TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Janar 2025, 14:04

Armata në hije e Putinit: Ja si nafta ruse vazhdon të shitet fshehurazi në Evropë

Shkruar nga Stephen Smith

 Armata në hije e Putinit: Ja si nafta ruse vazhdon të shitet

Pyetja se përse sanksionet perëndimore kanë dështuar ta dëmtojnë rëndë ekonominë ruse gati 3 vjet pas pushtimit të Ukrainës, e gjen përgjigje tek anija cisternë “Eagle S”, e sekuestruar javën e kaluar nga autoritetet finlandeze, si e dyshuar për këputjen e një linje energjitike nënujore...

Hetimet e autoriteteve, mund të zbulojnë se këto anije po përdoren tani për të sabotuar në mënyrë aktive infrastrukturën evropiane. Por “Eagle S”, është pjesë e një rrjeti shumë më të madh, i cili ka garantuar fluksin e parave për fushatën ushtarake të Kremlinit në Ukrainë, teksa përbën një kërcënim të madh për mjedisin dhe jetën e njerëzve. 

Jetëgjatësia e një cisterne nafte është zakonisht 15 vjet. Por Moska i është rikthyer përdorimit të anijeve të saj të vjetra për të ofruar furnizimet me naftë bruto, eksportin e saj kryesor kombëtar, tek blerësit e gatshëm, përfshirë Kinën, Indinë dhe Turqinë.

Nafta shitet mbi kufirin e çmimit prej 60 dollarësh për fuçi, që u imponua nga Uashingtoni dhe aleatët e tij për të pakësuar të ardhurat në dispozicion të Vladimir Putinit. Por ato zgjodhën që ta lejojnë Rusinë të vazhdojë tregtinë, për të shmangur mungesën e naftës në nivel global dhe bashkë më të edhe rritjen e çmimit.

Kjo hapësirë po e toleron ekonominë e zezë, duke e shitur naftën nën normën e tregut ndërkombëtar, e cila në tetor 2024 arriti në 80 dollarë për fuçi. Kjo lloj tregtie ka garantuar miliarda dollarë shtesë për regjimin në Kremlin. Një cisternë nafte, është një nga strukturat më të mëdha të krijuara nga njeriu.

Dhe ato po bëhen gjithnjë e më gjigante. Cisternat më të mëdha të naftës, kanë një kapacitet prej 500.000 ton. Por sado të mëdhenj që të jenë këta përbindësha prej hekuri dhe çeliku, deti është pafundësisht më i madh dhe ai po zgjerohet gjatë gjithë kohës ndërsa rritet niveli i tij.

Përveç disa traktateve të dobëta ndërkombëtare mbi detet dhe lundrimin në to, bota nuk ka një forcë policore detare, dhe pronarët e anijeve dhe ekuipazhet e tyre kanë përfituar nga kjo situatë. Vetë Putin po e përdor si kurrë më parë për interesat e tij dhe kundër Perëndimit.

Shumica e atyre që vizitojnë Helsinkin, mund të jenë të pavëmendshëm ndaj kësaj rruge tregtare të errët. Nga restorantet buzë detit, mund të kundrohet pamja mbresëlënëse e Gjirit të Finlandës. Po aty pranë gjendet Suomenlinna, një fortesë ushtarake e ndërtuar që në shekullin XVIII në një nga ishujt më të mëdhenj të banuar të këtij arkipelagu të madh.

Në Suomenlinna banojnë sot vetëm 800 njerëz. Vizitorët atje do të ndeshen shpejt me tabelat ndaluese dhe pajisjet e mbikëqyrjes elektronike. Kjo sepse në ishull ka ende një bazë ushtarake. Ajo u ndërtua për herë të parë nga suedezët, kur Finlanda ishte pjesë e mbretërisë suedeze.

Iu dorëzua ushtrisë ruse në vitin 1809, dhe u bë një bazë detare ruse për 100 vitet e ardhshme. Finlanda e aneksoi atë në vitin 1918, dhe tani armiku janë rusët. Nga një bazë e tillë, ushtria finlandeze dhe rojet kufitare mbikëqyrin flotën hije të Moskës.

Sipas provave të paraqitura në Parlamentin Evropian nëntorin e vitit të kaluar, që nga viti 2023 më shumë se 2.500 cisterna ruse nafte kanë lundruar nëpër Detin Baltik, dhe shumica e tyre i përkasin flotës hije. Shumë prej tyre ishin në një listë të zezë ndërkombëtare, si anije “që duhen riparuar ose që do përfundojnë për skrap”.

Asnjë kompani sigurimi me reputacion, nuk kishte marrë përsipër garantimin e tyre. Për shkak të sanksioneve të Perëndimit, kompanitë e sigurimit si Lloyd’s në Londër, nuk mund të ofrojnë mbulim për anijet që transportojnë naftë ruse, në rast se ajo nuk shitet në përputhje me çmimin tavan që është diktuar nga SHBA dhe BE-ja.

