TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Janar 2026, 14:44

A po vdes “Ëndrra Amerikane”?

Shkruar nga Tim Higgins
A po vdes “Ëndrra Amerikane”?
Statuja e Lirisë /

Silicon Valley ka frikë se ky është shansi i fundit për të grumbulluar pasuri të mjaftueshme për disa breza, përpara se Inteligjenca Artificiale t’i bëjë paratë të pavlera…

Silicon Valley është e mbushur me ëndrra të çdo lloji. Por një nga idetë e çuditshme, e debatuar prej kohësh në subreddit dhe në shtëpitë e hakerëve, po shndërrohet në një makth të jetës reale: A do të jetë bumi i Inteligjencës Artificiale shansi i fundit për t’u pasuruar, përpara se ajo t’i bëjë paratë në thelb të pavlefshme?

Argumenti është se kompanitë e teknologjisë (dhe udhëheqësit e tyre) do të shndërrohen në një klasë më vete me pasuri të pakufishme. Askush tjetër nuk do të ketë mundësi të gjenerojë para për veten, sepse Inteligjenca Artificiale do t’u ketë marrë vendet e punës dhe shanset për përparim.

Me fjalë të tjera, për ata që ndjekin ëndrrën amerikane ura është gati të ngrihet. Dhe të gjithë janë të shqetësuar se mos mbeten në anën e gabuar. Është një lloj FOMO (një lloj frike nga të mbeturit jashtë proceseve), që në shikim të parë nxit natyrshëm mosbesim.

Por vetë ekzistenca e idesë ndihmon në shpjegimin e disa prej shqetësimeve në rritje në Kaliforni, ku një lëvizje për të taksuar miliarderët po trazon Partinë Demokratike, ku strehimi i përballueshëm është një problem real dhe ku duket e paarritshme ideja e klasës së mesme.

Është e vërtetë, tingëllon si fantashkencë.

Por në San Francisko kjo ndihet reale. Dhe është bërë më e besueshme nga alarmi që ka lëshuar Elon Musk, Sam Altman i OpenAI apo edhe paralajmërimet e Dario Amodei të Anthropic për një zhvendosje të punëtorëve të ngjashme me Depresionin e Madh të viteve 1930.

 “Tranzicioni do të jetë i vështirë” - tha Musk këtë muaj në një podcast. “Do të kemi ndryshime rrënjësore, trazira sociale dhe një zhvillim të jashtëzakonshëm” - shtoi ai, duke theksuar se ky është skenari më i mirë.

Historia është e mbushur me bume teknologjike që krijojnë fitues dhe humbës të rinj. Optimistët e Inteligjencës Artificiale pëlqejnë të theksojnë se një baticë në rritje ka tendencën t’i ngrejë të gjitha anijet. Por ajo që po diskutohet tani - humbja masive e vendeve të punës për shkak të automatizimit dhe nevoja për rrjete sigurie publike, si të ardhurat bazë universale – përshkruan një të ardhme krejtësisht ndryshe.

Ende nuk është e qartë nëse ka oreks për UBI-në, e cila bie ndesh me idealet themelore të shumë amerikanëve për arritje personale. “Më parë isha shumë i entuziazmuar për UBI-në… por mendoj se njerëzit kanë nevojë për fuqi. Ata duhet të ndiejnë se kanë një zë në qeverisjen e së ardhmes dhe në vendosjen e drejtimit” - tha Altman, CEO i OpenAI, vitin e kaluar.

“Nëse u thua që IA do të bëjë gjithçka dhe pastaj të gjithë marrin një divident, nuk do të ndihesh mirë dhe nuk mendoj se do të ishte vërtet e shëndetshme për njerëzit” - nënvizoi ai.

