TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi21 Gusht 2023, 11:06

Blerjet valutore të Bankës së Shqipërisë pësojnë rënie të fortë

Shkruar nga Pamfleti

Blerjet valutore të Bankës së Shqipërisë

Blerjet valutore të Bankës së Shqipërisë pësuan një frenim të fortë në ankandin e javës së kaluar.

Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove, por nuk u arrit të plotësohej për shkak të vlerës së ulët të kërkesave që u paraqitën.

Në ankand u paraqitën kërkesa totale vetëm në vlerën e 4.5 milionë eurove. Prej tyre, Banka e Shqipërisë pranoi vetëm 2 milionë euro.

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs midis 106 dhe 106.2 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 106.08 lekë.

Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë të vogël shtesë prej 0.5 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 106.08 lekësh. Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 18 gusht arriti në vetëm 2.5 milionë euro, në rënie të fortë prej shumës prej 18 milionë euro që u ble në ankandin e mëparshëm, më datë 4 gusht.

Dështimi i pjesshëm i ankandit të ditës së premte mund të jetë tregues i një kërkese të lartë të tregut privat për Euro gjatë javës së fundit. Kjo kërkesë solli rritje të ndjeshme të kursit të Euros me pothuajse 2.2 lekë në harkun e një jave. Të premten Euro u këmbye me 106.01 lekë, niveli më i ulët që prej muajit qershor.

Banka e Shqipërisë vendosi në muajin gusht që të rrisë blerjet e planifikuara të Euros në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 milionë euro dhe 300 milionë euro, nga intervali i mëparshëm 160 milionë – 220 milionë euro. Ky vendim erdhi si një formë për të tërhequr sasinë e madhe të valutës nga tregu dhe për të frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut.

Nga ana tjetër, për shtatë muajt e parë të vitit Banka e Shqipërisë pati blerë tashmë rreth 170 milionë euro (që u shtohen edhe 18 milionë euro të ankandit të parë të gushtit), por pavarësisht kësaj kursi i këmbimit të monedhës europiane me Lekun ka shënuar rënie të paprecedentë këtë vit.

Megjithëse në teori ankandet valutore kryhen në shërbim të administrimit të rezervës valutore, praktikisht Banka e Shqipërisë ka vendosur ta përdorë këtë mekanizëm edhe në funksion të ndërhyrjes në kursin e këmbimit valutor.

Megjithatë, zhvillimet afatshkurtra të tregut duket se kanë surprizuar edhe Bankën e Shqipërisë. Ankandi i radhës ka rezultuar me një shumë të blerë prej vetëm 2.5 milionë eurosh, ndërsa kursi i këmbimit të monedhës europiane u rrit ndjeshëm javën e kaluar.

Kjo tregon se në fakt ankandet e Bankës së Shqipërisë vazhdojnë të kenë një ndikim të dobët në ecurinë e kursit të këmbimit, madje ankandi dytë i gushtit rezultoi praktikisht i panevojshëm në funksion të tërheqjes së tepricës së valutës nga tregu. Rritja e kursit të Euros ka qenë kryesisht rezultat i mekanizmave të tregut të lirë dhe jo i ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në të. /Monitor

Lini një Përgjigje