TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Mars 2025, 12:18

Karta nën mëngë e Evropës kundër Trumpit

Shkruar nga Bill Emmott

Kur dikush kërcënon se do të vendosë një tarifë prej 200 për qind për verërat tuaja, është e qartë se nuk ke më një marrëdhënie të këndshme me atë vend, e aq më pak një aleancë. Qëndrimi i Donald Trump ndaj Evropës, ka të paktën meritën se është i qartë, sado i pakëndshëm që duket...

Karta nën mëngë e Evropës kundër Trumpit

Ai gjykon se është më mirë që Amerika të jetë vetëm, dhe mendon se është aq e fuqishme sa që “i ka të gjitha kartat”. Në kundërpërgjigje, Evropa ka dy avantazhe të mëdha: aleatë të tjerë përtej Amerikës; dhe nëse llogaritet si Bashkimi Evropian plus Britaninë, Norvegjinë, Zvicrën dhe Turqinë, ekonomia e saj është e njëjtë në madhësi me atë të Shteteve të Bashkuara.

Kjo i jep Evropës shumë “karta” për t’i përdorur për përfitimet e saj afatgjata dhe në negociatat me amerikanët. Në fakt vlera e tregut të kontinentit, po rritet falë efektit të politikave tarifore destruktive të vetë Trumpit ndaj dollarit amerikan.

Fuqia e monedhës amerikane përkundrejt euros vitet e fundit e zgjeroi pasurinë e Shteteve të Bashkuara, një prirje që tani po shkon në drejtimin e kundërt. Kur mendoni se si të reagoni ndaj një situate të re, është e rëndësishme të dalloni se çfarë nuk ka ndryshuar, por edhe çfarë është e re.

Mjedisi i jashtëm, në perëndim përtej Atlantikut dhe në lindje nga Rusia, ka ndryshuar rrënjësisht. Por mjedisi i brendshëm nuk ka ndryshuar, përveçse me gjasë në një aspekt të rëndësishëm.

Ne mund të festojmë ringjalljen e bashkëpunimit franko-gjerman dhe kthimin e Britanisë në fatin e saj gjeografik si një fuqi evropiane, që të dyja në përgjigje të kërcënimit të jashtëm. Por duhet ta pranojmë se politika e brendshme e Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Austrisë dhe të tjerëve mbetet shumë e prekur nga ndjenjat e zemërimit për migracionin dhe situatën e vështirë ekonomike.

Kjo është e vërtetë edhe për Britaninë, ndonëse qeveria laburiste e Keir Starmer po mbrohet prej saj nga një shumicë e madhe parlamentare. Një udhëheqës i dobësuar si Emmanuel Macron në Francë, ndan me liderët e fortë e të sapozgjedhur si Friedrich Merz i Gjermanisë dhe Starmer i Britanisë nevojën për të siguruar që çfarëdo zgjidhje që gjendet për rindërtimin e mbrojtjes e Evropës dhe mbrojtjen e Ukrainës, të mos shtojë ankesat e brendshme që kanë nxitur ngritjen e partive ekstremiste.

Në vend të kësaj, duhet të ndihmojnë për të krijuar një mirëkuptim të përbashkët dhe solidaritet. Por s’do të jetë e lehtë. Starmer ka detyruar largimin e një ministri të kabinetit të tij duke shkurtuar ndihmën jashtë shtetit, për të financuar rritjen e shpenzimet shtesë në mbrojtje.

Ndërkohë tani përballet me një rebelim të ri të kabinetit në lidhje me shkurtimet e shpenzimeve të mirëqenies sociale. Në Gjermani Merz do përballet me probleme të ngjashme, teksa po synon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe infrastrukturën publike, por pa e  rritur më tej popullaritetin e kundërshtarëve të tij të Alternativës për Gjermaninë, AfD, të ekstremit të djathtë apo të së majtës ekstreme Die Linke.

Gjithsesi, Macron, Merz, Starmer dhe fqinjët e tyre, kanë një avantazh të rëndësishëm: trajtimi brutal i Trump ndaj Ukrainës dhe lufta e tij tregtare ndaj Evropës, kombinuar me kërcënimin gjithnjë e më të dukshëm nga Rusia, në luftën e informacionit si dhe atë kinetike, po e ndryshon kuptimin e patriotizmit dhe nacionalizmit, në të gjithë kontinentin.

AfD ka qenë pro Putinit edhe pse supozohet se është nacionaliste. Kancelari i zgjedhur Merz mund ta sulmojë lehtësisht si anti-gjermane. Në Francë, Marine le Pen përballet me një vështirësi të ngjashme: lidhjet e saj të dikurshme me Rusinë, cilësohen si antipatriotike.

Brenda koalicionit të Giorgia Melonit në Itali, Matteo Salvini dhe Lega duhet të jenë tani më të kujdesshëm, por edhe vetë Meloni. Është vetëm në fillimet e saj, por një formë dhe drejtim i ri për Evropën po shfaqet nga këto forca të jashtme dhe të brendshme në ndryshim.

Mund të identifikohen 4 çështje themelore. E para, po merr prioritet bashkëpunimi për operacionet ushtarake dhe investimet në mbrojtje. Kjo po ndodh kryesisht në nivelin e qeverive kombëtare dhe jashtë institucioneve formale të BE-së, lejon pjesëmarrjen e vendeve jo anëtare si Britania dhe Norvegjia, dhe pengon anëtarët armiqësorë si Hungaria që të futin shkopinj nën rrota.

Së dyti, fuqia dhe përvoja ushtarake e Ukrainës, dhe industria e saj e mbrojtjes në rritje dhe e testuar nga beteja, përfaqësojnë një pjesë jetike të forcës dhe sigurisë së ardhshme ushtarake të gjithë kontinentit.

Nëse do arrihet paqja, rindërtimi i qyteteve të shkatërruara të Ukrainës dhe integrimi i ekonomisë së saj, mund të shërbejnë për të nxitur rritjen në të gjithë Evropën. Kjo e bën edhe më të rëndësishme, që demokracia e Ukrainës të mbrohet nga manipulimi rus dhe amerikan.

Së treti, mbrojtja e qeverisë kombëtare dhe programet e investimeve publike duhet të drejtohen në një mënyrë që të maksimizojnë rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të përbashkët. Në lidhje me negociatat e jashtme, çështjet janë të qarta.

Ka vetëm një mënyrë për t’u përballur me ngacmuesit, dhe ajo është duke u përgjigjur  ashpër dhe me vendosmëri, qoftë mbi tarifat apo sabotazhin ushtarak. Fatmirësisht, kjo mund të bëhet edhe në koordinim me aleatët, nga të cilët Evropa tani ka më shumë se Amerika apo Rusia.

Është koha të punohet bashkë me Japoninë, Kanadanë, Tajvanin, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe partnerët e afërt si Britania, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia. Evropa nuk është vetëm./Pamfleti nga “Asia Times”

Shënim: Aktualisht pedagog dhe konsulent i pavarur për çështjet ndërkombëtare,  Bill Emmott ka qenë në vitet 1993-2006 kryeredaktor i “The Economist”.

karta nën mëngë trump evropa

Lini një Përgjigje