TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Maj 2025, 16:44

BE hap kapitujt e sigurisë ushqimore, por fëmijët po helmohen!

Shkruar nga Mentor Kikia

BE hap kapitujt e sigurisë ushqimore, por fëmijët po helmohen!

Në ndihmë të negociatave për anëtarësimin në BE!

Shqipëria ka hapur pjesën më të madhe të kapitujve për negociatat me BE. Ne mesin e kapitujve janë edhe “Prokurimet publike”, “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”, “Mbrojtja e Konsumatorit dhe e Shëndetit Publik”…

Përtej entuziazmit tonë politik për mbylljen e të gjithë kapitujve(33) brenda vitit 2027 dhe përtej kushteve gjeostrategjike që favorizojnë anëtarësimin në 2030, neve që jetojmë këtu na interesojnë pasojat, apo impakti, i këtyre kritereve në jetën tonë.

Në një kopsht publik në Gramsh, rreth 70 fëmijë patën probleme shëndetësore të shkaktuara nga një helmim prej ushqimit. Dyshohet prej bakterit Salmonelë. E di, që incidente të tilla ndodhin edhe në BE. Por çështja është çfarë mekanizmash ka shteti për të kapur dhe parandaluar rrezikun, dhe mbi të gjitha, si reagohet pas rastit. Sipas medias, ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.

Çfarë ndodhi me një kompani që u denoncua nga media me bujë pak javë më parë për futjen e mishit me salmonele nga Brazili? Asgjë. Kompania, pasi fshehu rastin, pasi refuzoi të bashkëpunonte me shtetin, thjeshtë shtoi fondin e reklamave për të rikuperuar dëmin në imash. Televizonet që i transmetuan ato fërkuan duart dhe “jeta vazhdon”.

Kompania e bën furnizmin me ushqime të kopshtit, jo vetëm të këtij kopshti, por edhe të shumë institucioneve publike si spitale e burgje, sipas medias ka një historik negativ me shtetin. Disa vite më parë pronari i saj ishte arrestuar, pasi sëbashku me disa kompani të tjera, dhe kupolën drejtuese të sistemit të burgjeve kishin ngritur një skemë që kontrollonte tenderat e furnizimit me ushqime të burgjeve(dhe të burgosurit konsumojnë shumë, ata jetojnë më mire se 70% e popullsisë në këtë vend).

Çfarë ndodhi? Asgjë. Pronari e kaloi kompaninë në emër të të bijës dhe vazhdon të marrë tendera. Sipas medias, shumë nga këta tenderë janë shënuar me “flamur të kuq” në sistemin e prokurimeve publike një sinjal paralajmërues për mungesë transparence, konkurrencë të dobët, ose dyshime për parregullsi në procedura.

Ja pra, që për të përmbyllur Kapitujt e “Sigurisë ushqimore” dhe “Transparancës ne prokurime”, nuk mjafton as dëshira jonë e as “halli gjeostrategjik” i BE-së. Edhe nëse BE-ja çmendet dhe na hap dyert, ne nuk duhet ti gëzoheni anëtarësimit në BE, por duket të kërkojmë përmbushjen e kritereve dhe standardeve që na përmirësojnë kushtet e jetesës, qe gëzojnë vendet dhe popujt e BE-së.

Lini një Përgjigje