
Nuk ishte vetëm një kohë e terrorit qe edhe kohë e letërsisë. Shkrimtari mbretëronte përballë tiranit.
Në murin pas të cilit ishin mbyllur burra e gra shqiptare mijëra faqe nga letërsia e Ismail Kadaresë gdhendeshin. Ato lexoheshin në dy anët njësoj. Para atij muri ai luante vallen si instikt bazik i njeriut që thërret liri. Nuk ishte një valle makabre. I lëvizte këmbët pafajësia. Ishte pafajësia e një buzëqeshjeje të përgjakur. Nëse do i kërkonim ndihmë Kunderes si vëllaut më në lindje mbase këtë do na thoshte.
Jeta, mbijetesa, ndërgjegjja e lidhjes që nuk ndryshket kurrë mes së mirës dhe së keqes, të qenit i huaj në token tënde por edhe përgjegjës madhor për fatin e saj nga një ngjizje misterioze i bëjnë tekstet e Kadaresë vështruese të një “momentumi” pa të shkuar po kaq pa të ardhme sikur ato rrinë në të pamëshirshmin shtrat të Prokrustit.
Paradoksalisht, ose si dëshmi e një spirance ngulur në rrënjët e tokës si dhëmbët e Kadmosit në kujtesën mitologjike të lexuara sot ose nesër ato paraqiten të domosdoshme, duke ndikuar mbi axhenden kulturore dhe mendimin e çdo kujt duke humbur disa përmasa për të fituar të tjera tek universalja, vija trashendentale e “botes sanë”. Gjithmonë është sot. E djeshmja ka ikur e ardhmja ende ska trokitur. Aktualja si e transformuar me teknologji artificiale nuk mplaket kurrë aty. E ndjek njeriun personazh, shqiptar, francez polak, rus, kinez, amerikan qoftë apo personazhin që rikthehet tek njeriu ore e çast përtej krahinës, moteve, kombeve, gjeografisë, sistemeve dhe gjuhës.
Një kulturë (ajo shqiptare) nuk rritet duke u asimiluar brenda kulturave më të forta, por nëse ajo dialogon me ato, kurioze për të mësuar.
Kadare e shkaktoi këtë kuriozitet, më saktë e imponoi, edhe përtej dëshirës së të tjerëve, sapo e kudo si gjithë gjerat e forta natyrore që nuk marrin leje po shndërrohen në fenomene. Brenda historinë, gjenerues i saj, me letërsinë dhe bërës i saj, tek Europa si bir i vet që i përkufizon identitetin me “ulerimen civile” të Mun në fytyrën noprane e nazike, shqiptar i vjetër sa të gjithë shekujt bashkë, bashkëbisedues i Pirros dhe Teutës, Skënderbeut, Naimit e Fishtës, At Zef Pllumit, i prindërve tanë i yni dhe fëmijëve tanë, në pritje të atyre që do vinë i pa moshë për ata që do kalojnë mbi këtë tokë e nën këtë qiell, Ismail Kadare “në veçantësinë që paraqet Europa qendrore e ajo lindore (shkruante dikur Itsvan Bido) përkatësia gjuhësore shndërrohet në faktor politik e historik, e mbi të gjitha një faktor që u paraprin përcaktimeve territoriale në kufijtë ekzistues, e në disa raste formimin e kombeve te reja”.
Një prej rëndësive që kjo enciklopedia kadareane ka për shqiptaret mund te gjendet edhe në këto fraza ku gjuha kultura dhe ekzistenca plotësojnë njëra tjetrën. Gjeniu shfaqet gjithnjë e më i heshtur pasi i ka kryer të gjitha! Le të bëjmë detyrën tonë, të përpiqemi ta kuptojmë atë.
Lini një Përgjigje