Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka folur lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. Ai tha se lufta përbën rrezik për ekonominë shqiptare dhe se është e vështirë të parashikohet shkalla e ndikimit të saj.
Sipas tij, pavarësisht pasigurive të jashtme, ekonomia shqiptare ka shfaqur performancë pozitive deri në tremujorin e parë të vitit 2026. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke synuar ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
Sejko theksoi se inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare paraqiten të qëndrueshme dhe kreditimi për sektorin privat vijon rritjen. Ai nënvizoi se politika monetare ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këto zhvillime.
Guvernatori shtoi se pritshmëritë për ekonominë mbeten pozitive edhe për vitet në vijim, me rritje të qëndrueshme dhe kthim gradual të inflacionit në objektiv gjatë vitit 2026.
Megjithatë, ai paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme mbetet një burim i rëndësishëm rreziku për ekonominë globale dhe atë shqiptare, çka kërkon vigjilencë të shtuar nga institucionet financiare.
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar politikën monetare. Ka pasur një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare deri në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa këtë vit objektivi kryesor do të jetë inflacioni. Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare shfaqen të qeta, dhe kredia në sektorin privat vijon të shënojë rritje të qëndrueshme. Një kontribut pozitiv ka pasur edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë.
Trendet e zhvillimit të vendit mbeten pozitive dhe pritet të vijojnë edhe në të ardhmen. Ekonomia pritet të rritet me ritme solide në dy vitet në vijim, ndërsa inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026.
Konflikti në Lindjen e Mesme përbën një burim të rëndësishëm rreziku për ekonominë botërore dhe për ekonominë shqiptare në të ardhmen, rrezik i cili po vlerësohet me një shkallë të pranueshme sigurie në momentin aktual.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke rritur vigjilencën ndaj zhvillimeve botërore”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje