TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Maj 2026, 11:22

Kina, Janusi me dy fytyra: Nga punishte me kosto të ulët në fuqi teknologjike botërore

Shkruar nga Lorenzo Lamperti
Kina, Janusi me dy fytyra: Nga punishte me kosto të ulët në fuqi
Xi Jinping /

Ky vend është sot një mbifuqi teknologjike që fsheh brenda saj tensione të thella shoqërore dhe mbikëqyrje të rreptë. Ndërsa ekonomia tjetërsohet, liria e individit dhe të drejtat e njeriut paguajnë çmimin e rëndë të këtij përparimi...

Dikur njihej kryesisht si “bashkëshorti i Peng Liyuan”, këngëtares së famshme, por sot Xi Jinping cilësohet nga shumë njerëz si udhëheqësi më i fuqishëm i rruzullit. “Fshihe forcën tënde, prit çastin tënd dhe mos merr kurrë drejtimin!”- thoshte mësimi i vjetër i Ten Hsiao Pinit.

Mirëpo Kina e Xi-së, po “guxon të luftojë” për të jetësuar “ëndrrën” e saj, sepse ndjen se ka mbërritur koha e saj. “Koha e re” e këtij vështrimi nis simbolikisht nga Qufu, ku në vitin 2013 vendlindja e Konfucit ishte caku i një prej vëzhgimeve të para të Xi-së pas emërimit si kreu i shtetit.

Për dhjetëvjeçarë me radhë, Pekini e kishte parë me dyshim mendimin konfucian duke e lidhur me të kaluarën perandorake që Mao Ce Duni donte të shkatërronte, por Xi zgjodhi ta rikthejë atë si shtyllë të Kinës së re.

Me të, Partia Komuniste nuk e nxjerr më ligjshmërinë e saj nga premtimi kryengritës apo lufta e klasave, por nga vazhdimësia historike e qytetërimit kinez. Marksizmi është përthithur shkallë-shkallë brenda një narrative më të gjerë, atdhedashëse dhe qytetëruese, duke krijuar një ndërthurje bindjesh ku Xi shfaqet si mbrojtësi i rilindjes historike pas “shekullit të poshtërimeve”.

Pikërisht këtu lind “ëndrra kineze” e Xi-së, e cila nuk synon thjesht rritjen ekonomike, por rikthimin e Kinës në palcën e botës. Ky ndryshim pasqyrohet qartë në ekonomi, ku për dekada Kina ishte “punishtja e botës” që prodhonte lirë për konsumatorët perëndimorë.

Xi beson se kjo qasje ka mbërritur në fundin e saj, ndaj edhe flet për tejkalimin e etjes pas rritjes së prodhimit të përgjithshëm, me synimin për ta shndërruar vendin nga një platformë prodhuese e varur nga shitjet jashtë, në një fuqi teknologjike të pavarur dhe të vetëmjaftueshme.

Megjithatë, e vërteta mbetet se motori kinez varet ende fort nga industria, duke shënuar në vitin 2025 një tepricë tregtare rekord prej rreth 1.19 mijë miliardë dollarësh. Pekini prodhon tashmë sasi të jashtëzakonshme makinash elektrike, panelesh diellore dhe baterish.

Ndërkohë kontrolli mbi mineralet e rralla është bërë një armë e vërtetë politike për shkak të sundimit kinez në përpunimin e lëndëve bazë për mbrojtjen dhe hapësirën. Prapa këtyre shifrave nuk mungojnë fërkimet shoqërore, sidomos kur marrim parasysh se këtë vit rreth 12.7 milionë të diplomuar do të hyjnë në tregun e punës.

Kjo masë e madhe të rinjsh të shkolluar po përballet me një ekonomi më pak dinamike se ajo e prindërve të tyre, gjë që ka sjellë shpërthimin e dukurive si “të rrish shtrirë”, ku brezi i ri po e refuzon garën e egër dhe turravrapin e marrë pas karrierës.

Xi i sheh këto prirje si kërcënim, veçanërisht kur lidhen edhe me rënien e martesave dhe tkurrjen e popullsisë që pengon rritjen e blerjeve brenda vendit, duke krijuar një rreth të mbyllur që e vë në rrezik qëndrueshmërinë afatgjatë.

Në kundërpërgjigje, ai ka forcuar mbikëqyrjen e brendshme përmes fushatave kundër ryshfetit dhe pastrimeve të rrepta në ushtri, ku gjatë mandatit të tij të tretë u shkarkuan shumica e anëtarëve të udhëheqjes ushtarake.

Edhe fusha e teknologjisë u godit për të ridrejtuar mjetet digjitale drejt qëllimeve të shtetit, ndërsa hapësirat për mendimin e lirë janë ngushtuar ndjeshëm. Sipas analistëve të huaj, në fund të vitit 2025 në Kinë ishin të burgosur 123 gazetarë, ndërkohë që në krahinat e periferisë vazhdon shtypja e pakicave në emër të një koncepti gjithnjë e më të gjerë të sigurimit kombëtar.

Në marrëdhëniet me jashtë, Kina po bëhet dita-ditës më vepruese dhe kërkon të shihet si një zgjidhje e qëndrueshme ndaj një Amerike që vlerësohet si e përçarë. Shifrat tregojnë një rritje të peshës së saj, ku që nga viti 2013 udhëheqësit e huaj e kanë vizituar Kinën shumë më dendur sesa Shtetet e Bashkuara.

Lidhja me Rusinë mbetet një bosht i kësaj rruge të re, megjithëse marrëdhënia mbetet e mbështetur te përfitimi për të shmangur dështimet e dikurshme si ato të Bashkimit Sovjetik.

Kina parapëlqen të ndërtojë rrjete të lëvizshme me vendet e pazhvilluara duke ofruar investime pa kushte, e bindur se lëkundjet e shkaktuara nga politika e jashtme e Trumpit vetëm sa e forcojnë narrativën e saj si prijësja e re e rendit botëror./Pamfleti nga “La Stampa”

kina janusi me dy fytyra

Lini një Përgjigje

Forum