
Shoqata “Pro-Eksport Albania” ka shfaqur rezerva mbi ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit, ku bëhet me detyrim krijimi i kushteve dhe punësimi i personave me aftësi ndryshe. Në një letër drejtuar ministrit të Financave, Ervin Mete, shoqata shprehet se në prodhimin e veshjeve dhe këpucëve është thuajse e pamundur një gjë e tillë.
Në letër shkruhet se kjo shoqatë e ka të pamundur të mbulojë kostot e punësimit të personave me aftësi të kufizuar, pasi një angazhim i tillë i shton kostot e bizneseve të sektorit në rreth 8%, pa llogaritur investimet e nevojshme për të krijuar ambiente pune të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar në fabrikat prodhuese.
Në këto kushte shoqata kërkon reflektimin e duhur dhe ndalimin e aplikimit për një moment të dytë si dhe krijimin e një tavoline teknike (ose edhe në Këshillin Kombëtarë të Punës) ku diskutimet dhe analiza ti lënë vendin më pas aplikimit të tij.
Letra e plotë:
I nderuar Zoti Ministër,
Shoqata “Pro-Eksport Albania” kërkon të shprehë shqetësimin e saj mbi një event që po ndodh kohët e fundit lidhur me LIGJIN Nr. 15/2019 PËR NXITJEN E PUNËSIMIT- Punësimi i personave nga grupet e veçanta, detyrim për Punëdhënësit Publik dhe Privat.
Sektori Manifakturë i veshjeve dhe këpucëve po kalon një situatë shumë alarmante siç edhe Ju jeni në dijeni me rënie të theksuar të porosive/prodhimet për eksport (të dhënat Instat muaji Gusht 2023 -21,9% në krahasim me muajin Korrik 2023), kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesë e theksuar likuiditeti, amortizimi i impianteve prodhuese e një mori problematika të tjera që ky sektor ka.
Duke vënë theksin me sa parashtruam më sipër, shtohet si kosto dhe detyrimi ligjor i Ligjit nr. 15/2019 e cila përtej impaktit social dhe ndihmës për grupet e veçanta që secili nga Ne e mirëpret dhe ka qenë gjithmonë kontribues, shton kostot e bizneseve të sektorit në rreth 8%, pa llogaritur këtu investimet e nevojshme për të krijuar ambiente pune të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar në fabrikat prodhuese.
Në pikëpamjen tonë mungon analiza e faktibilitetit referuar sektorit tonë dhe situata është e papërshtatshme për të vendosur një “Taksë sociale të detyrueshme”, kur treguesit ekonomik jane perceptori dhe certifikuesi i depresionit ekonomik që ka kapluar.
Në këto kushte kërkojmë nga ana Juaj:
Reflektimin e duhur dhe ndalimin e aplikimit për një moment të dytë;
Krijimin e një tavoline teknike (ose edhe në Këshillin Kombëtarë të Punës) ku diskutimet dhe analiza ti lënë vendin më pas aplikimit të tij.
Vlerësojmë bashkëpunimin Institucional me MFE-n dhe AKPA-n deri më sot, po ashtu jemi të bindur se me Ju do arrij në nivele më të larta, që edhe janë pritshmëritë tona.
Me respekt dhe besim se do të merren ne konsiderate, Ju urojmë suksese në misonin tuaj.
Lini një Përgjigje