
Qeveria shqiptare po ndryshon fshehurazi marrëveshjen për resortin në Sazan, duke i kaluar taksapaguesve kostot e energjisë, ujit, impiantit, pastrimit të minave, portit të jahteve dhe studimeve me miliona euro – një qokë luksi për vajzën e Trump, në emër të “prestigjit kombëtar”.
142 milionë euro nga taksat për resortin e Jared Kushner në Sazan: afera e madhe e Bablokut për të blerë mbështetje ndërkombëtare
Afera e dhurimit të ishullit të Sazanit, me 45 hektarë sipërfaqe në një zonë të mbrojtur, nuk mjaftoi. Kryeministri Edi Rama, përveç dhënies së tokës publike për 30 vjet, po përgatitet që nga taksat e qytetarëve shqiptarë të financojë edhe ndërtimin e infrastrukturës që do t’i shërbejë resortit luksoz të Jared Kushner, dhëndrit të ish-Presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas burimeve konfidenciale në Ministrinë e Financave, qeveria shqiptare po ndryshon fshehurazi përmbajtjen e Vendimit nr. 23, datë 30 dhjetor 2024, duke zhvendosur detyrimet që duhet të mbulonte kompania private “Atlantic Incubation Partners” tek buxheti i shtetit. Fillimisht, në vendim parashikohej që vetë kompania do të ndërtonte dhe financonte linjat 15 km për energji dhe ujë nga Vlora në Sazan, rrjetin e ujërave të ndotura, impiantin e përpunimit të mbetjeve dhe evadimin e tyre.

Por Grupi i Negocimit të Marrëveshjes, nën drejtimin e ministrit Blendi Gonxhe, ka kërkuar që këto kosto të mbulohen nga shteti shqiptar. Gjithashtu, janë shtuar edhe dy projekte të tjera: një port jahtesh dhe një aerodrom në ishull, të dyja në shërbim të resortit, me financim publik.
Vlerësimi paraprak tregon se vetëm për ndërtimin e këtyre elementeve infrastrukturore do të shpenzohen rreth 125 milionë euro nga fondet publike.
Kjo nuk është e gjitha. Në pikën 6 të vendimit qeveritar thuhet se zona ku do ndërtohet resorti ka mbetje luftarake dhe eksplozivë të mbetur nga periudha kur Sazani shërbente si bazë ushtarake. Kostoja e pastrimit të zonës parashikohet 11 milionë euro, të gjitha nga buxheti i shtetit.
Në pikën 13 të vendimit, shteti shqiptar merr përsipër edhe financimin e ekspertizave teknike, ligjore, financiare dhe mjedisore që do të kryhen nga ekspertë vendas dhe të huaj në shërbim të projektit. Për këtë proces parashikohen 6 milionë euro të tjera nga buxheti publik.
Në total, shteti shqiptar do të shpenzojë 142 milionë euro për një resort që do të jetë pronë dhe fitim privat i familjes Trump. Justifikimi zyrtar është se ky është “një investim strategjik, që do fuqizojë ekonominë, turizmin, dhe do rrisë prestigjin ndërkombëtar të vendit”.
Por në të vërtetë, kjo është një nga marrëveshjet më të padrejta dhe më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë – një pakt për pushtet, i kamufluar si zhvillim strategjik, ku qeveria paguan, kompania fiton dhe taksapaguesi humb./Pamfleti

Lini një Përgjigje