TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 1 Mars 2026, 13:59

Tensionet gjeopolitike trondisin tregjet globale, Bitcoin shënon rënie të ndjeshme

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet gjeopolitike trondisin tregjet globale, Bitcoin shënon
Bitcoin

Bitcoin ka shënuar rënie të ndjeshme në javët e fundit, duke zbritur nga niveli pranë 100 mijë dollarëve në fillim të vitit në rreth 63 mijë dollarë aktualisht. Lëvizja vjen në një moment kur përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shtuar pasigurinë në tregjet globale.

Sipas ekspertes së kriptovalutave, Denisa Kele, reagimi i investitorëve në situata të tilla është i menjëhershëm.

“Kriptovalutat janë ndër asetet më të ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike. Kur perceptimi për rrezikun rritet, kapitali zhvendoset shpejt drejt instrumenteve më të sigurta”, shprehet ajo për "A2 Cnn.

Analistët vlerësojnë se në periudha tensioni, tregjet financiare përballen me valë shitjesh, ndërsa asetet më spekulative, si kriptovalutat, preken më shpejt. Megjithatë, ata kujtojnë se luhatjet e forta kanë shoqëruar vazhdimisht këtë treg dhe nuk përbëjnë domosdoshmërisht sinjal për krizë afatgjatë.

Të dhënat nga platforma Coin Market Cap tregojnë se rënia ka përfshirë edhe kriptomonedha të tjera kryesore. Ethereum po tregtohet nën 2 mijë dollarë, Binance Coin rreth 622 dollarë dhe Solana afërsisht 85 dollarë.

Ekspertët theksojnë se drejtimi i mëtejshëm i tregut do të përcaktohet nga zhvillimet gjeopolitike dhe nga niveli i besimit të investitorëve, i cili mbetet faktori kyç në luhatjet e çmimeve.

Sipas përllogaritjeve, në Shqipëri numërohen deri në 50 mijë portofole investimi në kriptomonedha, kryesisht në Bitcoin, me një vlerë totale rreth 90 milionë dollarë. Rënia e fundit e tregut reflektohet drejtpërdrejt edhe në vlerën e këtyre investimeve. 

renia e bitcoin tregjet globale

Lini një Përgjigje