TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Maj 2024, 11:10

Kronikë pas dasme!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Kronikë pas dasme!

Të cimbisur në stomak nga ndonjë  gotë gëzimi Toni dhe Çuçi në heshtje hanin bukë të thekur me pak djathë e ndoca ullinj.

 

Si pas çdo dasme edhe kjo pas ikjes së Babos la gjurmët e veta. Kudo shihje deputetë të lodhur me çehre të vrarë e mide të trazuar.

Të cimbisur në stomak nga ndonjë  gotë gëzimi Toni dhe Çuçi në heshtje hanin bukë të thekur me pak djathë e ndoca ullinj. Çuçi lëshonte tek tuk ndonjë gromësinë.

Toni herë pas here psherëtinte “falna Zot falna Zot e tepruam po na kishte marrë malli e kushedi kur e shohim prapë”. Xhemali pinte kos fshati dhe fshinte buzët si i regjur me këto punë dhe fërkonte barkun me lezet.

Majko gjerbte një kafe pa sheqer allaturka e herë pas here një rënkim nga të përzierit i dilte mbyturazi.

Një letër për të kthyer filxhanin kërkonte të kthehej më në atë sallë ai a jo se fjalët janë që gjysmën  e grupit Babo do i bëjë def nga lista?!

Pandi edhe herën tjetër bashkë me Miminë nga dritarja hynë.

Etilda e cila paqartësitë i mbyt me forcën e heshtjes ndjeu dhimbje dhe i tha ha pak kulaç se të mbledh. Ulsiu nuk fliste dot sepse sa herë e provonte merrte vrapin për në banjo. Jetonte me friken mos Tao u kishte futur mish dhie në pilaf.

Nikoqiri si më biravel i kishte çuar dollitë me ujë. Hiqej si i renduar po ishte qiqërr dhe shikonte nën sy me gëzim vuajtësit. Arben Pëllumbi po le mjekër qe pas asaj dite, por edhe për të dëshmuar pangënë e të marrurit me gjera të vogla axhaminjesh para një gëzimi kësodore. Laerti gjeti rastin te mbante një fjalim meqenëse askush se kishte mendjen por atij i njihej se e bëri.

Nasipi kishte pirë me mase se helbete gëzimi nuk mbarohet me një ditë, kush ja qiti fundin, plënci një është pëlcet nga e tepërta. Olta Xhaçka shihte Gaz Bardhin të skuqur nga tensioni i lartë e lajmi se një doktor erdhi ta vizitonte mori dhënë…psherëtinte …ashtu te pafsha gjithmonë.

Enë të palara aty këtu! Kazanë përmbys, karrika njëra mbi tjetrën, mbulesa për tokë, njolla vaji dhe një zjarr i fikur me thëngjinj të zinj kokoroç ishin si gjurmë. Ministrat ishin të përgjumur e të murrëtyer. Veç Bela nën ngjyen rozë shfaqej me shumë grua  kësaj ditë me Taon si poet oborri , trabadur aty ngjitmas që i çuçuriste  etyde ne vesh. Anila  i lutej Zotit ishallah nuk merret kush me mua dhe Zoti e dëgjonte. Muçua foli dy herë  dhe po kaq herë nuk la asnjë përshtypje. Elisa erdhi pak vonë në anë të sallës , disa deputet e përshendesnin dhe i fërkonin dorën dhe ajo i lejonte ta bënin me hir.

Kur Dashi lëshoi kumtet e veta si Zeusi në malin e vet, ajo u zgjua dhe hepoi shqisat si vëmendje  që i dilte pavetëdijshem nga qënia. Nallbati zalisej në dhimbje. Ogi kishte bërë gjumë të paqtë dhe dalldia e përgjithshme i krijonte stres ndaj iku.

Tezja dremiste herë pas here. Delina erdhi e iku si hije e gëzuar që përsëri nuk i ra askujt në sy. Klosi është nisur me mbledhë çunat e Londrës.

Ermua gjithaq ndiente nevoje për paqe e vështrime pas një pune cilësore tek parrukierja.

Krye zëvendës Lideri Muli dukej i menduar por i vendosur për beteja pa kompromis. Nën shembullin e tij fola edhe unë dy herë. Sherri e potera me Mamicën e Taon mori dhenë. Kosta ishte fikur e vyshkur. Llafet e liga qe hodha kundër Babos i kishin hequr shijen e jetës.

Salianji erdhi nga diku, këqyri poshtë e përpjete  duke nxjerrë një grusht miza nga xhepi. Gjithmonë vjen nga dikush për të takuar dikë. Të gjithëve u le gëzimin e tij dhe u merr mërzinë e tyre qerratai. Luan Baçi si rapsod pas këngës është bërë meditativ. Shefe Albana u bie tambureve të betejës. Këtu kronika ndalet për të marrë shënime.

Lini një Përgjigje