky model, aq më shumë do të thellohet hendeku mes asaj që quajmë “drejtësi” këtu dhe asaj që praktikohet realisht në vendet që ne i marrim si shembull.
Lini një Përgjigje