Vetëm tre vjet më parë, Kemal Kilicdaroglu konsiderohej kundërshtari më i rrezikshëm i presidentit turk, sot ai po përfshihet në lojën e tij të errët. Për të gjithë turqit që ende shpresojnë për ndryshim, këto janë lajme të këqija…
Themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturk, ndoshta do të rrotullohej në varr po të shihte se çfarë po ndodh këto ditë me partinë e tij CHP: policë të uniformuar sulmojnë selinë e partisë me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Kryetari i partisë nxirret në rrugë. Ndërsa pasardhësit të tij i dorëzohet drejtimi i partisë më të rëndësishme opozitare në Turqi përmes një vendimi të diskutueshëm gjyqësor.
Ngjarjet dramatike të ditëve të fundit në Turqi tregojnë edhe një herë se sa pa mëshirë po e shndërron presidenti Recep Tayyip Erdogan vendin e tij në një autokraci. Është e vërtetë që nuk ishte vetë Erdogani ai që e shkarkoi kreun e CHP-së, Özgür Özel, dhe instaloi si pasardhës Kemal Kilicdaroglu-n, këtë e bëri një gjykatë në emër të tij. Por drejtësia turke prej kohësh është kthyer në një mjet të këtij sistemi të ndërtuar posaçërisht për Erdoganin. Me veprimin më të fundit kundër CHP-së, presidenti po krijon tashmë edhe një opozitë sipas dëshirës së tij.
Për shumë ekspertë është e qartë se cili është qëllimi i Erdoganit: ai dëshiron të organizojë zgjedhje të parakohshme për të anashkaluar kufizimin kushtetues të mandateve dhe për të qëndruar edhe disa vite të tjera në krye të Turqisë. Sa më e dobët të jetë opozita, aq më mirë për të. Një rol qendror në këtë proces po merr kryetari i ri-vjetër i CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, i cili nga kundërshtari më i ashpër i Erdoganit është shndërruar në një zbatues të bindur të interesave të tij.
CHP-ja rrezikon përçarjen
Vetëm në vitin 2023, Kilicdaroglu ishte simbol shprese për miliona turq. Për shkak të vijës së tij të paqartë politike, kandidatura e tij presidenciale ishte e debatueshme, por shumë njerëz besonin se vetëm ai mund ta mposhtte Erdoganin në zgjedhje. Megjithatë, Kilicdaroglu, i cili gjatë 13 viteve në krye të CHP-së nuk arriti të fitonte asnjë palë zgjedhje, humbi edhe kësaj here. Si pasojë, në kongresin e partisë në nëntor 2023 ai u zëvendësua nga posti i kryetarit. Delegatët e CHP-së zgjodhën në vend të tij Özgür Özel, i cili vetëm një vit më vonë e çoi partinë drejt disa fitoreve të rëndësishme në zgjedhjet lokale.
Por sipas drejtësisë turke, Özel kishte korruptuar delegatë për të siguruar drejtimin e partisë. Për këtë arsye, gjyqtarët e larguan tani nga posti dhe ia rikthyen atë Kilicdaroglu-t. Ata u mbështetën në ligjin për partitë politike, sipas të cilit vendimet e organeve partiake mund të anulohen në rast parregullsish të rënda. Natyrisht, është jashtëzakonisht problematike që në një demokraci gjykatat të vendosin për çështje personale brenda partive politike. Po aq problematik është fakti që Kemal Kilicdaroglu po merr pjesë në këtë lojë të kalbur.
77-vjeçari nuk kritikoi as vendimin e gjykatës dhe as sulmin e policisë ndaj selisë së partisë. Në vend të kësaj, ai shkroi me tone patetike në rrjetet sociale: “Askush të mos shqetësohet, ne do ta mbajmë partinë tonë larg këtyre debateve dhe do të vazhdojmë marshimin tonë drejt pushtetit.” Por edhe vetë Kilicdaroglu duhet ta kuptojë se nuk po i bën asnjë favor partisë së tij. Shumë votues të CHP-së nuk do ta shohin më si një politikan të besueshëm, por si një marionetë të Erdoganit.
Edhe brenda partisë, Kilicdaroglu vështirë se do të arrijë të sjellë qetësi dhe stabilitet. Përkundrazi, ekziston rreziku i përçarjes së CHP-së. Një opozitë e përçarë do ta ketë edhe më të vështirë të mposhtë Erdoganin dhe AKP-në e tij në zgjedhje. Për të gjithë ata turq që ende nuk e kanë humbur besimin te një ndryshim demokratik në vendin e tyre, këto janë lajme të këqija. Sistemi i Erdoganit është bërë edhe pak më i fortë dhe më rezistent.
Megjithatë, situata nuk është aspak e favorshme as për vetë Erdoganin. Gjendja ekonomike është e rëndë, ndërsa pasojat e luftës me Iranin dhe bllokimi i ngushticës së Hormuzit po e godasin fort Turqinë. Bankat shtetërore po shesin çdo javë miliarda në valutë për të stabilizuar lirën turke. Që tani, shumë turq mezi arrijnë të përballojnë jetesën. Nëse Erdogani nuk arrin t’i zgjidhë këto probleme, atëherë ndoshta edhe një opozitë e dobët nuk do të mjaftojë për t’i fituar zgjedhjet. /Përshtatur nga NZZ/
Lini një Përgjigje