Nëse paratë e humbasin vlerën, asetet e pakta, si arti, mund të bëhen thelbësore. Këtë e ka theksuar edhe Musk. Vizioni i tij për të ardhmen përfshin robotë që kryejnë detyra fizike, ndërsa njerëzimi përpiqet të mbajë ritmin me mënyrën e të menduarit të Inteligjencës Artificiale, duke çuar në atë që ai e quan “të ardhura të larta universale” dhe një epokë bollëku. “Nëse nuk ka mungesë burimesh, nuk është e qartë se çfarë kuptimi kanë paratë” - tha ai në një konferencë vitin e kaluar. Kohët e fundit, Musk sugjeroi që njerëzit nuk duhet të shqetësohen as për kursimet e pensionit, duke parashikuar se inteligjenca artificiale do të ofrojë kujdes shëndetësor dhe argëtim. “Nuk do të ketë rëndësi” – tha ai. Deklarata të guximshme nga një njeri që këmbënguli për një paketë shpërblimi prej 1 trilion dollarësh nga Tesla, ku ai është CEO dhe të cilën e ka justifikuar si mënyrë për të ruajtur kontrollin mbi kompaninë nga investitorët aktivistë.

Megjithatë, mund të duket sikur të pasurit po përpiqen të pasurohen edhe më shumë. Ndaj nuk është për t’u habitur që në komunitetin e teknologjisë në San Francisko dominon slogani: “Pasurohu tani ose do mbetesh pa gjë!”. Sheridan Clayborne, një i ri në skenën e startup-eve të Inteligjencës Artificiale, e përshkroi kështu frymën e kohës vjeshtën e vitit të kaluar: “Ky është shansi i fundit për të ndërtuar një pasuri që do të mjaftojë për disa breza. Duhet të fitosh para tani, përpara se të bëhesh pjesë e klasës së ulët të përhershme”.

Disa javë më vonë, postime në Facebook, X dhe LinkedIn pretendonin se Jensen Huang i Nvidia kishte thënë diçka të ngjashme. Në fakt, ai nuk e ka thënë. Përkundrazi, paraqitjet e tij publike kanë qenë të mbushura me diskutime mbi potencialin e Inteligjencës Artificiale si një forcë barazuese. “Do të kemi një mori burimesh; gjëra që sot i shohim si të vlefshme, në të ardhmen nuk do të kenë më aq vlerë… sepse do të jenë të automatizuara” - tha Huang në një intervistë me Joe Rogan.

Mund të jetë e vështirë të dallosh faktin nga trillimi në një epokë teknologjie që duket sikur ka dalë drejtpërdrejt nga një roman i Iain Banks. Dhe mbështetësit e kompanive të Inteligjencës Artificiale kanë miliarda, nëse jo triliona, arsye për të shpresuar që lojërat e tyre të fatit nuk janë vetëm xhekpotë që ndodhin një herë në një brez, por një herë në ekzistencën e njerëzimit.

Një tjetër kontribut në FOMO në San Francisko është pritshmëria që kompanitë lokale të Inteligjencës Artificiale, si OpenAI dhe Anthropic, do të dalin së shpejti në bursë, duke krijuar shumë më tepër milionerë.

Pasi gazeta “New York Times” publikoi një titull këtë javë rreth valës së ofertave fillestare publike “mega” që priten këtë vit, agjenti i pasurive të paluajtshme Rohin Dhar shkroi në platformën X: “Më lejoni me përulësi t’ju sugjeroj që të blini pa humbur kohë shtëpinë tuaj në San Francisko”.

Sipërmarrësi i teknologjisë, dikur pjesë e Y Combinator, më tha se ishte tërhequr nga pasuritë e paluajtshme pjesërisht për shkak të besimit se pasuria e re e Inteligjencës Artificiale do të nxisë një bum ndërtimi. Ose siç parashikoi vitin e kaluar: “Po vjen nëna e të gjitha bumeve teknologjike”. Pra, përfito aq sa të kesh mundësi./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”

ëndrra amerikane

1 Komente

  1. T
    Tironci

    Budallalliqe.

    Lini një Përgjigje