TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Nëntor 2024, 17:11

Gjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur liroi sot shtetasin Berisha?

Shkruar nga Kreshnik Spahiu

Gjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur liroi sot shtetasin

Nga sot, nuk ka rëndësi mosha për të akuzuarit sepse Berisha ishte më i qetë në shtëpi sesa në rrugë dhe masa e gjykatës ishte justifikuar me pleqërinë.

Sali Berisha sot ligjërisht është i lirë por nuk është shpallur i pafajshëm nga akuzat.

Sigurisht 90% e publikut nuk e kuptojnë ndryshimin e gjykimit në “gjendje të lirë” dhe në shpalljen “i pafajshëm”.

Dhjetëra politikanë janë hetuar të lirë por janë deklaruar fajtorë dhe dënuar me burg si në rastin e Saimir Tahirit, Ervin Salianjit, Vangjush Dakos etj.

Gjithsesi kjo analizë juridike nuk vlen për militantët por për profesionistët.

Vendimi i gjykatës për zëvendësimin e masës sigurimit për Sali Berishën ka më shumë efekte procedurale të praktikës me raste analoge sesa me vetë Sali Berishën për këto arsye:

- nga sot, çdo i akuzuar për korrupsion pasiv me vlera të mëdha apo të vogla duhet të kërkojë të hetohet i lirë njësoj si shtetasi Berisha.

- nga sot, ish-presidenti Meta duhet të kërkojë zëvendësimin e masës së sigurimit nga arrest me burg, në detyrim për paraqitje njësoj si Berisha.

- nga sot, Arben Ahmetaj duhet të kërkojë heqjen e arrestit dhe hetimin në gjendje të lirë sepse çështja ka kaluar për gjykim dhe nuk rrezikohen provat.

- nga sot, Gjykata duhet të mbajë një standard procedural për masat e sigurimit për subjekte që akuzohen për korrupsion dhe nuk duhet të arrestojë asnjë prej tyre sepse sipas Kushtetutës të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

- nga sot, nuk ka rëndësi mosha për të akuzuarit sepse Berisha ishte më i qetë në shtëpi sesa në rrugë dhe masa e gjykatës ishte justifikuar me pleqërinë.

- nga sot, gjykata provuan se për të njëjtën çështje vendosin tre herë në tre mënyra të ndryshme.

- nga sot, Berisha duhet të tërheqë padinë e Strasburgut sepse s’ka objekt sepse gjykata shqiptare ja njohu të drejtën dhe ai është i lirë.

Gjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Sali Berisha?

Përgjigjen duhet ta japë vetë Berisha por qartazi që nga dita që u firmos pakti PD-PS kemi disa vendime pro Berishës dhe grupit të tij:

- Vula e PD

- Rroga 3500 euro e deputetëve të PD

- Listat e mbyllura të deputetëve

- Amnistia penale e të korruptuarve

- Lirimi i Berishës

A është ndikuar gjykata nga marrëveshja PD-PS?

Padyshim edhe gjyqtarët janë shqiptarë dhe jo amerikanë. Ata jetojnë në një “fshat” të vogël ku të gjithë njohin njëri-tjetrin.

Thjesht gjyqësori ka një nuhatje të zhvilluar për të kuptuar luftën apo teatrin politik.

Sot meqë ra fjala u mblodh Komisioni Anti-Korrupsion dhe sigurisht mbledhja e radhës do të zhvillohet pas një muaji ku pjesë e luftës anti-korrupsion do jetë koalicioni PD-PS.

Me pak fjalë “të pandehurit” do kërkojnë që SPAK dhe GJKKO të shkojnë të japin llogari para tyre.

Vendimi i gjykatës për lirimin e shtetasit Berisha është i drejtë por me një kusht, nëse sot hapen burgjet dhe lirohen të gjithë të paraburgosurit për korrupsion.

Nëse gjykata do të lirojë të gjithë si Berisha, atëherë është e pavarur. Në të kundërt ajo është gjykatë politike e varur nga Berisha, Rama dhe nga establishmenti politik.

Lini një Përgjigje