TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Mars 2025, 12:33

Çfarë do mbetet nga Amerika pas Donald Trump-it?

Shkruar nga Riccardo Alcaro*

 

Çfarë do mbetet nga Amerika pas Donald Trump-it?
Donald Trump /

Demokracia amerikane po dobësohet dhe do të bjerë efektiviteti i shtetit federal...

Donald Trump e mori detyrën vetëm më 20 janar. Por administrata e re ka miratuar një numër kaq të madh nismash përçarëse, sa që tronditja është shumë e madhe. Siç e kanë mësuar shumë njerëz tashmë, Amerika e Para, ose lëvizja MAGA që mishëron Trump, përfshin shumë gjëra.

Së pari, idenë se Amerika po vuan nga një kalbje e madhe morale, nga e cila mund ta nxjerrë vetëm Trump. Së dyti, bashkimin e kombit në një qasje të fortë kundër emigrantëve, dhe së fundmi nacionalizmin e krishterë dhe konservatorizmi social, në krahasim me një qasje më kozmopolite dhe liberale.

Në politikën e jashtme, Amerika e Para është një përzierje e proteksionizmit, unilateralizmit dhe real-politikës, me pakte aspak parimore midis fuqive të mëdha, në vend të atyre shumëpalëshe dhe aleancave tradicionale, me shumë pak vëmendje për vendet e bllokuara midis dy kampeve si Ukraina.

Kësaj i shtohet ekspansionizmi territorial, nga Grenlanda në Kanalin e Panamasë, dhe nga Kanada në Rripin e Gazës. Edhe marrëdhënia me industrinë e teknologjisë së lartë pasqyron një logjikë pushteti: Trump është i prirur të promovojë dominimin teknologjik amerikan, ndërsa favorizon gjigantët e sektorit me reduktim rregulloresh dhe ulje taksash.

Në këmbim kërkon besnikëri, veçanërisht në menaxhimin e informacionit - pra moderimin e përmbajtjes dhe kontrollin e fakteve - në mediat sociale. Në këtë kontekst, zbatimi i qasjes Amerika e Para është bërë i pandashëm nga pushteti personal i presidentit.

Këtu lind marrëdhënia e veçantë mes Trump dhe Elon Musk. Trump beson se mandati i tij i parë u sabotua nga një sërë armiqsh të brendshëm: establishmenti republikan që kufizonte ambiciet e tij; administrata federale që dyshohet se ka injoruar ose shtrembëruar urdhrat e tij; dhe mediat kritike që ka shpifur ndaj tij.

Trump i kaloi 4 vitet e fundit larg Shtëpisë së Bardhë duke u përgatitur dhe pjesërisht duke nisur një sulm të madh kundër këtyre armiqve. Establishmenti republikan është mposhtur tërësisht. Ajo që në shkencat politike quhet kapja e partisë, kishte ndodhur që në janarin vitit 2021.

Pavarësisht sulmit në Kapitol, qindra republikanë refuzuan të certifikonin zgjedhjen e rregullt të Joe Biden. Që nga ajo kohë, kontrolli i Trump në parti është bërë gjithnjë e më i hekurt. Falë karizmës që ka në elektorat por edhe fuqisë financiare që i garanton atij mbështetja e Musk, Trump është në gjendje të frikësojë republikanët në Kongres. Gjithçka që i duhet është tw kërcënojë me një fushatë mediatike kundër tyre dhe financimin e një sfidantëve të tyre në zgjedhjet e ardhshme paraprake. Për Trump, ushtrimi i presionit ndaj senatorëve republikanë deri në bindjen e tyre të verbër, ishte jetik për të siguruar votat për nominimet e tij në kabinet.

Pas kapjes së Partisë Republikane, ka ardhur koha për kapjen e shtetit. Dhe mos u gënjeni nga fakti që drejtimi i Departamentit të Shtetit dhe Thesarit i është dhënë figurave republikane të establishmentit si Marco Rubio dhe Scott Bessent.

Këta janë dy republikanë tradicionalë, por të zbutur. Dhe mbi të gjitha, mbajnë pozicione që kanë relativisht pak interes për Trumpin. Ato për të cilat interesohet vërtet presidenti i ri është kontrolli i agjencive federale, ku qëndron fuqia shtrënguese e shtetit. Kjo është arsyeja pse në këto agjenci kanë vendosur më besnikët, edhe nëse kanë pak përvojë.