Që nga vendosja e sanksioneve ndaj saj në dhjetor 2022, Moska ka shpenzuar deri në 10 miliardë dollarë, duke grumbulluar 350 ose më shumë anije të tilla, të cilat transportojnë rreth 4 milionë fuçi naftë në ditë, dhe 1.5 milionë prej tyre përmes Detit Baltik.

Ato i nënshtrohen një burokracie bizantine, duke i fshehur ato nga inspektimi zyrtar. Parajsat fiskale, e bëjnë të vështirë përcaktimin se si dhe ku u blenë anijet dhe kush i zotëron ato. Kështu, është raportuar se Lukoil, kompania e dytë më e madhe e energjisë në Rusi, ka siguruar fonde për të përdorur më shumë se 20 cisterna përmes një kompanie me bazë në Dubai.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Lukoil 10 vjet më parë, vetë kompania në Dubai nuk i nënshtrohet masave të tilla. Kompanive me qendër në Dubai, nuk u kërkohet që të respektojnë kufizimet e Perëndimit, me kushtin që të mos marrin fonde nga vendet e G7-ës. Flota ruse lundron nën flamuj të tjerë, si ato të Antigua & Barbuda, Barbados, Ishujt Kuk, Guajana, Guinea-Bissau, Honduras, San Marino dhe Sierra Leone. Më shumë se 100 cisterna iu bashkuan kësaj flote vetëm në vitin 2024, thotë Michelle Wiese Bockmann e Lloyds List Intelligence, një kompani simotër e Lloyds List, që analizon tregtinë që zhvillohet në rrugë detare.

Vetëm Ishujt Kuk e dyfishuan me krenari flotën e tyre brenda 7 muajsh, duke shtuar 50 cisterna me kapacitet 20.000 ton ose më shumë. “Ne nuk i kemi parë më herët këto anije”- thotë Mikko Hirvi, zëvendës/komandant i Rojes Bregdetare finlandeze.

“Ato janë më të vjetra nga ato me të cilat jemi mësuar, dhe nuk dihet kompetenca e ekuipazheve në kushtet e ashpra të Detit Baltik, veçanërisht gjatë dimrit dhe periudhës së lundrimit midis akujve”- shton ai. Hirvi thekson se shumë nga cisternat, nuk janë të certifikuara zyrtarisht për të lundruar midis akullit në det.

Në periudhën më të acartë, Gjiri i Finlandës është tërësisht i rrethuar nga akulli. Për shembull më 12 shkurt të vitit të kaluar, një ditë shumë e ftohtë, akulli mbuloi 135.000 km2 të gjirit. Anijet që vinin nga Shën Petersburgu duhej të kalonin nëpër 186 milje detare akull, nga të cilat 120 milje ishin “akull shumë i trashë”, sipas shkencëtarëve në Institutin Meteorologjik Finlandez.

Dhe në rastin e një aksidenti dhe derdhjes së naftës, kjo mund të ketë një efekt serioz, pasi këto flota nuk e njohin parimin “ndotësi paguan”. Sekuestrimi i “Eagle S” nga policia finlandeze ishte një rast shumë i rrallë i autoriteteve perëndimore që kapnin një cisternë ruse. Sepse Hirvi thotë se nuk kanë kompetenca për të inspektuar apo ndërhyrë në anije të tilla.

Për t’u mbrojtur nga rreziqet mjedisore, finlandezët duan që Bashkimi Evropian të dërgojë një anije, e cila është në gjendje të reagojë menjëherë ndaj skenarëve më të këqij. Sigurisht, teknologjia mund ndihmojë në procesin e vëzhgimit të anijeve me interes.

Marina Mbretërore britanike po patrullonte me dronë mbi Detin e Kuq një vit më parë, pasi rebelët Huthi në Jemen nisën që qëllonin rregullisht mbi anijet tregtare. Por kostot dhe logjistika, si dhe terreni i vështirë janë faktorë kufizues. Për më tepër, flota hije e Rusisë është bërë e aftë të ngatërrojë ndjekësit.

Kështu rusët akuzohen për bllokim të sinjaleve GPS. Në një rast, ndërprerja ishte aq serioze në Finlandë, saqë linja ajrore kombëtare “Finnair’ pezulloi për 1 muaj fluturimet për në Tartu të Estonisë, pasi 2 avionë të saj u detyruan të ktheheshin pas në Helsinki.

Ndonjëherë anije të tilla i shkarkojnë ngarkesat e tyre në anije të tjera ndërsa janë në det, duke e maskuar akoma më tej origjinën e naftës që bartin. Gjithsesi ka shenja se fuqitë perëndimore po vetëdijësohen për këtë të çarë të madhe në “rrjetën” e sanksioneve të tyre.

Në shtatorin e vitit të shkuar, qeveria britanike njoftoi marrjen e masave kundër 10 anijeve të tilla. Vetëm 3 prej tyre kanë transportuar naftë me vlerë 5 miliardë paund që nga pushtimi i Ukrainës. Tani këtyre anijeve, u ndalohet të hyjnë në një port britanik, si dhe do t’u mohohet qasja në Regjistrin e Anijeve të Mbretërisë së Bashkuar./Pamfleti

armata hije e putinit evropa

Lini një Përgjigje