TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Qershor 2024, 10:39

Erdogan po e rrokullis Turqinë drejt islamizmit radikal

Shkruar nga Domiziana Fabbri

 

Erdogan po e rrokullis Turqinë drejt islamizmit radikal
Recep Tayyip Erdogan /

Linçime publike ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe...

Presidenti-akrobat i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ka përshpejtuar hapat drejt arritjes së synimit për krijimin në vend të një shteti islamik, duke i dhënë një kthesë “logjike” anti-evropiane politikës ndërkombëtare të Ankarasë.

Rruga e Erdoganit kundër Turqisë laike, siç u vendos që në fillim nga presidenti i parë i Republikës së Turqisë, masoni Mustafa Kemal Atatürk (1881-1938), ka qenë e qartë që nga koha kur ai ishte kryetar i bashkisë së Stambollit në vitet 1994-1998.

Në atë kohë, ai shprehte hapur mungesën e interesit për konceptet demokratike, duke deklaruar:”Demokracia është si një tramvaj, kur mbërrin në destinacion duhet të zbresësh!”. Erdogan u bë kreu i qeverisë turke në vitin 2003, pasi u dënua nga gjykata për ekstremizëm.

Në vitin 2014 ai mori postin e Presidentit të Republikës, duke vazhduar të firmoste ligje anti-sekulariste, edhe pse islamizimi nuk ishte zyrtarisht në axhendën e partisë së tij.

AKP, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, triumfoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002. Islamizimi i Turqisë perceptohet sot shumë qartë. Gradualisht dhe fshehtazi ai ka depërtuar në një shoqëri që në pak më shumë se 100 vite ka manovruar nëpër “rrugicat” gjithnjë e më të ngushta të sekularizmit të Ataturkut. Një proces i gjatë, por mbi të gjitha tinëzar, sepse nga pikëpamja juridike nuk ka pasur rregullime ligjore.

Por në praktikë, po ndihet çdo ditë e më shumë pengimi i “lirive laike”. Në fakt, me kushtetutë Republika e Turqisë, e themeluar në vitin 1923, mbetet ende laike. Edhe menaxhimi i biznesit ka konotacione laike. Megjithatë jeta shoqërore priret të shkojë drejt islamizimit gradual.

Erdogan e përsërit shpesh se qeveria nuk ka ndërhyrë asnjëherë dhe nuk dëshiron të ndërhyjë në jetën private të qytetarëve, por në praktikë vepron ndryshe. Në fakt, mënyra e veprimit të presidentit e ka çekuilibruar balancën e pushtetit shtetëror, duke privilegjuar myslimanët praktikues, si nga pikëpamja politike ashtu edhe sociale, dhe duke i vendosur ata në qendër të prioriteteve, në dëm të qytetarëve laikë.

Rastet e fundit shqetësuese të qëndrimeve anti-sekulariste ndodhën më 11 qershor në Gebze, një periferi e largët e Stambollit, ku një grup nxënësish të shkollave të mesme nga Instituti Alaettin Kurt u penguan që të merrnin pjesë në një ceremoni diplomimi.

Ndalimi i hyrjes në vendin e ceremonisë, u vendos nga anëtarët e administratës së universitetit, të cilët e konsideruan si të papërshtatshme veshjen e studentëve. Në fakt, një rregull për veshjen u miratua së fundmi nga këshilli administrativ i universitetit, i cili i ndalon studentet femra të veshin funde mbi gju, geta, pantallona të shkurtra, bluza pa mëngë apo shumë të ngushta pas trupit.

Ndërhyrja e forcave të policisë të thirrura në vendngjarje, si pasojë e protestës që nxiti ky vendim, u përqendrua tek prindërit e studentëve, të cilët të tronditur nga ky qëndrim demonstruan në mënyrë të bujshme kundër administratës së universitetit. Përplasja u zgjidh më pas me ndërhyrjen e vetë rektorit i cili lejoi studentët të veshur lirshëm të merrnin pjesë në atë aktivitet.

Kjo ngjarje bëri jehonë në rrjetet sociale në nivel kombëtar, duke e detyruar Ministrin e Arsimit, Yusuf Tekin, i cili në fillim e kishte mbrojtur administratën e universitetit, të deklaronte se do të dërgonte inspektorë nga ministria për të kryer një hetim të plotë mbi incidentin dhe ndoshta për të marrë disa masa ndëshkuese.

Një “lëvizje” kjo politike, që synon zbutjen e protestës së përhapur në mbarë vendin, por që nuk e fsheh prirjen për të shtypur liritë individuale në kuadrin e një islamizimi gradual të shoqërisë. Një ditë më parë, rreth 50 ekstremistë islamikë që po thërrisnin “Allahu Akbar!”, sulmuan një kompani kërcimi që po performonte në parkun e qytetit Diyarbakir në Turqinë Juglindore.

Erdogan po e rrokullis Turqinë drejt islamizmit radikal

Grupi islamik është identifikuar. Ai i përket lëvizjes xhihadiste Hezbollah, referenca politike e së cilës është Hür Dava Partisi, Hüda-Par, pra Partia e Kauzës së Drejtë; një forcë politike islamike kurde ultra-konservatore, e cila është një nga mbështetësit e koalicionit qeveritar aktual në Turqi.

Ndërkaq rreth 10 ditë më parë në rajonin e Anadollit, në Konia, në qendrën e restoranteve të menaxhuara nga rrjeti amerikan i ushqimit të shpejtë Burger King, një grup demonstruesish pro-palestinezë që protestonin kundër Izraelit, të kapluar nga një valë anti-amerikanizmi, sulmuan me dhunë klientët e restorantit, duke shkatërruar tërësisht ambientin dhe duke brohoritur kundër zinxhirit amerikan të restoranteve.

Megjithatë, politika anti-laike po depërton çdo ditë në aspektet më të ndryshme të komunitetit turk. Realiteti është se Erdogan është një islamik i përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie islamike, dhe për ta arritur këtë qëllim ai po përdor fuqinë e postit që mban dhe çdo lloj burimi shtetëror.

Presidenti turk ka një kontroll të gjerë të vendit, mbi çdo projekt. Çdo gjë shqyrtohet dhe vendoset nga autokrati, por mbi të gjitha ai nuk ka as më të voglin synim të ndjekë parimet laike që sollën në jetë republikën turke, dhe ndoshta të ringjallë projektin e vjetër të frymëzuar nga Revolucioni iranian i vitit 1979 . Nëse vazhdon procesi i islamizimit, Erdoganin mund ta konsiderojmë si varrmihësin e laicizmit kemalist./Përshtati Pamfleti nga “Opinione.it”

erdogan turqia islamizmi radikal

Lini një Përgjigje