Kjo strategji shpjegon edhe emërimet e Pete Hegseth (një veteran dhe ish-moderator i Fox News) për të udhëhequr Pentagonin; të Kash Patel, një teoricien i njohur i konspiracioneve, në krye të FBI-së; të Tulsi Gabbard, ish-demokrate pro-ruse, si Drejtore e Inteligjencës Kombëtare; dhe Pam Bondii, ish-Prokurore e Përgjithshme e Floridës, në krye të Departamentit të Drejtësisë.

Trump nuk është fokusuar vetëm tek postet kryesore. Ai sulmoi të gjithë strukturën e shtetit federal. Dhe këtu hyn në skenë Musk, i emëruar nga Trump për të udhëhequr një zyrë të re federale me një status shumë të mjegullt: Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, DOGE.  

I përbërë nga dhjetëra inxhinierë dhe zhvillues të rinj softuerësh nga kompanitë e Musk, DOGE i ka dhënë vetes kompetencat për të pasur qasje në informacione shumë të ndjeshme, për të vlerësuar dhe shkarkuar personelin, mbi baza ligjore të dyshimta.

Trump, Musk dhe drejtori i Menaxhimit dhe Buxhetit Russel Vought, e kanë tronditur në themel administratën federale dhe kanë traumatizuar dhjetëra mijëra zyrtarë me masa të paprecedenta. Midis tyre, ishte një ngrirje e plotë e pagesave federale, një vendim që më vonë u anulua nga një gjyqtar (megjithatë, jo të gjitha pagesat duket se janë rikthyer, në kundërshtim me vendimin).

Paralelisht, ka filluar shpërbërja e institucioneve të rëndësishme qeveritare, si Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Byroja Federale për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Agjencitë federale të krijuara nga Kongresi si organe të pavarura, si Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime, American Consob dhe pjesërisht vetë Rezerva Federale (fuqia e së cilës për përcaktimin e normës e interesit mbetet tani për tani e paprekur), i janë nënshtruar Shtëpisë së Bardhë, e cila do të vlerësojë paraprakisht rregulloret që propozojnë.

Dhjetëra inspektorë të përgjithshëm, të ngarkuar me mbikëqyrjen e pavarur të veprimtarive të qeverisë, janë shkarkuar pa ndjekur procedurat normale. Ndërkohë, DOGE ka fituar qasje në informacione të ndjeshme që gjenden në bazat e të dhënave të Departamentit të Thesarit dhe së shpejti edhe të Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), agjencisë tatimore kryesore në vend.

Mijëra zyrtarë federalë janë shkarkuar masivisht (një gjykatës e bllokoi përkohësisht lëvizjen, por fati i punonjësve mbetet i pasigurt), dhe disa zyrtarë të nivelit të lartë me dekada përvojë kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste.

Të gjitha këto nisma jo vetëm kanë krijuar kaos por nxitur edhe konflikte interesi të përmasave të mëdha. Për shembull, agjencitë rregullatore, pavarësia e të cilave është e kufizuar, kishin hapur hetime për disa nga kompanitë e Musk.

Rasti më i bujshëm është vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të pezulluar një hetim për korrupsion ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut, demokratit Eric Adams, për të siguruar besnikërinë e tij. Ligjshmëria e të gjitha këtyre vendimeve, si dhe vetë qëndrimi i DOGE, janë shumë të diskutueshëm, dhe dhjetëra procese gjyqësore janë në vazhdim.

Kongresi, që duhet të jetë kontrollori kryesor për abuzimet e ekzekutivit, është i nënshtruar në mënyrë të bindur, pasi republikanët kontrollojnë të dyja dhomat. Media, armiku i tretë i Trumpit, është tani më e ekspozuar ndaj sulmeve të qeverisë dhe e delegjitimuar në sytë e publikut, pas një fushate të furishme kundër “lajmeve të rreme” nga Trump, Musk dhe mediat e krahut të djathtë. Pra demokracia amerikane po dobësohet dhe do të bjerë efektiviteti i shtetit federal./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

amerika pas trumpit

Lini një Përgjigje